Flash News

E-TJERA

Mosdekretimi i Cakajt, Gjykata Kushtetuese pushon gjykimin për konfliktin Rama-Meta

Mosdekretimi i Cakajt, Gjykata Kushtetuese pushon gjykimin për konfliktin

Gjykata Kushtetuese ka publikuar konkluzionet sa i takon përplasjes mes kryeministrit Edi Rama dhe presidentit Ilir Meta, lidhur me mosdekretimin e Gent Cakajt si ministër i Jashtëm nga ana e Kreut të Shtetit.

Gjykata vendosi që pranimin e pjesshëm të kërkesës, pushimin e gjykimit për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë, apo që kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet Kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit.

Njoftimi i plotë:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, mori në shqyrtim në seancën plenare të datës 18.05.2021, çështjen me kërkues Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi i nenit 98, pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese, njëzëri,
VENDOSI:

– Pranimin e pjesshëm të kërkesës.
– Pushimin e gjykimit për kërkimin mbi zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës, ndërmjet Kryeministrit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
– Interpretimin përfundimtar të nenit 98 të Kushtetutës, për sa vijon:
– Në procedurën e emërimit dhe shkarkimit të ministrit, Kryeministri, Presidenti dhe Kuvendi, udhëhiqen nga parimi i luajalitetit kushtetues dhe atij të ndarjes dhe balancimit të pushteteve.
– Kompetenca për emërimin dhe shkarkimin e ministrit ndahet ndërmjet tre organeve të mësipërme.
– Procesi i emërimit të ministrit duhet të garantoje përmbushjen e kritereve dhe cilësive kushtetuese për këtë funksion.
– Vlerësimi dhe verifikimi i kandidatit për ministër, bëhet nga të tre organet e përfshira në proces, secili sipas rolit dhe kompetencave të tij kushtetuese, brenda afateve kushtetuese, në përputhje me arsyetimin e këtij vendimi.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.


 

Të fundit