Flash News

E-TJERA

“Më rrezikohet jeta”, zbardhet vendimi i Gjykatës së Lartë pse refuzoi lirimin e Saimir Tahirit

“Më rrezikohet jeta”, zbardhet vendimi i Gjykatës së

Gjykata e Lartë rrëzoi në prill të këtij viti kërkesën e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për lirimin nga qelia.

Tahiri i kërkonte gjykatës ta nxirrte nga qelia me pretendimin se për shkak të funksionit që kishte mbajtur i rrezikohej jeta në burg dhe se familjarët e tij ishin të ekspozuar ndaj eksponentëve të botës së krimit.

Në vendimin e Gjykatës së Lartë, të zbardhur nga A2 CNN, Kolegji Penal i përbërë nga gjyqtarët Ilir Panda, Medi Bici e Sandër Simoni arsyetonin se ish-ministri nuk kishte paraqitur asnjë dokumentacion për të provuar pretendimet e tij.

Në rastin në shqyrtim nuk rezulton që të ketë asnjë indicie që kërkuesi të mund të bëhet objekt i personazheve të krimit që ndodhen duke kryer dënimin në IEVP Fier dhe nuk ka po ashtu asnjë indicie që vuajtja e menjëhershme e dënimit me burgim e të dënuarit Saimir Tahiri, mund të pasjellë pasoja të rënda për vetë të dënuarin, si dhe për familjen e tij”, thuhet në vendim.

Kolegji Penal vlerësonte më tej se nuk mjafton vetëm evidentimi i problematikave, apo i mundësive hipotetike për pasojat që mund të ketë Tahiri apo familjarët e tij, por është e domosdoshme, që rreziku të jetë real dhe i bazuar.

“Për periudhën që është në burg, nuk rezulton që të ketë asnjë ankim nga kërkuesi Saimir Tahiri, referuar personave të caktuar, të cilët janë personazhe të krimit dhe që aktualisht ndodhen duke kryer dënimin në IEVP Fier, siç pretendon kërkuesi në kërkesë, të cilët me veprimet e tyre, të jenë bërë shkak për rrezikimin e integritetit fizik të kërkuesit”, sqarohet në vendimin e gjykatës.

Në datën 4 shkurt, Gjykata e Posaçme la në fuqi vendimin e shkallës së parë për ish-ministrin, me ndryshimin që Tahiri do të vuaj në burg dënimin me 5 vite heqje lirie. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Tahiri do të vuajë 3 vite e 4 muaj për “Shpërdorim detyre”, nga GJKKO dhe aktualisht ndodhet në qeli.

Të fundit