Flash News

E-TJERA

"Mbetje të rrezikshme, Qeveri toksike!"/ Qytetarët protestojnë në hyrje të Portit të Durrësit

"Mbetje të rrezikshme, Qeveri toksike!"/ Qytetarët

Qindra qytetarë, aktivistë të shoqërisë civile, deputetë dhe përfaqësues të Partisë Demokratike protestuan këtë të diel në hyrje të Portit të Durrësit, për shkak të mbetjeve toksike që po kthehen në vendin tonë nga Tailandë. Anija me këto mbetje pritet të mbërrijë në port, pas evidentimit të tyre si të rrezikshme.

Protestuesit shpalosën pankartën “Mbetje të rrezikshme, Qeveri toksike!” dhe shprehën shqetësimin se këto mbetje dëmtojnë shëndetin e qytetarëve. Disa nga protestuesit apeluan për reagim masiv nga ana e qytetarëve të Durrësit dhe Shqipërisë, duke theksuar se është e rëndësishme që prindërit dhe të gjithë të prekurit të protestojnë kundër këtij rreziku.

Ambientalisti Sazan Guri i bëri thirrje qytetarëve që të angazhohen aktivisht, duke theksuar se këto mbetje duhet t’i nënshtrohen analizave për të përcaktuar përbërjen e tyre. Ai shprehu shqetësimin se, edhe nëse groposen, ato mund të shkaktojnë dëme të mëdha mjedisore.

Qeveria deri më tani ka tentuar të fshehë përgjegjësinë për këtë çështje, dhe nuk ka dhënë informacion të qartë mbi fatin e mbetjeve që pritet të mbërrijnë nesër në portin e Durrësit.

Protesta është një reagim ndaj eksportit të dyshuar të mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria, i cili u denoncua nga organizata mjedisore “Basel Action Network”. Ajo ngriti alarmin mbi një anije që kishte humbur në radarët afër Afrikës së Jugut, e cila transportonte mbetje të prodhuara nga gjiganti metalurgjik “Kurum”. Tajlanda kishte refuzuar importin e këtyre mbetjeve, duke ngritur pyetje mbi përfshirjen e shtetit shqiptar në trafikimin ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme.

Të fundit