E-TJERA

Metalet e rënda në lumin Drin, shkaktarë të sëmundjeve kanceroze

Metalet e rënda në lumin Drin, shkaktarë të sëmundjeve

“Në fshatin Nimç ka patur mbi 10 galeri që shfrytëzoheshin në kohën e Komunizmit për nxjerrjen dhe përpunimin e uraniumit. Kanë punuar familjarët e mi, xhaxhallarët e mi, xhaxhallarët e babait, të cilët të gjithë kanë vdekur nga kanceri”, tregon 31-vjeçari me iniciale K.Gj, banor i fshatit Nimç të Kukësit, gjatë kohës që kimisti Drini Laraku po merrte një mostër uji për analizim në përroin e Nimçës, për të parë prezencën e metaleve të rënda në këtë rrjedhë lumore që bashkohet me lumin e Lumës dhe më pas me lumin Drin.

Ai tregon për gazetarin Freard Rista, se në kohën e Komunizmit ka patur shumë të punësuar në ato galeri uraniumi, ka patur humbje jete, ndërsa edhe sot banorët e fshatit vuajnë pasojat e atyre galerive, të cilat prej vitesh janë jashtë funksionit. 

“Ka patur goxha të punësuar. Ka patur edhe humbje jete në ato galeri. Ka shumë fshatarë apo kushërinj tanë që vuajnë edhe sot nga efektet anësore të uraniumit. Ndotje ka ende, toka, uji, ajri, të gjitha kanë përmbajtje uraniumi. Uji përdoret për pirje, përdoret për larje, për ujitjen e arave, të mbjellave, përdoret për jetën e përditshme, pasi nuk kemi mundësi ne ta blejmë ujin me lekë, se bën 120 lekë (1.4 euro) një bidon 10L., dhe nuk kemi leverdi, se aq të ardhura kemi”.

I përlotur, 31-vjeçari tregon se ka humbur nga kanceri shumë familjarë në moshë të re, si pasojë e ekspozimit të tyre me uraniumin, prezent në ujë, tokë dhe ajër.

“Në familjen time kanë vdekur diku te 5 persona. Kemi xhaxhallarët e gjyshit, dhe gjyshi, të gjithë kanë ndërruar jetë nga kanceri. I kemi qendruar afër, jemi trishtuar, dhimbja për një të afërt kur e sheh në atë gjendje. Kemi patur xhaxhain e babit që ndërroi jetë nga kanceri që e mbaj mend më shumë, e kam në kujtesën time, atij i kishin rënë flokët…efektet e kancerit, vuajtje, dhimbje…”.

Një histori rrëqethëse kjo, e cila do të marrë vëmendjen tonë në muajt në vijim, për të bërë një vëzhgim dhe analizim më të mirë të situatës dhe prezencës së uraniumit në këtë fshat, duke e lënë mënjanë, për të vetmen arsye, se uraniumi është lëndë radioaktive dhe jo çdo laborator disponon licensa për matjen e uraniumit. Por a është vetëm uraniumi vdekjeprurës për njeriun? Jo.

Metalet e rënda, shkaktarë “të heshtur“ të sëmundjeve kanceroze

“Njeriu duke qenë me një trashëgimi pozitive në sistemin nervor apo qarkullimin e gjakut, për shkak të mikroelementëve dhe metaleve të rënda, mund t’i shkaktohen depresion, një sëmundje nervore e caktuar, sëmundje tretjeje të caktuara. Për shkak të një faktori të jashtëm i ndryshon geni. Merr sëmundje të nivelit kanceroz”, ngre alarmin Prof. Dr. Sazan Guri, gjatë intervistës lidhur me prezencën e metaleve të rënda në lumin Drin, si dhe efektet negative që kanë këto metale te flora, fauna dhe njeriu.

