Flash News

E-TJERA

Ndahet nga jeta poeti dhe shkrimtari i njohur Faslli Haliti

Ndahet nga jeta poeti dhe shkrimtari i njohur Faslli Haliti

Është ndarë nga jeta në moshën 85-vjeçare, shkrimtati, poeti dhe përkthyesi i njohur, Faslli Haliti.

Lajmin për vdekjen e tij, e ka bërë të ditur Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit duke shkruar se ikja e e Halitit është një humbje për poezinë shqiptare.

“Faslli Haliti, poeti, shqipëruesi, një nga zërat e rëndësishëm të historisë sonë letrare u shua sot në moshën 85 vjeçare.  Ikja e tij është një humbje për poezinë shqipe. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, u shpreh ngushëllimet e thella familjarëve”, ka shkrua qendra në facebook.

Edhe zyrtarë të lartë të shtetit si presidenti Meta kanë reaguar për lajmin e hedhur.

Meta me anë të një stausi në facebook ka shkruar se Haliti ishte shembull i qytetarisë dhe një luftëtar i palodhur i mendimit të lirë.

Statusi i presidentit:

Pikëllues lajmi për ndarjen nga jeta të shkrimtarit e poetit tonë të mirënjohur, Faslli Haliti, intelektualit të angazhuar me vlera kombëtare, shembull i qytetarisë e luftëtar i palodhur dhe i pakompromis i fjalës e mendimit të lirë, duke provuar deri dënime për mbrojtjen e saj.

Kam patur fatin ta njoh nga afër edhe si ish-deputet i PS, dhe i ruaj me nostalgji kujtimet për periudhën kur bashkëpunuam në politikë si pjesë e ish-grupit parlamentar socialist, ku padyshim Faslliu spikaste me individualitetin e tij mes deputetëve të PS që vinin vetëm nga radhët e intelektualëve e profesorëve.

Të paharruara kanë mbetur për mua vargjet e një prej poezive të tij më të arrira "Për mirë":

"Gati
Për rënie,
Për shembje,
Rrëzim.
Monument shtrembës!
Shembu, rrëzohu më mirë!"

Për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme ju shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Haliti, bashkëpunëtorëve dhe mbarë komunitetit të artistëve e shkrimtarëve shqiptarë.

U prehtë në paqe", shkruan Meta.

 

Faslli Haliti lindi në Lushnjë, më 5 dhjetor 1935. 
Ka mbaruar Liceun Artistik për pikturë. Është diplomuar për gjuhë dhe letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës. Ka punuar mësues vizatimi dhe letërsie në Lushnjë 1961-1973. Nga viti 1973 - 1983, për gabime ideore në krijimtari dhe veçanërisht në poemën Dielli dhe rrëkerat, ka punuar si kooperativist i thjeshtë në një kooperativë bujqësore të rrethit Lushnjë e në Komunale. Gjatë gjithë kësaj periudhe konvaleshence ideologjike iu hoq e drejta e botimit. Gjatë viteve 1998-2001 ka qenë deputet në Kuvendin e Shqipërisë. Që nga viti 1969 është anëtar i LSHASH. Është nderuar me çmime kombëtare e ndëkombëtare. Është përfshirë në disa antologji në gjuhë të huaja si italisht, anglisht, gjermanisht, greqisht. Është dekoruar me Urdhërin Naim Frashëri të klasit III, të klasit I si dhe me Urdhërin “Naim Frashëri” i Artë. 
Është Qytetar Nderi i qytetit të Lushnjës. Është Nderi i Qarkut Fier. Ka fituar çmimin e madh "Poeti më i mirë i vitit" - 2017, dhënë nga Fondacioni Kulturor "Harpa". Është autor i mbi 20 librave, kryesisht me poezi.

Të fundit