Flash News

E-TJERA

Mungesa e ilaçeve rrezikon jetën e fëmijëve me tumor, QSUNT mbulon problematikat; si po i sigurojnë barnat kontrabandë

Mungesa e ilaçeve rrezikon jetën e fëmijëve me tumor,

Dhjetëra fëmijë me sëmundje të rënda, tumorale përballen me mungesën e ilaçeve të kimioterapisë.

Qendra Spitalore Univeristare “Nënë Tereza” nuk e pranon mungesën e këtyre ilaçeve jetë-shpëtuese, por Investigative Network Albania ka mundur të dokumentojë, se një pjesë e këtyre medikamenteve jetë-shpëtuese mungojnë prej vitesh.

Ndërsa sjellë raste konkrete që dëshmojnë se mungesën e banrnave, në investigim thuhet se medikamentet gjenden jashtë vendit dhe sillen kontrabandë, si e vetmja zgjedhje.

Në një prej rasteve, sjellja e medikamentit “L-asparaginase” i ka kushtuar familjes 1350 euro.

Për shkak të mungesave të shumta dhe të zgjatura ndër vite, tregu i zi i medikamenteve kimioterapeutike duket se është i organizuar. Kjo mënyrë, nuk ka vetëm kosto ekonomike, por edhe shëndetësore, duke marrë kushtet e papërshtatshme, në të cilat transportohet.

L-asparaginase, Methotrexate, 6–Mercaptopurine dhe Folinic Acid janë disa nga medikamentet, të cilat mungojnë në QSUNT, sipas vetë prindërve dhe mjekëve të këtij spitali, të pyetur në anonimitet.

QSUNT refuzoi të përgjigjej se sa flakonë L-asparaginase disponon aktualisht, ndërsa tha se disponon Methotrexate (3 lloje/formë doze), 6–Mercaptopurine dhe Folinic Acid. Gjithashtu, QSUNT refuzoi të jepte informacion edhe për stokun e këtyre 4 medikamenteve.

“Në lidhje me tri medikamentet e cituara, QSUNT disponon Methotrexate (3 lloje/formë doze),

6–Mercaptopurine dhe Folinic Acid në farmacinë qendrore, që tërhiqen sipas nevojave të shërbimit”, – thuhet në përgjigjen e QSUNT, por pa specifikuar sasinë e këtyre medikamenteve.

Institucioni shëndetësor më i madh në vend u mundua të anashkalonte pyetjen konkrete, duke mos dhënë asnjë informacion për L-asparaginase-n dhe se kur është bërë furnizimi i fundit me medikamentet, për të cilat iu kërkua informacion, sipas ligjit në fuqi.

Pavarësisht se prindërit e fëmijëve të sëmurë dëshmojnë për mungesë ilaçesh në spital, QSUNT përsëri tregohet hermetike dhe nuk jep asnjë informacion për mungesën e këtyre ilaçeve.

"INA" ka konstatuar se, referuar dokumenteve të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, këto medikamente, jo vetëm mungojnë, por për vite të tëra as nuk janë futur fare në tregun shqiptar.

Më konkretisht, le të ndalemi te medikamenti Methotrexate. Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” thotë se aktualisht spitali e disponon këtë medikament, ndërsa nuk flet për mungesën e tij në Shqipëri prej të paktën 2 vitesh. Ky fakt konfirmohet nga burime pranë farmacisë qendrore të QSUNT-së, të cilët pohojnë se ka një vit e gjysmë që Methotrexate mungon.

Sipas një dokumenti të Agjencisë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, të siguruar nga burime jozyrtare, i cili përmban të gjithë gamën e medikamenteve, që janë futur në vendin tonë, rezulton se për medikamentin në fjalë, (Mextu 50 mg/2ml), në vitet 2020-2021, nuk ka asnjë import në vendin tonë. Ai ka mbërritur në Shqipëri vetëm në datën 30 dhjetor të vitit 2021, me një sasi prej 910 flakonësh.

Por, është e paqartë se kush e ka marrë këtë medikament, duke qenë se është e papërcaktuar në dokument, nëse marrësi është një institucion shtetëror apo privat.

Gjithashtu, nëpërmjet një kërkimi në këtë dokument, nuk rezulton që në Shqipëri të jetë futur as përgjatë vitit 2020 e as përgjatë vitit 2021 acidi folinik. Edhe në përgjigjen e Drejtorisë së QSUNT, thuhej se një sasi e caktuar kishte ardhur vetëm si donacion.

Një tjetër medikament, i cili, sipas prindërve të fëmijëve, mungon, është edhe L-asparaginase 10000 UI, për të cilin QSUNT thotë se ka pasur furnizim të rregullt në vijimësi dhe se ky institucion ka marrë masat, duke shpallur procedura prokurimi me qëllim sigurimin e tij.

Por, referuar të dhënave të nxjerra nga dokumenti që mbart informacion për çdo medikament që importohet në vendin tonë, rezulton se në 2 vitet e fundit nuk kemi pasur asnjë hyrje të këtij bari në Shqipëri.

“L-asparaginase ka vite që nuk vjen në QSUNT. Kanë ardhur një herë 5 flakonë dhuratë, por vetëm kaq”, – tha burimi ynë pranë depos farmaceutike në QSUNT.

Në lidhje me medikamentin 6–Mercaptopurine, në importet e AKBPM-së thuhet se në Shqipëri, në datën 30/12/2021, kanë ardhur 20 doza të këtij medikamenti, ndërsa një sasi e tillë i nevojitet vetëm Dionisit nga Durrësi.

Por, QSUNT në përgjigjen e saj thotë krejt të kundërtën, ndërsa, duke mos specifikuar sasinë që disponon, shprehet: “Me Mercaptopurine 250 mg aktualisht është furnizuar Pediatria që prej datës 25/11/2021 dhe kemi marrëveshje kuadër në fuqi, me qëllim mbulimin e nevojave të shërbimeve.”

Ndërsa burimi në depon e ilaçeve të QSUNT-së thotë të kundërtën e asaj që spitali pohon.

“6–Mercaptopurine s’ka pasur ndonjëherë. Ka ardhur një sasi shumë e vogël, që s’dimë kujt t’ia japim më parë”, – thotë ai.

Teksa QSUNT vuan mungesën e ilaçeve, fëmijët e sëmurë, të vetmen shpresë për të siguruar medikamentet që i mbajnë në jetë, kanë, ose dhurimin nga ndonjë donator, ose ndjeshmërinë e ndonjë individi, i cili ka mundësi financiare dhe siguron ilaçet e nevojshme për pacientët e vegjël.

Të fundit