Flash News

E-TJERA

Ndaluan në rrugë dhe ia morën valles, nën hetim 4 dasmorët e Laçit, bllokohen makinat luksoze

Ndaluan në rrugë dhe ia morën valles, nën hetim 4

Policia ka proceduar penalisht 4 drejtuesit e mjeteve të cilët penguan lëvizjen e lirë të automjeteve dhe prishën rendin e qetësisë publike me muzikë të lartë, gjatë një ceremonie martesore.

Sipas njoftimit, 4 të proceduarit janë proceduar për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

G. V., 32 vjeç, V. Ll., 32 vjeç, J. S., 21 vjeç dhe V. D., 45 vjeç, iu janë bllokuar mjetet që kishin në posedim dhe janë gjobitur me masë administrative që varion nga 50.000 deri në 100.000 lekë.

Njoftimi i policisë:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore të DVP Lezhë, kanë identifikuar dhe proceduar penalisht 4 drejtuesit e mjeteve, të cilët penguan lëvizjen e lirë të mjeteve të tjera duke bllokuar rrugën me mjetet e tyre të përgatitura për një ceremonie martesore dhe prishën rendin e qetësinë publike me muzikë të lartë.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë bënë bllokimin e 4 automjeteve, si dhe proceduan administrativisht drejtuesit e tyre.

Në lidhje me një video të publikuar në rrjetet sociale dhe në disa media, ku shfaqeshin disa drejtues mjetesh që kishin ndaluar mjetet e tyre në aksin rrugor Lezhë-Mamurras, tek “Mbikalimi i Patokut”, duke penguar për disa momente lëvizjen e lirë të mjeteve të tjera dhe duke prishur rendin e qetësinë publike me muzikë të lartë, shërbimet e Policisë Kurbin, në bashkëpunim me DVP Lezhë, falë veprime të shpejta hetimore kanë bërë të mundur identifikimin e drejtuesve të mjeteve.

Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kurbin proceduan penalisht shtetasit: G. V., 32 vjeç, V. Ll., 32 vjeç, J. S., 21 vjeç dhe V. D., 45 vjeç, banues në fshatin Gorre, Kurbin, për veprat penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë bllokuar 4 automjetet dhe për drejtuesit e tyre janë vendosur masa administrative që variojnë nga 50.000 deri në 100.000 lekë.

Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke u siguruar reagim të shpejtë e të paanshëm, kundrejt atyre që shkelin ligjin dhe cenojnë jetën e qytetarëve.

 

Të fundit