Flash News

E-TJERA

Masakroi prindërit e partnerit dhe kufomat i fshehu në valixhe, dënohet me 30 vjet burg Elona Kalesha

Masakroi prindërit e partnerit dhe kufomat i fshehu në valixhe,

Gjykata e Apelit në Firence ka konfirmuar dënimin me 30 vite burg për 41-vjeçaren shqiptare Elona Kalesha, e cila u shpall fajtore për vrasjen makabre të bashkëshortëve Teuta dhe Shpëtim Pasho.

Trupat e çiftit shqiptar u gjetën të copëtuar brenda katër valixheve në një fushë pranë burgut Sollicciano në Firence, në dhjetor të vitit 2020. Viktimat ishin prindërit e Taulant Pashos, ish-partnerit të Kaleshës, i cili ndodhej në burg në momentin e zhdukjes së tyre.

Mediat italiane raportojnë se Kalesha qëndroi e heshtur ndërsa kryetari i Gjykatës së Apelit, Alessandro Nencini, lexoi vendimin. Prokuroria kishte kërkuar dënim të përjetshëm, por kjo kërkesë u rrëzua, duke lënë në fuqi dënimin me 30 vite burg.

Teuta dhe Shpëtim Pasho u zhdukën më 1 nëntor 2015, pasi kishin udhëtuar nga Shqipëria drejt Italisë për të pritur daljen nga burgu të djalit të tyre, Taulantit. Personi i fundit që i kishte parë të gjallë ishte pikërisht Elona Kalesha.

Pesë vjet më vonë, më 9 dhjetor 2020, një pensionist që po pastronte një kopsht komunitar gjeti valixhet e mbushura me pjesë trupore të çiftit. Hetuesit arritën të identifikonin viktimat falë një tatuazhi në krahun e Shpëtim Pashos.

Sipas prokurorisë, Kalesha ka masakruar ish-vjehrrit në një apartament në Via Fontana, ndoshta me ndihmën e një bashkëpunëtori, i cili nuk është identifikuar kurrë. Për vite me radhë, ajo kishte mashtruar të afërmit e viktimave duke pretenduar se çifti ishte zhvendosur në Gjermani.

Vendimi i sotëm i Gjykatës së Apelit vulos një nga ngjarjet më të rënda kriminale ku është përfshirë një shtetase shqiptare në Itali.

Të fundit