Flash News

E-TJERA

Mbrojtja e papërgatitur, shtyhet në 12 dhjetor seanca paraprake për Veliajn

Mbrojtja e papërgatitur, shtyhet në 12 dhjetor seanca paraprake

Seanca paraprake për dosjen penale ndaj kryebashkiakut të pezulluar të Tiranës, Erion Veliaj, është shtyrë për më 12 dhjetor. Në atë datë pritet të vendoset nëse çështja do t’i kalojë fazës së gjykimit apo do të kthehet për rivlerësim.

Shtyrja u diktua nga fakti se avokatët mbrojtës nuk kanë përgatitur ende qëndrimin e tyre për Veliajn, bashkëshorten e tij Ajola Xoxa dhe dy të hetuar të tjerë.

Ndryshe nga seanca e kaluar, Veliaj nuk ishte i pranishëm në sallë. Ai ka pretenduar publikisht se nuk është njohur me përmbajtjen e dosjes voluminoze, e cila përmban rreth 60 mijë faqe. Sipas tij, USB-ja e dorëzuar avokatëve nuk mund t’i kalojë atij për shkak të rregullores së paraburgimit që ndalon përdorimin e pajisjeve elektronike.

“Kjo është një pamundësi objektive, jo justifikim. Pretendimi se dosja më është vënë në dispozicion është vetëm formalitet,” deklaroi Veliaj më 2 dhjetor.

Ai ka ngritur edhe shqetësime për trajtimin e tij gjatë seancave, duke e konsideruar vendosjen në kafaz një masë poshtëruese dhe në kundërshtim me standardet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Veliaj ndodhet në paraburgim prej 10 shkurtit, duke u përballur me akuza për pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në nëntë episode, shpërdorim detyre dhe futje të sendeve të ndaluara në ambientet e paraburgimit.

Të fundit