Në Shqipëri, veç sëmundjeve gjenetike apo rënies së normës së fertilitetit (shkaktuar nga shumë faktorë), disa nga sëmundjet më të përhapura janë anemia, hipertensioni, çrregullimet e funksionit të mëlçisë dhe veshkave, çrregullimet gastrointensinale, por edhe çrregullimet e shëndetit mendor. Nga viti 2008 deri në vitin 2018 në Shqipëri, anemia te fëmijët e moshës 3 muajsh deri në 5 vjeç është rritur nga 17% në 25%, sipas një publikimi të Institutit të Shëndetit Publik dhe INSTAT. Sa i takon fertilitetit, nga të dhënat e INSTAT vërehet se gjatë vitit 2022 norma në rang kombëtar ra në 1.21 fëmijë/grua në moshë riprodhimi, nga 1.32 që ishte në 2021. Nëse flasim për hipertensionin, referuar të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), kjo sëmundje konsiderohet si vrasësi i parë në botë dhe në Shqipëri është një nga sëmundjet më të përhapura. Hipertensioni quhet shpesh edhe “vrasësi i heshtur” pasi nuk ka simptoma shumë specifike. Sipas të dhënave zyrtare të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, në listën e barnave të rimbursueshme, hipertensioni është sëmundja që rimbursohet më shumë për shqiptarët, plot 250 mijë pacientë. Hipertensioni është një nga anomalitë që ndikon më shumë në sëmundjet kardiovaskulare dhe në Shqipëri sipas raportit të OWD rezulton se 58 nga 100 vdekje janë si pasojë e sëmundjeve kardiovaskulare.

Dhe një nga faktorët e jashtëm më me ndikim në shfaqjen apo zhvillimin e këtyre sëmundjeve, është ekspozimi i njeriut me metalet e rënda. Bakri, plumbi dhe kadmiumi japin simptoma të çrregullimeve të mëlçisë, arseniku dhe plumbi ndikojnë në çrregullimet gastrointensinale, kadmiumi, mërkuri, plumbi, kromi, janë faktorë kryesorë në shfaqjen e problemeve me organin e veshkave te njeriu. Metalet e sipërpërmendura gjithashtu ndikojnë dhe në çrregullimet e shëndetit mendor, anemi, fertilitet dhe hipertension, ku plumbi ka ndikimin më të madh negativ. Një nga mënyrat e ekspozimit të njeriut me metalet e rënda vjen si pasojë e përdorimit të ujërave (lumenjve, deteve, liqeneve), por kryesisht duke e marrë nga ushqimet ujore. Prof. Dr. Sazan Guri e cilëson arsenikun si një nga helmuesit më të mëdhenj të njeriut, nga i cili duhet patur tepër kujdes, teksa paralelizon një episod të problematikave që ka shkaktuar ky metal i rëndë në shëndetin e britanikëve.

“TEC-et e Irlandës me qymyr, me naftë hidhnin arsenikun në det dhe thithej nga peshqit. Mjekët atëherë nuk e kuptonin dot se pse mëlçia apo veshka e një britaniku kishte arsenik. Ndërkohë që ata nuk e merrnin direkt nga ajri, por e merrnin nga uji i detit, nga peshqit e detit të cilët e përqendrojnë në pjesën e sipërme, kryesisht kafshët e përqendrojnë në pjesën e sipërme. Duhet bërë shumë kujdes, sidomos pranë TEC-eve, pranë fabrikave të çimentos, ose pranë atyre ku digjen mbetje”, shprehet ai. 

Burimet më të zakonshme të ekspozimit ndaj metaleve të rënda përfshijnë emetimet industriale nga xehroret, qymyri, inceneratorët e mbetjeve dhe shkrirja e metaleve, ndërsa në ushqime thithet kryesisht përmes peshqve apo ushqimeve të tjera të ujit. Kësisoj, analizimi i Lumit Drin si kampion, është mënyra më e mirë për të parë se në çfarë niveli është prezenca e metaleve të rënda në ujë apo tokë, shtuar dhe faktin e prezencës së ish-fabrikave dhe ish-uzinave të prodhimit dhe përpunimit të metaleve të rënda, pranë vendbanimeve dhe lumenjve, si në territorin e Kosovës gjatë regjimit të ish-Jugosllavisë ashtu dhe në territorin e Shqipërisë, të ndërtuara në kohën e diktaturës Komuniste. Lumi Drini i Bardhë është lumë që përshkon pjesën perëndimore të Kosovës, respektivisht Rrafshin e Dukagjinit. Ai buron rrëzë malit të Rusolisë nga gurra e shpellës së Radavcit, në 586 metra lartësi mbidetare, ku krijon edhe një ujëvarë të bukur para se të zbresë në rrafsh dhe bashkohet afër qytetit të Kukësit me Drinin e Zi, i cili buron nga Liqeni i Ohrit në Strugë dhe del nga territori i Maqedonisë së Veriut në afërsi të qytetit të Dibrës. Pranë qytetit të Kukësit të dy lumenjtë bashkohen duke formuar lumin Drin, që në antikitet njihej me emrin Drillon.

