Flash News

E-TJERA

Manja e quan besim ndaj shtetit, por DEA amerikane ‘e anashkaloi’ në luftën ndaj pastrimit të parave dhe drogës

Manja e quan besim ndaj shtetit, por DEA amerikane ‘e anashkaloi’

Një ditë më parë, ambasada amerikane shpërndau një thirrje dhe mesazh të DEA-s e cila kërkonte bashkëpunimin e qytetarëve për të denoncuar rastet e trafikut të drogës dhe pastrimit të parave.

Nga njoftimi i publikuar në faqen e ambasadës së SHBA-së në Tiranë, qartazi dukej se DEA kishte ‘anashkaluar’ institucionet shtetërore në operacionin kundër trafikimit të drogës dhe pastrimit të parave, duke treguar se mund të ketë njëfarë mungese besimi tek autoritetet.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i pyetur sot nga gazetarët se si e sheh angazhimin e DEA-s amerikane në Shqipëri në luftën kundër trafikut të drogës dhe pastrimit të parave, tha se është një shenjë e fortë bashkëpunimi dhe besimi ndaj shtetit.

“E konsideroj si shenjë besimi të fortë. Bashkëpunimi i deritanishëm i agjencive shqiptare me DEA-n është shenjë e fortë e bashkëpunimit me institucionet tona. Që në ditën e krijimit të SPAK, bashkëpunimi mes prokurorisë, dhe policisë së shtetit me partnerët amerikanë ka qenë korrekt. Tregon se besimi i këtyre strukturave te ne vjen në rritje. Ka një vullnet serioz të agjencive ligjzbatuese dhe qeverisë shqiptare për të goditur fort korrupsionin dhe krimin e organizuar”, u shpreh ai.

Ndryshe nga sa shprehet ministri, DEA duket se ia besoi denoncimin e rasteve të trafikut të lëndëve narkotike dhe pastrimit të parave, më shumë qytetarëve se sa shtetit, për të cilin Manja flet me bindje se është i angazhuar për të goditur fort korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Të fundit