Flash News

E-TJERA

Merrte ryshfet dhe lejonte ndërtimet pa leje, arrestohet inspektori i policisë së Tiranës

Merrte ryshfet dhe lejonte ndërtimet pa leje, arrestohet inspektori i
Foto Ilustruese

SHÇBA ka vënë në pranga inspektorin e policisë së Tiranës për shpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti.

Inspektori L.V., 47 vjeç u arrestua për veprat penale të “Shpërdorimit të Detyrës” dhe “Korrupsionit Pasiv”, pas kallëzimit të një qytetari.

Sipas njoftimit të policisë, inspektori merrte shuma monetare në mënyrë të paligjshme për të mos lejuar strukturat e policisë të ndërmerrnin veprime për ndërprerjen e ndërtimeve pa leje.

“Tiranë - Drejtoria Rajonale e Shërbimit për Çështjet e Brendshme Tiranë në bashkëpunim me strukturat e luftës kundër korrupsionit në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, bazuar në kallëzimin e shtetasit E.B., në datë 25 gusht 2021, ndaloi Inspektor L.V., 47 vjeç, me detyrë Nd/Specialist i Policisë Kriminale pranë Komisariatit të Policisë Nr. 6 në Tiranë, për veprat penale të “Shpërdorimit të Detyrës” dhe “Korrupsionit Pasiv”, parashikuar nga nenet 248 dhe 259 të Kodit Penal.

Mbeshtetur në faktet dhe provat e administruara gjatë hetimeve paraprake të zhvilluara, punonjësi i Policisë, L.V., gjatë një periudhe kohore të vazhdueshme, ka kryer veprime aktive, në shpërdorim të funksionit të tij organik, duke kërkuar dhe marrë shuma monetare të paligjshme, në këmbim të premtimit për mosveprimin e strukturave policore për ndërprerjen e paligjshmërisë në fushën e ndërtimeve pa leje.

Vazhdon puna investigative dhe procedurale në lidhje me dokumentimin, sqarimin e pozitës së tij, si dhe identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë veprimtari.

Materialet procedurale në lidhje me veprimtarinë kriminale të kryer nga shtetasi i ndaluar i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë.

Duke marre shkas nga ky rast, Ministria e Brendshme, Policia e Shtetit dhe SHÇBA, shpreh mirënjohje ndaj gjithë qytetarëve që kanë ofruar bashkëpunimin për evidentimin e goditjen e paligjshmërive, si dhe mbeten të gatshme në çdo kohë të mirëpresin kallëzimet apo denoncimet e qytetarëve për rastet korruptive që mund të kryhen nga punonjës të veçantë të policisë gjatë ushtrimit të detyrës”, thuhet në njoftimin e policisë.

 

Të fundit