E-TJERA

Mister në lumin Vjosa: 63-vjeçari nga Berati zhduket pa gjurmë, vijojnë kërkimet

Mister në lumin Vjosa: 63-vjeçari nga Berati zhduket pa gjurmë,

Pesë ditë pas zhdukjes së 63-vjeçarit Ëngjëll Kanani pranë lumit Vjosa, në afërsi të fshatit Kashisht, ende nuk është gjetur asnjë gjurmë e tij. Ngjarja mbetet mister, pasi asnjë send personal i tij, përfshirë mjetet e peshkimit, çantën apo celularin, nuk është gjetur.

Detaje të reja nga hetimet zbulojnë se telefoni i të zhdukurit ka qëndruar i hapur për 24 orë pas zhdukjes, ndërsa familjarët dhe miku i tij e kanë telefonuar vazhdimisht, por pa asnjë përgjigje.

Kërkimet për 63-vjeçarin janë shtrirë edhe në kanalin Vjosë-Levan-Fier, që lidhet me lumin Vjosa e madhe. Familjarët dhe miku i tij 64-vjeçar i janë bashkuar operacionit të policisë dhe ekipit të polumbarëve, por deri më tani, kërkimet nuk kanë dhënë rezultat.

Sektori i krimeve në komisariatin e Fierit ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e zhdukjes. Sipas dëshmisë së mikut të tij, të dy shokët, banorë të Beratit, po peshkonin në vende të ndryshme në zonën e Kashishtit ditën e ngjarjes. Ai ka treguar se kishin lënë takim në një pikë të caktuar, por 63-vjeçari nuk u paraqit. Pas disa orësh, kur telefonatat e tij mbetën pa përgjigje, miku denoncoi zhdukjen në polici.

Ëngjëll Kanani, baba i tre fëmijëve, ushtronte prej tre vitesh peshkim amator në lumin Vjosa. Kërkimet dhe hetimet për gjetjen e tij vazhdojnë intensivisht.

Të fundit