Flash News

E-TJERA

Përsëriten zgjedhjet për bashkinë e Rrogozhinës, pjesëmarrja më e lartë se në 14 maj

Përsëriten zgjedhjet për bashkinë e Rrogozhinës,

Në orën 19.00 ka përfunduar procesi i votimit në zgjedhjet e pjesshme te Rrogozhinës të mbajtura këtë të diel.

Të drejtë vote kanë patur mbi 32 mijë qytetarë, ndërsa pjesëmarrja në votime ka qenë më e lartë se në zgjedhjet e 14 majit.

Që në orët e para të mëngjesit janë raportuar incidente, pasi në disa qendra votimi komisionerët u vonuan.

Më pas, në qendrën e votimit nr.22-23 u ndërpre procesi i votimit, pasi u kap një rast i fotografimit të votës. Pasi çështja u hodh në procesverbal, pas disa minutash procesi u rikthye në normalitet.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka shpërndarë në rrjetin social Facebook, mesazhin e një qytetari i cili tregon se është kërcënuar në lidhje me votimin në Rrogozhinë.

Ylber Çekini tregon se së bashku me bashkëshorten i janë drejtuar kutive të votimit, dhe pas procedurës është kërcënuar nga një punonjës i bashkisë, i cili me anë të presionit ia ka bërë të qartë se duhej që të votonte për Edison Memollën, ndryshe pasojat do të jenë më pas.

Po ashtu, nënkryetarja e KQZ-së Lealba Pelinku tha se është vënë re prezencën e personave të paautorizuar pranë qendrave të votimit. Ndërsa vetë kryetari i KQZ-së deklaroi për mediat se çdo rast i fotografimit të votës do përballet me ligjin.

Zgjedhjet u ripërsëritën pas kontestimit të zgjedhjeve nga opozita.

Kujtojmë se në zgjedhjet lokale të 14 majit, në bashkinë Rrogozhinë triumfoi socialisti Edison Memolla me 21 vota diferencë nga kandidati i koalicionit ‘Bashkë Fitojmë’, Shkëlqim Hoxha.

Rezultati në këtë bashki u kontestua nga koalicioni “Bashkë fitojmë”, pasi sipas tyre pati shkelje gjatë procesit të numërimit, ndërsa diferencën mes dy kandidatëve e bëri kutia e burgut, e cila sipas tyre nuk duhej të numërohej.

 

Të fundit