Flash News

E-TJERA

Mishi me salmonelë ende në treg? AKU reagon: Lajme të pavërteta

Mishi me salmonelë ende në treg? AKU reagon: Lajme të

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka reaguar pas raportimeve në disa media dhe portale që pretendojnë se mishi i kontaminuar me salmonelë po tregtohej fshehurazi në vend. Përmes një deklarate zyrtare, AKU i ka cilësuar këto raportime si të pavërteta dhe ka dhënë sqarime të detajuara mbi rastin.

Sipas AKU-së, bëhet fjalë për 4,516.75 kg fileto mish derri të importuar nga Brazili, të cilat u bllokuan më 28 janar 2025, pas konstatimit të kontaminimit me bakterin salmonella spp, bazuar në analizat laboratorike.

“Sasia e mishit ka qëndruar e bllokuar në magazinat e subjektit importues deri më datë 16 prill, kur kompania dorëzoi zyrtarisht kërkesën për asgjësim pranë autoriteteve përkatëse,” thuhet në njoftimin e AKU-së.

Asgjësimi i sasisë së mishit, sipas AKU, është kryer në prani të përfaqësuesve të Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Tiranë, dhe Drejtorisë Rajonale AKU Tiranë.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit garanton se produktet e kontaminuara nuk kanë hyrë në treg dhe siguron qytetarët për angazhimin maksimal në monitorimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.

Të fundit