Flash News

E-TJERA

Më 10 shkurt votohen ndryshimet kushtetuese për vetting-un, PS 'kërkon' votat e opozitës

Më 10 shkurt votohen ndryshimet kushtetuese për vetting-un, PS

Kuvendi do të votojë ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e mandateve për organet e vetting, në seancën plenare të 10 shkurtit.

Kërkesa u propozua nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, dhe u miratua sot në Kuvend.

“Ndryshimet kushtetuese janë të tilla, që afatet janë të përcaktuara me shumë rigorozitet nga ana e vet Kushtetutës. Asnjëri prej nesh në këtë sallë nuk mund t’i shmanget detyrimit që vendos rregullorja, që ndryshimet e kaluara në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Legjislacionit, kanë një afat 14-21 ditor. Kjo hapësirë mes datës 10 shkurt dhe 17 shkurt është hapësira e vetme që ka lënë rregullorja. Nuk na ka lënë rregullorja asnjë hapësirë për të negociuar apo interpretuar, jemi të detyruar ta fusim në datën 10”, tha Balla.

Balla i ka bërë thirrje deputetëve demokratë t’i bashkohen miratimit të ndryshimeve kushtetuese, duke lënë mënjanë qëndrimin politik.

“Unë do të ftoja kolegët e PD që të kuptojmë rëndësinë e përmbylljes së këtij procesi. Nuk është një proces që duhet politizuar apo që duhet bërë pjesë e agjendave të tjera të forcave të tjera politike në Kuvend. Nuk janë propozimet e PS, por janë nevoja që ka Shqipëria për të çuar përpara këtë proces”, u shpreh Balla.

Për Enkelejd Alibeajn, në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, procedurat e deritanishme që lidhen me ndryshimet kushtetuese për zgjatjen e vettingut, janë bërë në mënyrë të njëanshme nga maxhoranca.

Alibeaj u shpreh se ndërhyrjet në Kushtetutë duhet të jenë sa më të pakta.

“I gjithë procesi i zhvilluar deri tani është i njëanshëm. I gjithë procesi për ndërhyrjen në Kushtetutë ka qenë i njëanshëm. Kushtetuta është akti, ku duhet të ndërhyhet sa më pak. Procedurat për të gjitha iniciativat parlamentare për ndërhyrjet në Kushtetutë duhet të jenë të harmonizuara. Kam dhe një kërkesë tjetër, që nuk ka lidhje me këtë çështje. Bëhet fjalë për një kërkesë tonën që është depozituar që në dhjetor, me veprimtarinë dhe ecurinë e komisionit hetimor për inceneratorët”, tha Alibeaj.

Të fundit