Flash News

E-TJERA

Mbyllja e TikTok, opozita në “The Telegraph”: Akt i pastër elektoral për të shtypur liritë

Mbyllja e TikTok, opozita në “The Telegraph”: Akt i pastër

Vendimi i qeverisë shqiptare për të mbyllur për një vit TikTok në të gjithë Shqipërinë, mori jehonë në mediat e huaja. Në Shqipëri, vendimi shihet me skepticizëm si një masë që nuk do t’i japë fund as dhunës e as bullizmit.

“Për një vit, ne do ta mbyllim plotësisht atë për të gjithë. Nuk do të ketë TikTok në Shqipëri”, tha zoti Rama pas takimit me grupet e prindërve dhe mësuesit.

Ndalimi i pari i këtij lloji në Evropë, shkruan ‘The Telegraph’, u nxit nga vdekja e Martin Canit, nxënësi 14-vjeçar i cili u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë.

Pamjet e autorit të dyshuar të plagosur dhe arma e krimit, u publikuan në Snapchat nga vetë ai. Dyshime pati se konflikti mes dy të miturve kishte nisur në rrjete sociale, Nuk është ende e qartë nëse argumenti filloi në TikTok. Por Rama ka argumentuar se fajin e ka platforma e mediave sociale me bazë në Kinë, duke e etiketuar atë "rrugaçi i lagjes".

“Problemi sot nuk janë fëmijët tanë, problemi sot jemi ne, problemi sot është shoqëria jonë, problemi sot është TikTok dhe gjithë të tjerët që po i marrin fëmijët tanë peng”, tha Rama.

Opozita e sheh këtë lëvizje të Ramës si një akt të pastër elektoral.

Ina Zhupa, nga Partia Demokratike, tha: “Vendimi diktatorial për mbylljen e platformës së mediave sociale TikTok është një akt i rëndë kundër lirisë së fjalës dhe demokracisë. Është një akt i pastër elektoral dhe abuzim me pushtetin për të shtypur liritë”.

TikTok tashmë është i ndaluar në disa vende anembanë botës, përfshirë Indinë – ku u shpall i jashtëligjshëm në vitin 2020 – Irani, Nepali, Afganistani dhe Somali.

Australia kohët e fundit miratoi ligjin më të rreptë në botë për mediat sociale, që ndalon fëmijët nën 16 vjeç të përdorin çdo platformë të tillë, ndërsa në Francë fëmijët nuk lejohen të përdorin mediat sociale deri në moshën 15 vjeç, përveç nëse kanë lejen e prindërve.

SHBA po lëviz për të ndaluar TikTok nëse nuk shitet nga ByteDance, kompania e saj mëmë kineze, deri më 19 janar.

Të fundit