Flash News

E-TJERA

Malltezi tregon incidentin në Durrës: Policët bashkiakë intimidonin votuesit, më morën telefonin dhe fshinë videon

Malltezi tregon incidentin në Durrës: Policët bashkiakë

Një tjetër incident është shënuar në Durrës gjatë procesit të votimit. Në këtë situatë është përfshirë edhe përfaqësuesi i “Shtëpisë së Lirisë”, Jamarbër Malltezi.

Ky i fundit ka treguar se policë bashkiakë kanë qenë të pranishëm në shkollën ‘Naim Babameto’. Malltezi tha për “News 24” se i filmoi, duke intimiduar qytetarët dhe u kërkoi që të largoheshin.

Ai shtoi se më pas 20-30 militantë socialistë shkuan dhe i morën me forcë telefonin. Malltezi bëri me dije se telefonin ia kthyen, pasi i fshinë videon.

“Në shkollën ‘Naim Babameto’, ku ka 8 QV nuk ka pasur fare prezencë policie, ndonëse e kërkon ligji. Kemi pasur prezencë të policëve bashkiakë pa uniformë që bënin intimidim të zgjedhësve.

I kemi identifikuar, i kemi kërkuar të largohen, e kemi filmuar këtë gjë në mënyrë që të identifikonim paligjshmërinë. Kanë ardhur 20-30 militantë të PS dhe kanë grabitur telefonin.

Nuk ka pasur dhunë ndaj meje, ka pasur fjalosje. Ma morën celularin dhe e fshinë. Nuk bëmë denoncim se nuk kishte policë fare, ndoshta më vonë. Policia mund të rrinte jashtë dhe të siguronte që brenda të mos kishte aktivistë. Ma kthyen telefonin, por kishin fshirë videon”, tha Malltezi.

 

 

Të fundit