Flash News

E-TJERA

Meta akuza të forta ndaj Ramës: Vrasja në Elbasan, plagosja në Kavajë u provokuan nga ai. Tensionoi 25 Prillin

Meta akuza të forta ndaj Ramës: Vrasja në Elbasan, plagosja

Presidenti Ilir Meta ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e konsideruar burimin kryesor të tensioneve që u krijuan para zgjedhjeve të 25 Prillit.

Në një intervistë për Apollon Tv, Meta u shpreh se edhe vrasja e Pjerin Ndreut në Elbasan, plagosja në Kavajë dhe incidente të tjera, u provokuan prej tij.

“Detyra ime është të mbroj Kushtetutën, pluralizmin politik dhe rendin kushtetues në situatat më të vështira. Burimi i tensioneve para 25 prillit është Edi Rama. Vrasja në Elbasan, plagosja në Kavajë dhe incidentet e tjera u provokuan prej tij. Regjimi fashist kërkonte gjakderdhje dhe tensione më 25 prill, bëra gjithçka munda për ta ndalur. Në mbrojtje të votës, për t’iu kundërvënë frikësimit të qytetarëve shqiptarë nga ana e Qeverisë dhe e bandave të organizuara të partisë në pushtet”, deklaroi Meta.

Meta foli edhe për ndërhyrjen e tij në zyrat e FRD-së në Tiranë duke u shprehur se presidenti nuk mund të rrijë pasiv në kushtet kur një parti politike sulmohet dhe dhunohet në mënyrë të paligjshme.

“Thonë pse shkoi Presidenti te selia e një partie politike (FRD) në Tiranë?! Rendi ynë kushtetues bazohet në pluralizmin politik. Të sulmosh e të dhunosh në mënyrë të paligjshme selinë e një partie politike në mes të Tiranës, dhe ky konflikt mediatizohet kudo dhe Presidenti të jetë 100 metra larg selisë dhe të mos shkojë të shikojë në vendngjarje se çfarë po ndodh, kur sapo ka nisur fushata zgjedhore si dhe kur kjo gjë bëhet qëllimisht se vetëm kjo parti politike u regjistrua në koalicionin me opozitën, ky është faji i Presidentit…? Presidenti duhet të rrijë pasiv në situata të tilla? Të shohë se si ushtrohet dhunë nga shteti kundër një force politike të ligjshme? Se si synohet të nxirret me dhunë një parti politike pa vendim gjykate, në shkelje të të gjitha ligjeve të Republikës së Shqipërisë? Nuk është Presidenti shkaktar i dhunës!”, shtoi Meta.

 

Të fundit