Flash News

E-TJERA

Mbërrijnë në Shëngjin 40 emigrantë nga Italia

Mbërrijnë në Shëngjin 40 emigrantë nga Italia

Një tjetër grup emigrantësh ka mbërritur sot në Portin e Shëngjinit, në kuadër të marrëveshjes së firmosur mes Italisë dhe Shqipërisë për strehimin e emigrantëve jashtë territorit italian. Rreth 40 emigrantë, të kombësive të ndryshme, u transportuan me anijen "Libra", e cila i është dhuruar sot Shqipërisë nga qeveria italiane.

Mbërritja e tyre ishte parashikuar për një ditë më parë, por u shty për sot. Emigrantët do të strehohen në kampin e Gjadrit, që tashmë po shërben si një qendër riatdhesimi në përputhje me dekretin italian të datës 28 mars. Ky dekret parashikon transferimin në Shqipëri jo vetëm të azilkërkuesve të kapur në det, por edhe të emigrantëve të parregullt ndaj të cilëve është lëshuar dekret dëbimi nga autoritetet italiane dhe është vendosur qëndrimi i tyre në qendra pritjeje.

Kjo është hera e katërt që emigrantë nga Italia transferohen në Shëngjin. Grupi i parë mbërriti në tetor 2024, pasuar nga të tjerë në nëntor dhe janar 2025 – ky i fundit ishte grupi më i madh deri më sot. Megjithatë, në disa raste, vendimet e gjykatave italiane kanë bllokuar transferimin e emigrantëve, kryesisht për shkak të mosmarrëveshjeve mbi listën e vendeve të sigurta të origjinës.

Marrëveshja për ndërtimin e qendrave në Shqipëri u nënshkrua në vitin 2023 mes kryeministres italiane Giorgia Meloni dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama. Qëllimi i saj është menaxhimi i fluksit të emigrantëve jashtë territorit të BE-së, por ajo është kritikuar nga organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut si një përpjekje për t’i zhvendosur problemet e emigracionit në vende me kapacitete më të kufizuara.

Megjithatë, më 30 dhjetor 2024, Gjykata e Kasacionit në Itali e konsideroi marrëveshjen të ligjshme, duke theksuar se përcaktimi i vendeve të sigurta është përgjegjësi e autoriteteve ekzekutive dhe jo e gjyqtarëve individualë.

Nga ana tjetër, Komisioni Evropian dhe disa liderë të BE-së kanë shprehur interesin për ta parë këtë model si një alternativë të mundshme për menaxhimin e emigracionit në shkallë më të gjerë.

Të fundit