Territori i Kosovës

Pika e parë e kampionimit në territorin e Kosovës u mor më datë 6 shkurt 2025 në lumin Rimnik, në Xërxë të Rahovecit, pranë të cilit operon prej disa vitesh një kompani koncesionare, njëkohësisht servis automjetesh. Duke qenë se rrjedha e lumit Rimnik përfundon në lumin Drini i Bardhë, u mor një mostër uji për të parë nivelin e ndotjes nga metalet e rënda; a mund të ketë ndikuar kjo kompani dhe si ndikon e gjitha në lumin Drini i Bardhë, aty ku shkarkon lumi Rimnik? Në përfundim të analizave u vu re një përqindje e pranisë së hekurit më e lartë se e metaleve të tjera, ndërkohë që Prof. Dr. Sokol Abazi thekson se kjo prani, shtuar dhe atë të Nikelit, mund të lidhet me ekzistencën e aktiviteteve të ndryshme të biznesit, të hershme dhe aktuale. 

“Nga këto rezultate vihet re që ka një përqindje hekuri më të lartë se gjithë metalet e tjera, gjë që është normale natyrore dhe në natyrë gjendet me tepricë. Ka nikel, gjë e cila të lë të kuptosh që ka patur një farë aktiviteti minerar ose ka një farë ndotje nga ato biznese që mund të kenë patur krom, nikel, ose diçka të tillë. Ajo që bie në sy është vanadiumi, që është një metal që gjendet rrallë, por këtu gjendet. Ka dhe mangan, barium, që janë metale që janë prezentë në natyrë”, shpjegon ai.

Për profesoreshën Luljeta Ajdini, në këtë rrjedhë lumore nuk ka prani të atyre metaleve të rënda që konsiderohen tepër të rrezikshme për botën e gjallë, pavarësisht se niveli i hekurit, i cili shpjegohet nga aktiviteti i kompanisë dhe servisit të automjeteve aty pranë, është 40 herë më i lartë se norma e lejuar.

“Te lumi Rimnik nuk ka metale që rrezikojnë, siç është plumbi, zinku, kadiumi, në vlera aq të larta sa të rrezikojë botën e gjallë që jeton në lumë. Për arsye se rrezikimi i botës së gjallë do të ndikonte në pengimin e procesit të autobonifikimit të lumit. Dhe nëse gjenden sasi të mëdha të metaleve të rënda apo toksikantëve të tjerë kimikë, ato do të shkatërrohen dhe ne do t’i shndërrojmë lumenjtë në lumenj të vdekur pa botë të gjallë, dhe kjo rrezikon jo vetëm ujin, rrezikon tokën. Dhe duke rrezikuar tokën apo ajrin, rrezikon shëndetin tonë”.

Një tjetër pikë kampionimi ku u morën 2 mostra, ujë dhe sediment, më datë 24 shkurt 2025, është lumi Erenik, i cili rrjedh shumë pranë ish-fabrikës së elektromotorëve në hyrje të qytetit të Gjakovës, e cila sot është një godinë e braktisur. Për gazetaren Merita Miftari, një ish-punëtor i kësaj fabrike tregoi se gjatë kohës së Jugosllavisë, kur fabrika ishte funksionale, në vitet 1970 deri në vitet e para pas luftës, 2000-2001, ishin të punësuar rreth 1000 punëtorë. Ai sqaroi se në këtë fabrikë janë prodhuar elektromotorë, motorë për lavatriçe, kompresorë, të cilët eksportoheshin në vende të zhvilluara si Italia, Gjermania, Çekia dhe Danimarka. Ky punonjës bëri me dije se për prodhimin e tyre janë përdorur metale si bakri, alumini, çeliku, etj. Kjo është arsyeja se pse lumi Erenik është një “hot-spot” ku mund të shihen vërtet gjurmët që ka lënë aktiviteti i ish-fabrikës së elektromotorëve.

“Përsa i përket ujit ka pak a shumë një tipologji të njejtë. Hekuri është në përqindje pak më të lartë, por këtu ka përsëri krom dhe nikel. Dy metale të cilët shpeshherë shoqërojnë njeri-tjetrin. Ka gjithashtu mangan dhe barium. Nuk ka probleme me arsenikun ose me metale si plumbi, të cilat janë në nivele shumë të ulëta, nën zero”, shpjegon Prof. Dr. Sokol Abazi, i cili e konsideron shqetësuese praninë e hekurit në këtë lumë, pasi sipas analizave, rezultatet e prezencës së këtij metali në ujë janë 112 ml/L, plot 56 herë më lartë se norma e lejuar. Edhe terreni paraqitet problematik.

