Flash News

E-TJERA

Ministrat e Jashtëm të shteteve të BE-së letër Borell: Të hapen negociatat me Tiranën e Shkupin

Ministrat e Jashtëm të shteteve të BE-së letër Borell:

Ministrat e Jashtëm të Austrisë, Sllovenisë, Sllovakisë, Hungarisë dhe Çekisë kërkojnë që Këshilli i Çështjeve të Jashtme, gjatë muajit Prill të diskutojë për strategjinë në Ballkanin Perëndimor.

Në një letër dërguar shefit të diplomacisë së BE-së Josep Borrell, nisur nga lufta në Ukrainë dhe ndikimin që mund të ketë në vendet e BE-së, kryediplomatët e pesë shteteve të BE-së e vlerësuan vizitën që Borrell bëri në Mars në Shkup, Tiranë dhe Sarajevë, vizitë që sipas tyre, dëshmoi përkushtimin e fuqishëm të bllokut evropian për Ballkanin Perëndimor, shkruan Klan News.

Ministrat kërkuan që të përshpejtohet procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën, nisja e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhënia e statusit të vendit kandidat Bosnjë e Hercegovinës dhe përshpejtimi i procesit të negociatave me Malin e Zi dhe Serbinë.

Takimi i radhës i ministrave të Jashtëm të BE-së do të mbahet më 11 Prill në Luksemburg. Ende nuk është e qartë nëse tema e Ballkanit Perëndimor do të vendoset në rend dite, pasi sipas burimeve diplomatike, situata aktuale në Ukrainë dhe krimet e pretenduara të forcave ruse, kërkojnë që fokusi i ministrave të jetë për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.

 

Të fundit