Flash News

E-TJERA

Me masa të rrepta sigurie, Veliaj lë qelinë e Durrësit dhe niset drejt Tiranës

Me masa të rrepta sigurie, Veliaj lë qelinë e Durrësit dhe

Ish kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka lënë ambientet e qelisë në burgun e Durrësit dhe është nisur drejt Tiranës, ku do të marrë pjesë në seancën në Gjykatën Kushtetuese ku do të shqyrtohet ankimi i tij për shkarkimin nga detyra.

I shoqëruar në masa të rrepta sigurie ai ka lënë ambientet e paraburgimit në Durrës dhe është nisur drejt Tiranës për të marrë pjesë në seancë në GJK.

Në seancën publike të Gjykatës Kushtetuese, do të shqyrtohet ankimi i tij kundër vendimit të qeverisë për ta shkarkuar nga detyra.

Gjykata Kushtetuese i ka dërguar më 9 tetor një njoftim zyrtar Veliajt, duke i kërkuar të deklarojë nëse dëshironte të merrte pjesë personalisht në seancë.

Katër ditë më vonë, gjykata informoi edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike, duke kërkuar marrjen e masave të nevojshme për pjesëmarrjen e mundshme të tij.

Ankimi i Veliajt është depozituar më 25 shtator, duke kundërshtuar vendimin e qeverisë që formalizoi shkarkimin e tij, një vendim i propozuar fillimisht nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Pas këtij zhvillimi, më 1 tetor, Presidenti Bajram Begaj dekretoi mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme për kryebashkiakun e Tiranës, por ky dekret u pezullua përkohësisht nga Gjykata Kushtetuese, në pritje të vendimit përfundimtar mbi çështjen e shkarkimit.

Seanca e sotme shënon daljen e parë publike të Veliajt që prej 10 shkurtit, datë në të cilën ai u arrestua me urdhër të Gjykatës së Posaçme, pas kërkesës së SPAK, për akuzat e korrupsionit të kryer në disa episode në bashkëpunim.

 

 

Të fundit