Flash News

E-TJERA

Meloni ul taksat për karburantet, Rama rrit çmimin/ Dy modele, një faturë për qytetarët

Meloni ul taksat për karburantet,  Rama rrit çmimin/ Dy modele,

Çmimi i karburanteve në vend vijon rritjen, duke arritur deri në 200 lekë për litër në disa pika furnizimi, ndërsa qytetarët përballen çdo ditë me një kosto gjithnjë e më të lartë jetese. Rritja lidhet me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare dhe tensionet në Lindjen e Mesme, por në vend mungojnë ende masa konkrete për të lehtësuar barrën fiskale.

Kryeministri Edi Rama, në një deklaratë një ditë më parë, u shpreh se “nuk duhet t’i hidhet e gjithë barra konsumatorit”, por njëkohësisht refuzoi kërkesën e Shoqatës së Shoqërive të Hidrokarbureve për uljen e taksës së qarkullimit. Sipas tij, një lëvizje e tillë nuk do të sillte përfitim real, pasi barra do të zhvendosej në forma të tjera taksimi për qytetarët.

“Po të hiqet nga çmimi i karburantit, do të shkojë diku tjetër dhe përdoruesit e mjeteve do të paguajnë më shumë, deri në 4 apo edhe 10-fish në disa raste”, argumentoi Rama, duke theksuar se nuk ka përdorues që do ta preferonte një skenar të tillë.

Ai shtoi gjithashtu se të ardhurat shtesë nga TVSH-ja mbi rritjen e çmimeve nuk do të shpërndahen për të gjithë qytetarët, por vetëm për një kategori të caktuar. “Ka vetëm një kategori që do të përfitojë më shumë dhe kjo është ajo e pensionistëve. Askush tjetër”, deklaroi kreu i qeverisë.

Në të njëjtën linjë, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj zhvilloi një bashkëbisedim me furnizuesit e naftës, ku përjashtoi mundësinë e ndryshimeve në strukturën e taksave.

Ajo theksoi se filozofia e qeverisë mbetet që “ai që konsumon më shumë, paguan më shumë”, duke argumentuar se taksimi për litër është një politikë e drejtë dhe e lidhur edhe me ndikimin mjedisor. Sipas saj, individët kanë mundësi të zgjedhin të konsumojnë më pak, ndërsa automjetet që përdoren më shumë dhe ndotin më tepër duhet të paguajnë proporcionalisht.

Ndërkohë, në vende të tjera europiane janë ndërmarrë masa konkrete për të zbutur krizën. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka ulur taksat e karburantit me 25 cent për litër, duke marrë një pjesë të barrës mbi shtetin.

Masa përfshin edhe mbështetje për sektorët më të prekur, si transporti rrugor dhe peshkimi, përmes lehtësirave tatimore.

Meloni ul taksat për karburantet,  Rama rrit çmimin/ Dy modele,

Po ashtu, qeveria italiane ka vendosur kontrolle të rrepta në treg për të parandaluar spekulimet dhe abuzimet me çmimet.

Dekreti do të jetë në fuqi për 20 ditë, derisa të shihet situata në tregjet ndërkombëtare të energjisë dhe ndikimi i luftës në Iran.

Ekspertët vlerësojnë se Shqipëria ka hapësirë për politika lehtësuese, por deri tani qeveria ka zgjedhur të mos ndërhyjë në taksa.

Në këto kushte, rritja e çmimeve po përkthehet drejtpërdrejt në kosto më të lartë për qytetarët dhe bizneset, duke shtuar presionin mbi ekonominë familjare./ Politiko.al

Të fundit