Flash News

E-TJERA

Fituan 1.4 mln dollarë duke tregtuar bursa ilegalisht, dy shqiptarë motër e vëlla dënohen në Londër

Fituan 1.4 mln dollarë duke tregtuar bursa ilegalisht, dy shqiptarë

Dy shqiptarë, vëlla e motër, janë dënuar me 11 vite burg nga drejtësia britanike, pasi u shpallën fajtorë për përfitime të paligjshme në bursë përmes përdorimit të informacionit konfidencial mbi kompani të mëdha ndërkombëtare, shkruan Reuters.

Redinel Korfuzi, 38 vjeç, ish-analist në kompaninë e menaxhimit të aseteve Janus Henderson, dhe motra e tij Oerta Korfuzi, 36 vjeçe, u dënuan për komplot në kryerjen e abuzimeve me informacion të brendshëm dhe pastrim parash.

Sipas gjykatës britanike, dy shqiptarët përfituan rreth 963,000 paund (1.4 milion dollarë) duke investuar në mënyrë të paligjshme në aksionet e 11 kompanive të listuara, përfshirë Daimler, Jet2 dhe THG.

Gjyqtari Alexander Milne dënoi Redinel Korfuzin me 6 vite burg, ndërsa motrën e tij me 5 vite, duke i cilësuar si “individë inteligjentë dhe të vetëdijshëm financiarisht”, të cilët kryen një “tradhti të rëndë të besimit”.

Dy shqiptarët përdorën njohuritë që Redinel kishte aksesuar në mënyrë të privilegjuar si analist në një nga firmat më të mëdha të investimeve në botë. Ata vepruan gjatë periudhës së pandemisë, nga apartamenti që ndanin në kryeqytetin britanik, duke vendosur baste në treg bazuar mbi të dhëna që publiku nuk i kishte ende në dispozicion.

Janus Henderson, e cila menaxhon rreth 380 miliardë dollarë në asete globale, nuk ishte subjekt i akuzës dhe njoftoi se kishte bashkëpunuar tërësisht me autoritetet britanike.

“Mbrojtja e informacionit konfidencial është thelbësore për ne dhe çdo shkelje trajtohet me seriozitetin maksimal”, deklaroi një zëdhënës i kompanisë.

Rasti i shqiptarëve Korfuzi është ndër rastet më të rënda të “insider trading” të hetuara nga Autoriteti i Sjelljes Financiare (FCA) në Britani vitet e fundit. Prokuroria theksoi se veprimet e tyre ishin të qëllimshme dhe të organizuara në mënyrë të sofistikuar.

Të fundit