Flash News

E-TJERA

Meta takon Radev në Bullgari: Të çelen sa më parë negociatat me Shqipërinë dhe RMV, Kosova meriton liberalizimin e vizave

Meta takon Radev në Bullgari: Të çelen sa më parë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta po zhvillon një vizitë zyrtare në Bullgari me ftesë të homologut të Tij,  Rumen Radev.

 “Kjo vizitë është një tregues i qartë i partneritetit tonë dhe trendit pozitiv të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të shkëlqyer dypalësh, mes dy vendeve dhe popujve, si dhe një dëshmi e mëtejshme e angazhimit serioz të Bullgarisë në procesin integrues të Shqipërisë. Të dy vendet kanë një marrëdhënie të veçantë tradicionale, historike, kulturore dhe ekonomike.” – vuri në dukje Presidenti Meta.

Po ashtu, Meta apeloi që të çelen sa më parë negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ndërsa për Kosovën tha se meriton liberalizimin sa më parë të vizave.  

“Kemi kaluar kohë të vështira, për shkak të pandemisë, që ende nuk ka përfunduar dhe për shkak të zhvillimeve të papritura që kanë ndodhur, sikurse është për fat të keq, agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës.

Ndaj, është me shumë rëndësi të intensifikojmë më tej bashkëpunimin dhe dialogun me njëri-tjetrin, si dhe të forcojmë partneritetin dhe solidaritetin tonë, si asnjëherë tjetër.

Jam krenar që bashkëpunimi me ju, bashkëpunimi midis qeverive dhe autoriteteve tona, është shumë i ngushtë në të gjitha drejtimet, veçanërisht në drejtimin e sigurisë, përfshi në kuadër të nismave të përbashkëta dhe angazhimeve shtesë që kemi marrë në kuadër të Aleancës.

Përshëndesim të gjitha përpjekjet që vendi juaj bën, si një vend shumë i rëndësishëm i NATO-s. Ne jemi më pranë Bullgarisë si asnjëherë tjetër, edhe në këtë aspekt.

Natyrisht, që përveç problemit të sigurisë, kemi dhe rrezikun që i kanoset sistemit të vlerave tona, të vlerave të paqes, të bashkëjetesës dhe të demokracisë, që ndajmë si anëtarë në NATO-s, por edhe si dy vende partnere, njëri anëtar i BE-së dhe Shqipëria si vend që dëshiron të anëtarësohet sa më parë në Bashkimin Europian.

Sikundër edhe ju u shprehët me të drejtë, ne jemi në mbështetje të plotë të sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës, dënojmë krimet barbare me të cilat jemi njohur të gjithë, dhe për të cilat kërkohet hetim ndërkombëtar dhe jemi për një ndërprerje të menjëhershme të këtij  agresioni, por dhe për zgjidhjen e të gjitha çështjeve, përmes dialogut dhe  marrëveshjes.

Njëkohësisht jemi më të angazhuar se kurrë, për të treguar përkushtimin tonë, ndaj demokracisë dhe ndaj perspektivës më të fortë europiane dhe euro-atlantike të kontinentit tonë.

Në këtë drejtim, stabiliteti dhe perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor, është shumë e rëndësishme për ne, por jam i sigurt është shumë e rëndësishme edhe për Bashkimin Europian dhe për vetë Bullgarinë, si vend anëtar i BE-së, që ka qenë i angazhuar për progresin e të gjithë rajonit tonë.

Në mënyrë që të japim mesazhe optimiste, për vazhdimësinë e projektit të zgjerimit të Bashkimit Europian, do të donim shumë dhe do të bënim çdo përpjekje, për miratimin e kuadrit negociator për Shqipërinë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut nga ana e Bashkimit Evropian, sa më parë.

Unë, falënderoj Presidentin Radev dhe Qeverinë e Bullgarisë, për mbështetjen që i japin perspektivës së Shqipërisë.

Besoj, se do të shtojmë të gjitha përpjekjet, që të kemi një moment pozitiv për zgjerimin dhe për Shqipërinë, dhe për Maqedoninë e Veriut sa më parë, që të jetë e mundur.

Ashtu sikurse është shumë i rëndësishëm, vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, nga ana e Bashkimit Europian.

Këto do të ishin qasje shumë të dobishme, strategjike të BE-së, për të dhënë mesazhe premtuese, për të gjithë popujt e Ballkanit Perëndimor, dhe  të gjithë ata, të cilët dëshirojnë t’i bashkohen këtij projekti në të ardhmen. Në radhë të parë si projekt lirie, demokracie dhe paqeje”, tha Meta.

 

 

 

Të fundit