Flash News

E-TJERA

Marrëveshja Itali-Shqipëri, anëtarja e PE: Ngre shqetësime serioze në kuadrin ligjor, mungon transparenca

Marrëveshja Itali-Shqipëri, anëtarja e PE: Ngre shqetësime

Cristina Guarda, Anëtare e Delegacionit të Komisionit Europarlamentar për Asocimin BE-Shqipëri, foli nga Komisioni për Stabilizim-Asociim për marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Italisë për refugjatët.

Guarda u shpreh e shqetësuar për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe mungesën e transparencës në marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë për çështjet e azilit.

Sipas saj, marrëveshja ngre probleme serioze ligjore dhe krijon paqartësi juridike për qytetarët e vendeve të treta që ndodhen në Itali dhe mund të transferohen në Shqipëri.

“Dëshiroj të flas për disa çështje, si mjedisi dhe vlerësimet e ndikimit mjedisor. Aktualisht kam përgjegjësi për disa çështje të rëndësishme dhe dëshiroj t’u drejtoj disa pyetje përfaqësuesve të Parlamentit Shqiptar, por edhe këtij Parlamenti.

Mirëpres përpjekjet dhe reformat që janë ndërmarrë me qëllim luftimin e korrupsionit dhe avancimin drejt integrimit europian.

Megjithatë, jam e shqetësuar për shkeljet e të drejtave të njeriut, diskriminimin, dhe në mënyrë të veçantë për shkeljet që lidhen me të drejtat e azilit. Mendoj sidomos për marrëveshjen mes Italisë dhe Shqipërisë, e cila ngre shqetësime serioze për shkak të problemeve ligjore që ajo përmban përfshirë mungesën e transparencës dhe paqartësinë juridike për qytetarët e vendeve të treta që ndodhen në Itali dhe mund të transferohen në një qendër në Shqipëri.

Kjo marrëveshje lë shumë për të dëshiruar dhe sjell rrezikun e transferimit të përgjegjësive në fushën e emigracionit. Nuk dua që Shqipëria të përfshihet në një proces që potencialisht mund të përfundojë me dënime për veprime që i ka ndërmarrë Italia. Marrëveshja, siç është paraqitur aktualisht, nuk është e qartë dhe, për pasojë, mund të çojë në keqkuptime.

Si mund të gjejmë zgjidhje alternative së bashku? Nuk dëshiroj që të kemi marrëveshje të këtij lloji, të cilat i zhvendosin përgjegjësitë në mënyrë të padrejtë dhe pa një kuadër të qartë ligjor”, deklaroi Guarda.

Të fundit