Flash News

E-TJERA

Mësuesi në Maliq ndërroi jetë, xhaxhai: Nuk e lanë të punonte në qytetin e lindjes se ishte demokrat

Mësuesi në Maliq ndërroi jetë, xhaxhai: Nuk e lanë

Alban Bejleri, mësuesi në fshatin Marjan të Maliqit, ndërroi jetë pas një arresti kardiak. Bejleri, pas procesit mësimor, rrugës për tek makina mësuesi dyshohet se ka pësuar infarkt dhe ka ndërruar jetë.

Xhaxhai i tij, Besim Bejleri tregoi se Albani bënte rreth 7-8 kilometra rrugë për të shkuar në punë. Sipas tij, Albani nuk mundi dot të punonte në vendin e lindjes pavarësisht shkollimit, sepse ishte demokrat.

Ai i bëri thirrje politikës të tregohet e kujdesshme e të mos tallet me shëndetin e njerëzve.

“Nga farefisi ynë jemi 17 mësues, por ai ishte i veçantë, fjalëpak, punëtor dhe besimtar. Ishte kontribuues ndaj fëmijëve. Politika të pushon dhe të ngre, ju i dini këto punë. Ai nuk ishte në punë atëherë, kur e rikthyen në punë, e çuan në zonën e Maliqit, në një zonë të thellë. Kishte kërkuar ta sillnin në Devoll, por ja, e sollën tani.

Ai vdiq në mes të rrugës dhe la një amanet të madh. U bëj thirrje për të gjithë politikanët, të çdo krahu, që personat e sëmurë duhet të jenë pranë familjes. Kujdes, o politikanë, mos u tallni me shëndetin e të tjerëve, mendoni për këta njerëz, për edukatorët. Ishte njeri me dy universitete dhe kishte qenë pa punë. Kishte 5-6 vite në punë. Ai nuk ankohej kurrë, përshkonte rreth 7 km për të shkuar dhe për t’u kthyer nga shkolla. Shkonte vetëm për dy nxënës”, tha xhaxhai i mësuesit të ndjerë.

Të fundit