E-TJERA

Çmime rekord dhe treg me pakicë/ Fatura pa limit e importit të energjisë, qeveria del me masa 'spontane'

Çmime rekord dhe treg me pakicë/ Fatura pa limit e importit të

Në Tetor të vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama deklaroi emergjencën e krizës energjetike duke prezantuar edhe një plan me tre pika për përballimin dhe mbrojtjen e konsumatorëve familjarë dhe biznese.

Garantimi i furnizimit me energji elektrike për të gjithë, mbrojtja e familjes dhe biznesit të vogël nga rritja e energjisë (s'do të ketë rritje të çmimit për të dyja grupet) dhe fondi prej 200 milionë eurosh për të siguruar dy pikat e mësipërme, ishin tre pikat e planit të qeverisë për të përballuar krizën.

Megjithatë, sot qeveria ndodhet përpara një situate të vështirë me energjinë elektrike. Në kushtet kur kaskada e Drinit ka arritur pikën e fundit të “mbijetesës”, qeverisë i duhet të bëjë gati çekun për të paguar importin e energjisë, duke siguruar atë që Rama përsërit gjithmonë në refren “nëse nuk prodhojmë, importojmë, por energjia nuk do të mungojë”.

Barra që do të kenë kompanitë publike të sektorit, buxheti i shtetit apo direkt e indirekt bizneset dhe familjarët, mbetet e paqartë, për aq kohë sa limitet e skenarit më të keq të krizës, nuk di t’i japë askush.

Nga 1 Qershori, biznesi i mesëm mund të përballet me një çmim më të lartë të energjisë nga 18.8 lekë që refuzojnë të paguajnë tani. KESH në përditësimin e të dhënave të fundit, ka bërë të ditur vetëm nivelin e HEC-it të Fierzës me 259 metra.

Ndryshe nga vitet e tjera, ‘e veçanta’ e 2022-shit është se çmimet e tregut të energjisë, e cila është në pakicë, kanë kapur rekorde. Që do të thotë se kostoja që do t’i rëndojë buxhetit të shtetit, është shumë herë më e madhe. E teksa ndodhemi përballë një krizë jo më dosido, pyetja shtrohet: sa mund të rezistojmë?

Së pari, Shqipëria është në varësi nga importet e energjisë. Pavarësisht përditësimit të nivelit të kaskadave, Shqipëria investon më shumë në blerjen e energjisë se sa në prodhimin e saj. Nga të dhënat e KESH, më datë 25 mars prodhimi ditor nga kaskada ishte 4200 MWh, kurse importi 11 300 MWh, gjë që do të thotë se 73% e energjisë me të cilën KESH po furnizon, është import.

Më herët, baza kryesore ishte prodhimi në kaskadë mes 13-17 mijë MWh në ditë, si një formë për t’u mbrojtur nga çmimet e larta në bursa, të cilat kulmuan në javët e para të marsit, si efekt i luftës Rusi-Ukrainë. Tharja e Fierzës i zbehu pritshmëritë, duke bërë qe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës Belinda Balluku, të deklarojë rritjen e importit sidomos pas 20 Marsit.

Qeveria ndodhet sot përpara lëshimit të një “çeku”, i cili nuk dihet se çfarë vlere mund të kapë me importet. Por, duke marrë parasysh se energjia ndodhet me pakicë në treg e me çmime mjaft të larta, parashikimi është që të arrijë një vlerë të lartë në shpejtësi rekord.

Me synim kursimin e energjisë, qeveria ndërmori disa praktika të cunguara. Planifikimi i ditëve të pushimit, fikja e dritave të panevojshme në institucionet e administratës apo e dritave në akset kryesore si autostradat pas orës 00:00, synojnë nga qeveria kursimin e naftës dhe energjisë njëkohësisht.

Të fundit