“Për sa i përket terrenit, vihet re që ka shumë ngarkesa në metale, shumica është hekuri, i cili është 24gr/kg, që është që është një sasi e madhe do thosha për terrenet normale. Ka mangan, që është shumë i lartë. Ka nikel gjithashtu, që është rreth 700 mlg. Që është shumë. Arseniku është i konsiderueshëm, i cili nuk duhet të gjendet në këto, dhe më e çuditshmja është seleniumi, i cili gjendet në një sasi të madhe, 13 mlg/kg. Edhe vanadiumi, këto janë metale të rralla ose me vlerë. Ka bakër, ka plumb, ka dhe zink. Është shumë e ngarkuar me metale, kjo do të ishte ndoshta dhe zonë për ta kultivuar. Patjetër do duhet të zgjidheshin ato bimë të cilat nuk është se ekstraktojnë shumë nga këto metale. Por me shumë mundësi patjetër që këto metale do të kalonin edhe në bimësi”, sqaron ai, duke shtuar se ujërat e lumenjve ndikojnë në ujërat sipërfaqësorë dhe nëntokësorë.

“Patjetër që mund të dëmtohen edhe ujërat sipërfaqësorë apo dhe ujërat nëntokësorë, nga shirat, reshjet, këto gjithmonë lejojnë një pjesë të atyre metaleve të kalojnë në ujë gjë e cila mund të ndosë ujërat e pijshëm, qoftë nëntokësorë qoftë sipërfaqësorë”.

Teksa Prof. Dr. Sokol Abazi ngre shqetësimet se prania e metaleve në këtë terren është dhjetëra herë më e lartë se norma e lejuar sipas standarteve të Bashkimit Europian, për profesoreshën Luljeta Ajdini, ish-fabrika e elektromotorëve është një faktor që me gjasë mund të ketë ndikuar në këtë ndotje të ujit dhe tokës pranë lumit Erenik.

“Mundësitë janë të mëdha që ajo ka ndikuar. Sepse gjatë reshjeve ujërat kullojnë dhe shkojnë në rrjedha sipërfaqësore të lumit. Ndoshta në sediment kur keni marrë mostra ju aty mund të jetë një gjendje më reale. Unë e pashë manganin shumë, por e pashë interesant edhe bariumin, i ka tejkaluar vlerat, hekuri i ka tejkaluar, vanadiumi i ka tejkaluar.

Ajdini thotë se në Kosovë veç ndotjes historike nga fabrikat që tashmë janë jo-funksionale, një tjetër ndotje e rrezikshme për ujërat e lumenjve është ndotja urbane.

“Lumenjtë në Kosovë kërcënohen, rrezikohen nga ndotja urbane më shumë se sa nga ndotja industriale, për arsye se Kosova nuk ka ndonjë industri të rëndë përveç Koorporatës Elektro-energjitike të Kosovës. Tjerat mund të kenë, prej fabrikës së elektromotorëve, mirëpo kjo fabrikë nuk funksionon më dhe ndikon pak në zbutjen e ndotjes”, shprehet ajo, ndërkohë që të njejtën gjë e pohon edhe znj.Fatlije Buza, Udhëheqëse e Divizionit për Planifikim të Resurseve Ujore në Prishtinë.

“Nëqoftëse bazohemi në të dhënat historike dhe të tashme, sidomos tani, Drini i Bardhë ka më pak ndotje të metaleve të rënda për arsye të industrive në këtë pjesë të Kosovës. Edhe ato fabrika tani nuk janë në funksion, edhe ne na kanë larguar prej punës, i kanë plaçkitur ato fabrika dhe tani ato janë mbyllur. Nga ana e Drinit kemi më tepër ndotje të ujërave urbane deri sa t’i funksionalizojmë, tani kemi filluar t’i funksionalizojmë impiantet e ujërave në tri qytete të mëdha të pellgut të Drinit që është Peja, Gjakova dhe Prizreni”, sqaron ajo për gazetaren Merita Miftari, teksa shton se më herët lumi Drin është përdorur nga njerëzit si atraksion turistik.  

