Flash News
Gjykojeni protestën nga kundërshtarët
Aksident në Greqi, ndërron jetë 16-vjeçari shqiptar
Protesta trazon PS-në/ Zegjineja e ‘meme-ve’ sulmon influenceren: Shëmtirë, diote. Balla kapet me Reuters
Vrasja në Paskuqan/ Autori është gjurmuar deri në Bovillë, ka braktisur mjetin
Publikoi tezën e Letërsisë 20 minuta pas nisjes së provimit, përjashtohet maturanti në Kukës
Ndarja e fondeve për zgjedhje, Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën e aleatëve të Bashës. Zbardhet vendimi

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar kërkesën e pesë partive aleate të Partisë Demkratike në zgjedhjet e 25 prillit për të shfuqizuar një pjesë të nenit 88 të Kodit Zgjedhor që ka të bëjë më mënyrën se si përllogaritet numri i votave të partive të vogla që hyjnë në zgjedhje si koalicion për përcaktimin e fondeve që këto parti përfitojnë nga buxheti i shtetit.
Partia Agrare Ambientaliste e Agron Dukës, Partia Republikane e Fatmir Mediut, Lëvizja për Zhvillim Kombëtar e Dashamir Shehit, Partia Bashkimit për të Drejtat e Njeriut e Vangjel Dules dhe Partia Demokristiane e Nard Ndokës kërkuan shfuqizimin si të papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë të fjalisë së dytë të paragrafit të tretë të nenit 88 të Kodit Zgjedhor që përcakton se “për partitë pjesëtare në koalicion, numri i votave të vlefshme takuese përllogaritet duke mbledhur mesataren e votave për mandat për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e tyre”.
Sipas këtij neni çdo parti merr aq para nga shteti sa vota ka marrë; ndërsa partitë e vogla që kanë garuar me koalicion iu llogaritet vetëm mesatarja e votave për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e tyre.
Bdaj, Gjykata Kushtetuese e ka rrëzuar kërkesën e tyre me argumentin se “Pretendimi për cenimin e parimit të mosdiskriminimit është i pabazuar, pasi trajtimi financiar nga fondet publike i një partie politike që garon nё zgjedhjet e përgjithshme si subjekt zgjedhor mё vete, nuk mund tё jetё i njёjtё me atё tё njё partie politike që garon nё kuadrin e njё koalicioni, pasi ato nuk ndodhen në rrethana e pozita juridike tё njëjta”.
Vendimi i plotë:
Vendim nr. 27 datë 29.06.2021
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, e përbërë nga: Vitore Tusha, Kryetare, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari, Fiona Papajorgji, Altin Binaj, Sonila Bejtja, Përparim Kalo, anëtarë, me sekretare Enina Kotoni, në datën 17.06.2021 mori në shqyrtim në seancë plenare publike çështjen nr. 3 (P) 2021 të Regjistrit Themeltar, që u përket:
KËRKUESE: PARTIA REPUBLIKANE E SHQIPËRISË, përfaqësuar me autorizim nga z. Dardan Mustafaj avokat.
PARTIA AGRARE AMBIENTALISTE, në mungesë.
PARTIA LËVIZJA PËR ZHVILLIM KOMBËTAR, në mungesë.
PARTIA BASHKIMI PËR TË DREJTAT E NJERIUT, në mungesë.
PARTIA DEMOKRISTIANE E SHQIPËRISË, në mungesë.
SUBJEKTE TË INTERESUARA:
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, përfaqësuar me autorizim nga znj. Mimoza Arbi.
KOMISIONI QENDROR I ZGJEDHJEVE, përfaqësuar me autorizim nga znj. Madalena Koja.
OBJEKTI: Shfuqizimi i fjalisë së dytë të paragrafit të tretë të nenit 88 të Kodit Zgjedhor ku parashikohet: “Për partitë pjesëtare në koalicion, numri i votave të vlefshme takuese përllogaritet duke mbledhur mesataren e votave për mandat për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e tyre”, si e papajtueshme me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
BAZA LIGJORE: Nenet 1, 4, 9, 17, 18, 22, 45, 47, 117, pika 1, 131, pika 1, shkronja “a”, neni 134, pika 1, shkronja “gj” dhe neni 134, pika 2, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; nenet 27, 49, pika 3, shkronja “d”, 50, pika 1, 52, pika 2, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar (ligji nr. 8577/2000).
GJYKATA KUSHTETUESE,
pasi dëgjoi relatorin e çështjes, Përparim Kalo, mori në shqyrtim pretendimet me shkrim të kërkueseve dhe shpjegimet që Partia Republikane dha në seancën gjyqësore, e cila kërkoi pranimin e kërkesës, parashtrimet e subjekteve të interesuara, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (Kuvendi) dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që kanë kërkuar rrëzimin e kërkesës, si dhe diskutoi çështjen në tërësi,
V Ë R E N:
I
Rrethanat e çështjes
1. Kuvendi ka miratuar ligjin nr. 118/2020, datë 05.10.2020 “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë””, të ndryshuar (ligji nr. 118/2020), i cili është botuar në Fletoren Zyrtare nr. 191, datë 03.11.2020 dhe ka hyrë në fuqi 15 ditё pas botimit të tij.
