Flash News

E-TJERA

Mashtrim kibernetik përmes SMS-ve, policia: Mos klikoni asnjë link të dyshimtë

Mashtrim kibernetik përmes SMS-ve, policia: Mos klikoni asnjë link

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik ka ngritur alarmin për një skemë të rrezikshme mashtruese që po qarkullon së fundmi përmes mesazheve SMS dhe aplikacioneve të komunikimit online.

Në njoftim zyrtar, policia e shtetit sqaron se persona të paidentifikuar po shpërndajnë linqe të rreme, duke pretenduar se janë të nevojshme për verifikimin e llogarive bankare apo përditësimin e të dhënave personale, por paralajmeron se pas klikimit, viktimat ekspozohen ndaj vjedhjes së kredencialeve dhe fondeve.

Policia e Shtetit u bën thirrje të gjithë qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshimtë.

Njoftimi nga policia: 

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit informon opinionin publik lidhur me një skemë mashtruese që po qarkullon së fundi, përmes mesazheve SMS dhe aplikacioneve të komunikimit elektronik.

Shtetas ende të paidentifikuar po dërgojnë mesazhe që përmbajnë linke të rreme, me pretendimin se është i nevojshëm përditësimi i të dhënave bankare ose verifikimi i llogarisë së qytetarëve. Pasi qytetarët klikojnë mbi këto linke dhe japin të dhënat e tyre personale apo bankare, autorët e këtyre veprimeve arrijnë të aksesojnë llogaritë bankare dhe në shumë raste, kanë realizuar vjedhjen e shumave të konsiderueshme monetare.

Policia e Shtetit thekson se asnjë institucion bankar apo shtetëror nuk kërkon përmes SMS-ve apo linkeve të dyshimta dërgimin e të dhënave sensitive, si numrat e kartave bankare, kodet PIN apo kredencialet e tjera të sigurisë.

Për këtë arsye, iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve:

Të mos klikojnë në asnjë link të dërguar nga burime të panjohura;

Të mos japin të dhënat e tyre personale apo bankare në forma të dyshimta online;

Të verifikojnë çdo informacion të tillë drejtpërdrejt me institucionin përkatës (bankë apo agjenci shtetërore);

Të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshuar pranë strukturave të hetimit të krimit kibernetik në Policinë e Shtetit.

Të fundit