“Ne më parë kemi shkuar në Drin jemi larë, unë vetë jam mësuar të lahem në Drin, Drini ka qenë turistik. E kemi shfrytëzuar edhe për kërcime, rekreative. Kur shkonim ne në Drin kur ishin garat, shkonim me qindra të rinj, më merrte vëllai me vete gjithmonë. Mbushej me njerëz, vinin prej ish-Jugosllavisë, Rajonit, dhe ndiqnim garat, ka qenë atraksion, përmendej edhe në TV. Lumenjtë duhen përdorur dhe për rekreativitet, por varet nga pjesa, duhet të jenë shumë të pastër që të përdoren pasi kur ti lahesh mund të marrësh sëmundje”.  

Për të verifikuar një ndotje të mundshme të lumit Drini i Bardhë nga metalet e rënda, pas kampionimeve të marra në Rimnik dhe Erenik, dy lumenj që shkarkojnë në Drinin e Bardhë, më datë 6 shkurt 2025, u morën gjithashtu dy mostra uji në dy vendndodhje të ndryshme, e para pranë fshatit Gjonaj të Prizrenit ku ka vendbanime dhe aktivitet social, dhe e dyta në afërsi të kufirit Kosovë-Shqipëri, për të krahasuar më pas rezultatet mes dy vendeve.

“Duket që tipologjia është e ngjashme me këto ujëra që vijnë nga Kosova, përveç hekurit që është në sasi më të madhe, si duket ndoshta e ushqejnë ose vijnë nga burime të njejta, por duket që ka gjithnjë atë raport të nikelit, manganit, hekurit. Po e krahasojmë me Rimnikun, përsa i përket hekurit është më i lartë te Drini i Bardhë, si duket ka akumulim nga burime të ndryshme. Përsa i përket nikelit, përsëri është më i lartë, nga 3 në 5, është pothuaj dyfishi. Transferohet ndotja, nga një degë kalon te degët kryesore dhe më pas nëse këto lumenj derdhen në liqen apo në det, patjetër që aty akumulohet dhe janë të gjitha këto prurje”, thotë Prof. Dr. Sokol Abazi, i cili sqaron se vlerat e larta më të shtuara të metaleve të rënda në lumin Drini i Bardhë pranë fshatit Gjonaj, janë si rezultat i shkarkimit të disa lumenjve të ndotur në këtë pikë, e cila fatkeqësisht shërben si kolektor, duke e kthyer lumin Drini i Bardhë në një lumë të ndotur me metale të rënda dhe jo të përdorshëm për njerëzit.

Territori i Shqipërisë

Në territorin e Shqipërisë, pika e parë e kampionimit u mor më datë 20 mars 2025 në lumin Drini i Zi, poshtë Urës së Gjoricës, në zonën e Peshkopisë, pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut, nga ku ka origjinën ky lumë, atje ku më herët ka patur aktivitet të fabrikave të përpunimit të metaleve. Kimisti Drini Laraku, mori një mostër uji dhe një mostër toke, për t’u dërguar më pas për analizim pranë laboratorit Tenuis. Ajo çka rezultoi problematike për ekspertët është prezenca e lartë e arsenikut, plumbit, manganit dhe nikelit, metale që cilësohen shkaktarë të sëmundjeve si anemia, hipertensioni, fertiliteti, rënia e flokëve, çrregullime në veshka dhe mëlçi apo dhe alergji të ndryshme.

“Prania e arsenikut këtu është shqetësuese, elementët e tjerë pastaj janë shumë më të vegjël, përsa i përket ujit. Përsa i përket terrenit, përsëri arseniku këtu është në vlera të krahasueshme. Ka plumb, zink, në sasira të mëdha, nikel, hekur, mangan. Vetëm hekur dhe mangan vete te 60 gram/kg dhe vanadiumi përsëri, dhe kromi, janë të lartë”, sqaron Prof Dr. Sokol Abazi, i cili analizon dhe rezultatet e mostrave të ujit dhe tokës të marra në të njejtën ditë në një tjetër pikë, poshtë Urës së Lushës, po në zonën e Peshkopisë, pranë pikës së parë të kampionimit. Edhe aty prania e arsenikut duket shqetësuese. 

