Flash News

E-TJERA

Menaxhimi i Covid-19, KLSH ‘kritikon’ qeverinë: Jofunksional! Laboratorët mjekësorë, kosto e lartë për qytetarët

Menaxhimi i Covid-19, KLSH ‘kritikon’ qeverinë: Jofunksional!

Kontrolli i Lartë i Shtetit ushtroi një auditim me temë “Efektiviteti i menaxhimit të situatës pandemike Covid-19” mbi institucionet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë, si dhe në Institutin e Shëndetit Publik.

Në auditim, KLSH ka paraqitur përveç gjetjeve në këto institucione edhe rekomandimet përkatëse për secilën nga ministritë. KLSH ka hasur problematika në angazhimin dhe bashkëpunimin e institucioneve të kujdesit shëndetësor.

“Në mungesë të koordinimit të Planit Operacional me Planin Kombëtar për Emergjencat Civile, angazhimi dhe veprimi i organizuar për mbrojtjen e jetës së njerëzve përballimi i situatës pati mjaft problematika, të cilat janë evidentuar dhe në raport. Pavarësisht se Ligji Nr. 15/2016 “Për parandalimin dhe luftimin e infeksioneve dhe sëmundjeve infektive” është përafruar pjesërisht me vendimet e Parlamentit Evropian dhe Këshillit, në menaxhimin e situatës së pandemisë gjatë periudhës në auditim 2020-2021, nuk ishte shumë funksional. Mospërfshirja e OSHKSH-së në bazën ligjore si edhe mosnxjerrja në kohë e akteve rregullatore, ka ulur efektivitetin e veprimtarisë së saj në shërbim të qytetarëve gjë e cila u vu re në, angazhimin e vonshëm të mjekëve të familjes, gjendjen e infrastrukturës spitalore, kapacitetet mjekësore etj,” thuhet në auditin e KLSH-së.

Sipas KLSH, laboratorët mjekësorë nuk kanë qenë në dispozicion të qytetarëve, çka ndikoi edhe në rritjen e numrit të pacientëve që kuroheshin me antibiotik ende pa u konfirmuar pozitiv me Covid-19.

“Organizimi dhe funksionimi i laboratorëve mjekësorë me një rregullore të parishikuar, e cila nuk u përgjigjej ndryshimeve ligjore të mëvonshme, në shumë procese të menaxhimit të tyre ka bërë që në periudhën objekt auditimi të mos ishin funksionalë dhe në shërbim të qytetarëve për mbrojtjen e jetës së tyre. Si pasojë u rrit, si numri i pacientëve që trajtoheshin me antibiotikë pa u konfirmuar të infektuar me COVID-19, ashtu edhe i atyre që filluan trajtimin vonë në pritje të rezultateve të testit,” citon KLSH.

Sa i përket menaxhimit përmes planeve në aspektin ekonomik, KLSH konstaton se nuk është ngritur një grup ekspertësh dhe masat nuk janë bazuar mbi studime.

“Të ndodhur përballë faktit se për të gjithë kjo është një situatë e pa njohur më parë, nga ana ekonomike menaxhimi i pandemisë COVID-19 është kryer pa patur asnjë studim apo analizim. Nuk është ngrit asnjë grup ekspertësh që të marr vendime mbi menaxhimin apo hapat që duhen ndjekur, gjatë gjithë periudhës është operuar rast pas rasti por pa patur asnjë plan orientues,” shton më tej KLSH.

 

Të fundit