Flash News

E-TJERA

Meta vlerëson me dekoratën “Nderi i Kombit” Ndriçim Kullën, i pranishëm edhe Berisha

Meta vlerëson me dekoratën “Nderi i Kombit” Ndriçim

Presidenti i Republikës, Meta çmoi sot me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit” studiuesin dhe publicistin Ndriçim Kulla: “Në vlerësim të kontributit të tij si studiues, krijues, publicist dhe botues, duke shpalosur vlerat më të spikatura kulturore, letrare dhe shkencore me rëndësi kombëtare.

Me mirënjohje për arritjet e shquara në paraqitjen dhe botimin e veprave të dijetarëve të elitës letrare dhe filozofike të mendimit shqiptar, duke u shndërruar në një shembull unik të qëndresës dhe forcës së karakterit ndaj diktaturës, si dhe të talentit dhe përkushtimit në shërbim të demokracisë e kulturës kombëtare.”

Në ceremoninë solemne të dekorimit, ku merrnin pjesë ish-kryeministri Prof.Dr. Sali Berisha, Profesori i Shkencave të Filozofisë Gjergj Sinani,  Profesor Doktor Josif Papagjoni, shkrimtarja  Nadire Buzo, studiues, akademikë, politikanë dhe intelektualë, Presidenti Meta u shpreh:

“Jam shumë i gëzuar të jemi sot së bashkë në këtë ceremoni për të vlerësuar një intelektual të mirënjohur zotin Ndriçim Kulla, një ndër  personalitetet aktualë më të spikatur të kulturës dhe botimit të letrave shqipe”.

 Krahas veprimtarisë botuese, Kulla është autor i 36 librave në gjini të ndryshme të cilat janë një kontribut me vlerë për kulturën dhe shkencën shqiptare.

Në veprat e tij, ai ka kombinuar punën kërkimore, me qëllim evidentimin e veprës së kolosëve të mendimit shqiptar, me punën e tij krijuese.

Studimet dhe librat që kanë autorësinë e tij janë një prurje e veçantë në kulturën e botimeve shqiptare.

Janë të njohura veprat e tij si ‘Historia e mendimit shqiptar’, ‘Kush jemi ne shqiptarët’, ‘Enciklopedia Antologjike e Mendimit Shqiptar’ në tre vëllime voluminoze, ‘Antologjia e Mendimit Shqiptar’, ‘Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane’, ‘Neoshqiptarizma një model i braktisur’, ‘Biografi e Ismail  Kadaresë - nga koha e diktaturës deri në ditët e sotme’, ‘Ylli i Shkrimtarit’ dhe vepra të tjera.

Të fundit