“Sasia e arsenikut është e lartë, them e lartë në krahasim me metalet e tjera. Që do të thotë diku do ketë patur ndonjë ndotje, mund të jetë dhe ndotje lokale, mund të jetë si rrjedhojë e ndonjë aktiviteti që ndodhej aty më parë. Por gjendet në ujë dhe kjo është e rrezikshme pasi arseniku është nga ato metale të rënda të cilat monitorohen dhe në ujëra dhe në ushqime janë të limituar dhe të rregulluar pasi kanë efekte të pakthyeshme, sidomos në sistemin nervor të qënieve të gjalla, përfshirë këtu edhe njeriun”, thotë Abazi, ndërsa këto rezultate shihen shqetësuese edhe për Prof. Sazan Guri, i cili bën thirrje për kujdes të veçantë në zonat e Lezhës dhe Shkodrës në vendin tonë, dy qytete që presin qindra-mijëra turistë në vit. Të dy këto qytete po përballen me një keqmanaxhim të trajtimit të mbetjeve dhe nuk posedojnë landfille të licensuar, duke u kthyer në rrezik për ndotjen e ambientit.

“Arseniku është vërtetuar që përqendrimin më të lartë e ka në sistemin nervor. Kemi një landfill në Shkodër apo në Lezhë, detin e ka afër dhe përqendrimi është më i madh, në ujëra detarë dhe lumorë ku rritet një faunë që e thith këtë mbetje, këtë metal të rëndë që quhet arsenik. Pra arseniku vërtet përqendrohet te njeriu në mëlçi apo veshkë, apo në sistemin tretës, njeriu e merr shumë shpejt dhe kollaj nga konsumimi i kafshëve të detit që normalisht është peshku që e përqendron në kokë. Arseniku është jashtëzakonisht i dëmshëm, është një nga helmuesit më të mëdhenj bashkë me mërkurin, zhivën, të shëndetit mendor. Arseniku është 11.573 ml/L, në ujë, 0.5 ml/L është norma, pra 0.5 është toksik, dhe mbi këtë 0.5 toksike, është 22 herë më e lartë, kjo është për të vënë duart në kokë. Nuk është shqetësuese, është alarmante”.

Përpos arsenikut, në këtë pikë kampionimi ka prani të metaleve të tjera të rënda, që në sasira të tilla përbëjnë rrezik serioz për qeniet e gjalla.

“Çuditërisht plumbi është i ulët, pasi shpeshherë e shoqëron, por arseniku është këtu elementi më i lartë. Në terren gjendet përsëri, por nuk është maxhoritar, pasi po të ishte do të ishte gjë e mirë pasi mund ta rikuperonim dhe ta mblidhnim pasi janë metale që kanë një vlerë. Por këtu kemi vërtet sasira të mëdha të nikelit, zinkut, plumbit, vanadiumi përsëri është i lartë, dhe kobalt. Këto metale të rënda në sasira të tilla mund të përbëjnë rrezik, qoftë për bimësinë rreth e rrotull, qoftë dhe për ujërat sipërfaqësorë apo nëntokësorë. Kjo është vërtet e ngarkuar si mostër”, sqaron profesor Abazi. 

Arseniku është helmues! Si shpjegohet prania e tij në ujë dhe tokë?

“Ka shumë të ngjarë që një fabrikë e caktuar të ketë përdorur reagentë kimikë atëherë (koha e Komunizmit), në ato fabrikat e përpunimit të bakrit. Këto reagentë kimikë janë qëndra gravitative për gjenerim ndotjesh dhe tokës i duhen 200 vjet, 500 vjet, që të shpërlajë ndotjen e saj historike, ndaj nuk mund ta lësh tokën ti ta shpërlajë vetveten për 500 vjet, pra duhet ndihmuar kjo tokë, duhet ricikluar, duhet gjeneruar, duhet bonifikuar, duhet hequr diçka dhe duhet shtuar diçka”, këshillon Prof. Dr. Sazan Guri.

Ndotja e tokës, ujit dhe ajrit nga këta faktorë të jashtëm që në rastin konkret janë metalet e rënda, ndikojnë negativisht pasi ndotja akumulohet dhe zgjatet ndër vite, siç është rasti i fshatit të Nimçës në Kukës, ku ka patur më shumë se 10 galeri uraniumi në kohën e Komunizmit. Duke qenë se analizimi i uraniumit kërkon laboratorë të specializuar për lëndë radioaktive, u mor më datë 20 mars 2025 një mostër uji në lumin e Lumës, në rrëzë të kodrës së fshatit Nimç, aty ku derdhet përroi i Nimçës që vjen nga zona e galerive. Analizat nuk treguan prani të metaleve të rënda.

“Nimça i ka të gjitha parametrat natyrorë në standarte, brenda kufirit të lejuar të shëndetit, jo kufirit toksik”, sqaron Prof. Dr. Sazan Guri, ndërsa Prof. Abazi vë në dukje ndryshimin në ulje të nivelit të arsenikut.

