E-TJERA

Mediat greke: Rama dhe Mitsotakis u takuan në Bruksel, ranë dakord të shpejtojnë negociatat për çështjen e detit

Mediat greke: Rama dhe Mitsotakis u takuan në Bruksel, ranë dakord

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis u takua me Kryeministrat e Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar Edi Rama dhe Boris Johnson para fillimit të Samitit të NATO-s në Bruksel, raportojnë mediat greke.

Me Kryeministrin e Shqipërisë, Kryeministri Kyriakos Mitsotakis diskutoi marrëdhëniet dypalëshe, si dhe kursin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për të cilat Kryeministri Grek përsëriti mbështetjen e vendosur të Greqisë.

Të dy Kryeministrat ranë dakord që, pas zgjedhjeve në Shqipëri, të dy vendet janë të gatshme të shpejtojnë negociatat për përfundimin e një marrëveshje të përbashkët mbi referimin e demarkacionit të Zonave të tyre Detare në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë.

Edi Rama falënderoi Kryeministrin e Greqisë për shpërndarjen falas të 20,000 vaksinave, të cilat u shpërndanë sot në Shqipëri.

Kyriakos Mitsotakis përsëriti interesin e përhershëm dhe të qëndrueshëm të Greqisë për Minoritetin Kombëtar Grek si dhe në përparimin e Shqipërisë në fushat e të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit, të cilat janë ndër parakushtet që BE ka vendosur për Shqipërinë.

Kryeministri grek uroi Edi Ramën për zgjedhjen e Shqipërisë si një anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në dy vitet 2022-2023.

Të fundit