Flash News

E-TJERA

Meta kthen në Kuvend ligjin “Për të huajt”: Shqipëria rrezikon fluks të lartë kërkesash nga shtetas të vendeve të treta

Meta kthen në Kuvend ligjin “Për të huajt”:

Presidenti Ilir Meta ka kthyer në Kuvend ligjin “Për të huajt”. Kreu i Shtetit vlerëson se kjo nismë ligjore duhet të ndërmerret përmes një procesi sa më të gjerë konsultimi midis shumicës qeverisëse, opozitës, shoqërisë civile dhe organizatave ndërkombëtare.

Në argumentimin që Meta i ka bërë kthimit për rishqyrtim të ligjit, evidenton se Shqipëria rrezikon të përballet me një fluks të lartë të kërkesave të detyrueshme për pranim nga shtetas të ndryshëm të vendeve të treta.

Ai thotë se ky fluks është përtej kapaciteteve që Shqipëria ka dhe që mund të përballojë.

Presidenti ngre pyetjen se nëse Shqipëria nuk po ofron mundësi punësimi, mirëqënie, stabilitet, siguri dhe garanci për shtetasit e saj, si do të mundet t'i ofrojë këto për të huajt në një masë të gjerë.

Ai thekson se masa pranimi kaq të gjera të shtetasve të huaj, përmes kritereve të lehtësuara, mund të ndërmerren vetëm pasi të analizohen pasojat e një politikë të tillë shtetërore.

Sipas Metës, qeveria po tenton të plotësojë boshllëqet që po krijon largimi masiv i shqiptarëve me shtetas të huaj, duke u fokusuar më shumë tek fuqia punëtore.

Kreu i Shtetit nënvizon se shpopullimi është drama më e madhe, që po i ndodh vendit, ndërsa bën thirrje që ky fenomen të frenohet sa më parë.

Duke vënë theksin të pasojat katastrofike të këtij fenomenti, Meta thotë se qeveria nuk ka një strategji se si do të duhet t`i përgjigjet me masa konkrete largimit të shqiptarëve nga vendi.

Të fundit