Flash News

E-TJERA

Mazhoranca rrëzoi rezolutën për gjenocidin në Kosovë, mediat serbe jehonë lajmit

Mazhoranca rrëzoi rezolutën për gjenocidin në Kosovë,

Refuzimi i kërkesës së Partisë Demokratike për miratimin e rezolutës që dënon gjenocidin serb në Kosovë është raportuar me tone pozitive në mediat serbe.

Gazeta serbe Telegraf shkruan se gjatë seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, mazhoranca nuk miratoi kërkesën e Partisë Demokratike për të votuar një rezolutë që dënonte “gjenocidin e supozuar serb në të ashtuquajturën Kosovë”.

“Gjatë seancës plenare, parlamenti i Shqipërisë nuk e miratoi kërkesën e paraqitur nga Partia Demokratike për miratimin e një rezolute që dënon gjenocidin e supozuar serb në të ashtuquajturën Kosovë. Detajet e votimit nuk u publikuan, por kërkesa u refuzua,” – shkruan ndër të tjera Telegraf.

Edhe agjencia serbe Beta, e ka raportuar lajmin teksa shkruan se refuzimi i kësaj rezolute vjen në një moment politik të ndjeshëm, ndërsa Tirana përgatitet për një protestë në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po gjykohen në Hagë.

“Parlamenti i Shqipërisë ka hedhur poshtë një kërkesë të Partisë Demokratike (PD) për të miratuar një rezolutë që dënon, siç thuhet, ‘gjenocidin e Serbisë kundër shqiptarëve në Kosovë’. Vota për këtë propozim nuk u njoftua në detaje, por propozimi u rrëzua.  Tirana po përgatitet për një protestë masive mbarëshqiptare të planifikuar për sot në solidaritet me ish-udhëheqësit e "Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës" (UÇK) që janë në gjyq në Hagë. Njoftimi për tubimin, të organizuar nga Shoqata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka shkaktuar tensione politike midis kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), ndërsa institucionet e Kosovës, përfshirë Presidenten Vjosa Osmani, gjithashtu e kanë mbështetur protestën. Vetëvendosja kundërshton organizimin e kësaj proteste nga Rama, duke e akuzuar atë se gjoja ka mbështetur Gjykatën Speciale në atë kohë, ndërsa Rama kundërpërgjigjet se i vjen keq që LVV "po i përzien marrëdhëniet institucionale të Kosovës dhe Shqipërisë me raundin e dytë të zgjedhjeve lokale",” shkruan agjencia.

Të fundit