Flash News

E-TJERA

Çmimet e larta dhe të ardhurat e pakta po rëndojnë jetesën e qytetarëve në Lezhë

Çmimet e larta dhe të ardhurat e pakta po rëndojnë

Çmimet e larta dhe të ardhurat e pamjaftueshme po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë jetesën e qytetarëve, veçanërisht në prag të festave të fundvitit. Pamjet nga tregu i qytetit të Lezhës, në ditët e fundit të dhjetorit, tregojnë qartë realitetin ekonomik që po përjetojnë familjet shqiptare, me pak blerës dhe stenda thuajse bosh, ndonëse jemi në një periudhë kur konsumi tradicionalisht rritet.

Tregtarët shprehen se rënia e fuqisë blerëse ka ndikuar drejtpërdrejt në shitje, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë mbijetesën e bizneseve të vogla.

Sipas tyre, të ardhurat e pakta të qytetarëve kanë ulur ndjeshëm konsumin, ndërsa një tjetër problem serioz mbeten shitësit ambulantë, të cilët, në mungesë të kontrollit nga institucionet, po krijojnë konkurrencë të pandershme dhe po rrezikojnë edhe më tej aktivitetin e tregtarëve të rregullt.

Nga ana tjetër, qytetarët thonë se çmimet janë të papërballueshme dhe se me pensionet apo pagat aktuale e kanë të pamundur të përballojnë shpenzimet bazë, jo më festat e fundvitit.

Shumë prej tyre pranojnë se vetëm falë ndihmës financiare të fëmijëve që jetojnë në emigracion arrijnë të mbyllin muajin, ndërsa festat i presin me shqetësim dhe pasiguri.

Rënia e fuqisë blerëse ka sjellë pasoja të rënda edhe për ekonominë lokale.

Gjatë viteve të fundit, dhjetëra biznese në Lezhë janë falimentuar, duke detyruar shumë tregtarë të mbyllin aktivitetet dhe të kërkojnë mënyra të tjera punësimi ose të largohen jashtë vendit.

Ky realitet, sipas tyre, është pasojë direkte e politikave ekonomike të qeverisë, që kanë rritur çmimet, por nuk kanë garantuar të ardhura të mjaftueshme për qytetarët.

Ndërsa qeveria flet për rritje ekonomike dhe mirëqenie, tregu i Lezhës reflekton një realitet krejt tjetër: varfëri në rritje, konsum në rënie dhe një ekonomi lokale që po shkon drejt kolapsit.

Të fundit