Flash News

E-TJERA

Moti i keq përfshin vendin, priten përmbytje në pesë qarqe. Si paraqitet situata

Moti i keq përfshin vendin, priten përmbytje në pesë qarqe.

Vendi është përfshirë nga moti i keq me reshje intensive dhe stuhi që pritet të zgjasin deri pasdite. Shirat kanë krijuar problematika në disa zona të vendit, duke bllokuar rrugët, thyer degët e pemëve dhe ndikuar në rrëshqitjen e dherave.

Ministria e Mbrojtjes ka dalë me një njoftim, ku paralajmëron se pesë qarqe të vendit mund të rrezikojnë përmbytjet. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bëri me dije se në qarqet Shkodër, Lezhë, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër do të ketë reshje intensive të cilat mund të sjellin vërshime të përrenjve dhe lumenjve të vegjël dhe përmbytje në zonat urbane.

“Duke marrë në analizë modelet e fundit të hartave meteorologjike, pritet që mbi vendin tonë në orët në vijim në qarqet Shkodër, Lezhë, Kukës, Vlorë dhe Gjirokastër, të ketë reshje intensive të cilat mund të sjellin vërshime të përrenjve dhe lumenjve të vegjël dhe përmbytje në zonat urbane.

Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia e Mbrojtjes Civile i bën thirrje pushtetit vendor të marrë masat e nevojshme për t’u paraprirë përmbytjeve apo rrëshqitjeve të dherave. Ne do të jemi në monitorim të vazhdueshëm të të gjitha situatave që mund të krijohen, duke garantuar ndihmë të menjëhershme në çdo rast emergjence”, tha Peleshi.

Reshjet intensive të shiut gjatë natës së djeshme kanë bërë që përroi i Glinës dhe lumi i Gjadrit të dalin nga shtrati në Vaun e Dejës. Prurjet e mëdha të ujërave kanë shkaktuar përmbytje dhe kanë shkatërruar rrugë lagjes në qytetin e Vaut të Dejës, si dhe në Njësitë e Administrative Vig-Mnelë dhe Hajmel.

Problematike shfaqet situata dhe në bashkinë e Malësisë së madhe, ku përroi i Thatë në fshatin Kamicë ka dalë nga shtrati si pasojë e reshjeve intensive. Në fshatin Bajzë, uji ka përmbytur dy banesa.

Të fundit