Flash News

E-TJERA

Mallra kontrabandë me autobusin Prishtinë-Tiranë, 6 të arrestuar, e pësojnë edhe dy doganierë

Mallra kontrabandë me autobusin Prishtinë-Tiranë, 6 të

Gjashtë persona janë arrestuar pasi në bashkëpunim më njëri-tjetrin transportonin  mallra të ndryshme kontrabandë (veshje, medikamente mjekësore), me një autobus dhe tre automjete, nga Prishtina në Tiranë.

Po ashtu, në kuadër të këtij operacioni u proceduan penalisht në gjendje të lirë, edhe Xh. Sh. dhe S. M., punonjës të pikës doganore Morinë, Kukës, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës".

 “Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar "Free road".

Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

- Edison Cani, 40 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një linje transporti;

- Altin Metani, 52 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti tregtar;

- Dorjan Zguro, 31 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti tregtar;

- Shkëlqim Mehmeti, 42 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti tregtar;

- Zaljon Braho, 32 vjeç, banues në Tiranë, faturino në një linjë transporti;

- Erald Lami, 22 vjeç, banues në Tiranë, punonjës i një poste private.

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni u proceduan penalisht në gjendje të lirë, shtetasit Xh. Sh. dhe S. M., punonjës të pikës doganore Morinë, Kukës, për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës".

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim shtetasi S. B., administrator i një subjekti privat.

Në rrugën "Jordan Misja", në një parking, shërbimet e Policisë kanë konstatuar autobusin e linjës Prishtinë-Tiranë dhe shtetasit A. M., D. Z. dhe Sh. M., të cilët do të merrnin mallrat, të dyshuara të futura kontrabandë në Shqipëri, nga dogana e Morinës.

Gjatë kontrollit të autobusit, në bagazh, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, mallra të tjera, pa pullë fiskale. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e personave që i kanë porositur.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar mallra të ndryshme të dyshuara të futura kontrabandë (veshje, medikamente mjekësore), autobusi dhe tre automjete.

Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.’- njofton policia.

 

 

Të fundit