“Këtu duket menjëherë që sasia e arsenikut ka rënë, nuk është i njejti damar, qoftë gjeologjik qoftë dhe hidrik dhe nuk ka ndonjë anomali. Ajo që thoni, ujë i rrjedhshëm mbështet atë teori që janë ujëra sipërfaqësorë të cilët nuk kanë patur kohë që të ekstraktojnë këto metale. Të tjerat janë të gjitha shumë të ulëta, nuk është se bie në sy ndonjë, përveç nikelit”, shpjegon ai.

Ndaj për të bërë një pasqyrë më të qartë të prezencës së metaleve të rënda në lumin e Lumës në Kukës, i cili bashkohet me lumin Drin, po në datë 20 mars 2025 u mor një mostër uji dhe një mostër toke shumë pranë ish-uzinës së pasurimit të bakrit në Kukës. Kjo uzinë ishte vepra e parë e rëndësishme e projektuar dhe e ndërtuar me forca vullnetare gjatë viteve 1962-1965 në Shqipëri, ku ishin të punësuar gati 40% e rrethit të Kukësit. Uzina u ndërtua pranë vendburimit të xeherorëve të pasur të bakrit të Gjegjanit dhe bënte shkrirjen e drejtpërdrejtë të xeherorit të bakrit dhe të aglomeratit duke dhënë prodhim përfundimtar bakër blister me 99-99.5% bakër që derdhej në lingota, të cilat dërgoheshin për rafinim në uzinat e shkrirjes dhe të rafinimit të bakrit në Rubik e Laç. Me ndërrimin e sistemit në vitin 1992 në Shqipëri, uzina u grabit dhe u shkatërrua, pasi ishte vepër e sistemit komunist. Vlerat e analizave të ujit, por kryesisht të sedimentit pranë kësaj uzine, rezultojnë vërtet shqetësuse, çka konfirmon efektin negativ që ajo ka shkaktuar ndër vite. 

“Në ujëra ne kemi nikelin dhe seleniumin. Nikeli është 1.5 herë më lartë se norma, ndërsa seleniumi nga 0.03 ml/L që është norma, është 0.5, që i bie 17 herë më lartë se norma. Ndërsa për tokë kemi zinkun, i cili është 10 herë më lartë se sa norma, kemi bakrin, që mund të shpjegohet nga fabrika e dikurshme, i cili është 4 herë më i lartë se sa norma. Kemi manganin që është 2 herë, kemi dhe hekurin që është jashtë çdo konturi të matjeve, hekuri është mbi 10-fishin më lartë se norma”, shpjegon Prof. Guri, ndërsa Prof. Abazi sheh shqetësues praninë e arsenikut dhe të manganit. 

“Përsa i përket terreneve, kemi sërish prezent arsenikun, por kemi shumë zink. Pastaj ka hekur dhe mangan, dhe këtu për herë të parë shoh që mangani është shumë më tepër se sa hekuri. Diçka e çuditshme kjo. Ndoshta duhet të shihen ata damarët, ndoshta është diçka që ka të bëjë me gjeologjinë. Ndoshta janë sedimente që vijnë gjithmonë dhe ka akumuluar, por ka shumë, ka pothuaj 60gr/kg, gjë që është shumë e lartë. Pastaj ka kobalt, krom, të cilat janë vlera të larta, seleniumi dhe vanadiumi përsëri”, sqaron ai.

Ujërat lumorë më të ndotur në Shqipëri se sa në Kosovë

Sa i takon një krahasimi të analizave mes territorit të Kosovës dhe Shqipërisë, prof. Abazi thekson se në këtë të fundit situata paraqitet më shqetësuese, ndërsa apelon për një studim më të mirë dhe nga ana e institucioneve përgjegjëse, në mënyrë që të bëhet një rehabilitim i zonave problematike.

“Ujërat ishin të gjithë të krahasueshëm. Terrenet janë shumë më të ngarkuara në zonën tonë, në Shqipëri. Nga ajo që vumë re në disa pika ishin vërtet shumë, sidomos prania e arsenikut. Duhet pastaj që të studiohet vërtet më në detaje toksiciteti që paraqet secili prej këtyre metaleve që unë përmenda, por kur flasim për metale si arseniku, plumbi, kadiumi, kobalt, krom, kallaj, janë vërtet shumë të rrezikshëm dhe do duhet që të shikohet që ato limite të rregullohen”.

Si mund të rehabilitohen zonat problematike?

“Ka teknika të ndryshme që mund të shkojnë deri në zhvendosjen komplet të atij terreni dhe vendosjen në një landfill, por edhe përzierjen me toa më pak të pasura me këto metale. Janë metale të cilat duhet të konsiderohen që të bëhet një farë rikuperimi i tyre, rregullim i zonës, sidomos në këto zona që janë si “hot spot-e”. Do duhet të shihet mundësia që të gjendet një mënyrë që këto metale, ose një pjesë e tyre të rikuperohet, kuptohet pas një fizibilidistadi që të ketë vlerë ekonomike, ose edhe nëse s’ka do duhen që të merren masa që këto përqëndrime të këtyre metaleve të ulet sepse siç e thashë rreziku është gjithmonë në ndotjen e ujërave sipërfaqësorë. Gjithmonë kur këto shkarkojnë dhe shkojnë në një liqen me kalimin e kohës dhe akumulohen dhe përqendrimi i tyre do të rritet shumë në ato liqene saqë për peshqit apo qëniet e gjalla do të jetë e rrezikshme”, shpjegon prof Abazi.  

Për profesorin Sazan Guri, problem nuk është vetëm niveli i ndotjes, por edhe shkalla e ekspozimit ndaj këtyre faktorëve të jashtëm.

“Ka ndikime në mjedis te flora dhe fauna, sidomos te fauna ujore sepse ndotja e tokës me anë të ujërave në lumenj shkon dhe e gjithë fauna ujore e pëson këtë ndotje, këtë ndikim. Sepse nuk është vetëm sasia e ndotjes herë më e lartë, por është shkalla e ekspozimit e njeriut për një kohë të gjatë, për të mos thënë gjithë jetën. Kjo është ndotja më e madhe. Se është tjetër gjë kur ti shkon në një moment të caktuar je pranë kësaj ndotje 1 orë, 2 orë, 1 javë, 2 javë, dhe tjetër gjë që ti të kesh një lumë që e ke përjetësisht të ndotur nga këto ndikime. Bota shqetësohet për 2-3% më lartë”, thekson ai. 

Apel institucioneve përgjegjëse për marrjen e masave

Ndërkohë institucionet shqiptare, deri më sot nuk kanë marrë asnjë masë për rehabilitimin e zonave, në të cilat ka patur aktivitet intensiv të përpunimit të metaleve të rënda gjatë kohës së diktaturës. Professor Guri ngre alarmin duke shpjeguar se uji i lumenjve përdoret nga banorët përmes puseve, kontaminimi i të cilit ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e tyre.

“Nëse marrim ujërat e lumit, është e sigurtë që e merr gjithë niveli i puseve të banorëve qoftë në në fshat apo qytet. Uji i pusit është baraz me nivelin e lumit. E merr gjithë niveli i ujërave nëntokësorë ku ka puse, ku ka rrënjë bime. Në një kohë kur ti bën qindra pallate, nuk ka nga qeveria asnjë masë se si rehabilitohet një ndotje historike apo aktuale. Ti sot nuk ke një vend ku të trajtosh ujërat e përdorura, qofshin ato njerëzore apo industrale. Nuk ka qoftë një industri që ta trajtojë ujin ta hedhë në lumë. Është përgjegjësi e madhe kjo e shtetit që ka detyrimin në bazë të nenit 59 që duhet t’i sigurojë qytetarëve një jetë të shëndetshme ekologjike. Kërkohet urgjentisht studimi fillimisht dhe pastaj hapi i dytë është bonifikimi i tokës”.

Në një linjë me profesor Gurin, profesor Sokol Abazi bën thirrje për një monitorim të mëtejshëm të situatës, kryesisht në liqene, në pikën fundore ku këto lumenj shkarkojnë.

“Duhet patjetër që të bëhet një analizë më e thellë për të parë vërtet arsyen e tyre, ndoshta duhet studiuar pak më gjerë për të parë nëse do të kishte liqene ku derdhen këto lumenj do ishte mirë që të merrej në grykëderdhje, 10 metra në thellësi dhe të merreshin dhe sedimentet që janë në fund të liqenit dhe ujërat aty, që të shikohet impakti që kanë në liqen, dhe aty shihen të gjitha gjurmët e këtij keqtrajtimi që i kemi bërë natyrës”. Syri tv

Të fundit