2. Me nenin 9 tё ligjit nr. 118/2020, paragrafit 3 të nenit 88 të Kodit Zgjedhor iu shtua fjalia me kёtё përmbajtje: “Për partitë pjesëtare në koalicion, numri i votave të vlefshme takuese përllogaritet duke mbledhur mesataren e votave për mandat për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e tyre.”.
3. Nga ana tjetёr, neni 180 i Kodit Zgjedhor, i ndryshuar nga neni 42 i ligjit nr. 101/2020, datë 23.07.2020 parashikon: “1. Zbatimi i nenit 88 të këtij ligji për financimin e fushatës zgjedhore për zgjedhjet e para të përgjithshme pas hyrjes në fuqi të tij bëhet duke kryer përllogaritjet në bazë të rezultatit të zgjedhjeve në shkallë vendi për zgjedhjet vendore të vitit 2015 dhe për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017. 2. Për secilën parti përfshihet në përllogaritje shifra që pasqyron numrin më të lartë të votave që partia ka marrë në njërën nga këto dy zgjedhje, kur ajo është jo më e vogël se 1 për qind e votave të vlefshme në zgjedhjet përkatëse. Në përllogaritje përfshihet edhe rezultati i subjekteve zgjedhore, që nuk kanë marrë pjesë në ato zgjedhje, por që kanë marrë pjesë në zgjedhjet vijuese dhe që plotësojnë kushtin e përcaktuar në nenin 88 të këtij ligji për kufirin prej 1 për qind të votave të vlefshme të fituara prej tyre. 3. Totali i fondit buxhetor që është për t’u shpërndarë pjesëtohet me totalin e votave të përftuara nga përllogaritjet sipas pikës 2 të këtij neni. Rezultati që del formon vlerën në lekë për një votë. 4. Në zgjedhjet e para pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, fondi nga Buxheti i Shtetit për financimin e partive pjesëmarrëse në zgjedhje do të jetë 2 herë më i madh se fondi i alokuar për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2017.”.
4. Partia Republikane, Partia Agrare Ambientaliste, Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar, Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Partia Demokristiane e Shqipërisë (kërkueset), tё cilat janё regjistruar për të marrё pjesё nё zgjedhjet e pёrgjithshme tё datёs 25 prill 2021 i janë drejtuar në datën 12.02.2021 Gjykatës Kushtetuese (Gjykata), duke kërkuar shfuqizimin e fjalisë së dytë të paragrafit të tretë të nenit 88 të ligjit nr. 118/2020 me përmbajtjen: “Për partitë pjesëtare në koalicion, numri i votave të vlefshme takuese përllogaritet duke mbledhur mesataren e votave për mandat për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e tyre.”.
5. Kolegji i Gjykatës Kushtetuese në datën 02.04.2021, vendosi kalimin e çështjes për shqyrtim paraprak në Mbledhjen e Gjyqtarëve, e cila në datën 21.04.2021 vendosi kalimin e saj në seancë plenare publike.
6. Zgjedhjet e pёrgjithshme parlamentare u zhvilluan nё datёn 25 prill 2021. Tё pesta kёrkueset kanё marrё pjesё nё zgjedhje si pjesё e koalicionit PD-AN.
7. Gjatë seancës plenare publike për subjektet kërkuese në gjykimin kushtetues, u paraqit vetëm Partia Republikane. Kërkueset e tjera, megjithëse morën dijeni rregullisht për zhvillimin e seancës, nuk u paraqitën dhe as depozituan parashtrime me shkrim.
II
Pretendimet në Gjykatën Kushtetuese
8. Kërkueset dhe mё tej Partia Republikane, edhe nё seancёn publike, kanё parashtruar në mënyrë të përmbledhur se norma objekt kundёrshtimi cenon:
8.1. Parimin e barazisë para ligjit dhe të mosdiskriminimit, i parashikuar në nenin 18 të Kushtetutës, pasi ajo kushtëzon financimin e subjekteve për fushatën zgjedhore, duke u mbёshtetur vetëm mbi njё kriter: pjesëmarrjen ose jo në koalicion parazgjedhor, duke krijuar kështu situatë pabarazie mes subjekteve pjesëmarrëse në zgjedhje. Koalicioni si subjekt zgjedhor është formë organizimi qё mund tё krijohet ad hoc me pjesëmarrjen e disa subjekteve me synimin e marrjes tё sa mё shumё votave në zgjedhje. Norma objekt kundërshtimi krijon situatë diskriminuese për koalicionin, pasi ndryshe nga subjektet zgjedhore qё konkurrojnë mё vete, jo të gjitha votat e fituara prej koalicionit prodhojnë mandate përfaqësimi. Shteti e ka për detyrë të qëndrojë asnjanës në financimin publik të fushatës zgjedhore dhe në zbatim të parimit të barazisë “proporcionale”, të respektojë dhe garantojë parimin e shanseve të barabarta për të gjitha partitë pjesëmarrëse në zgjedhje. Norma e shtuar synon të pengojë partitë politike për t’u inkuadruar në koalicione zgjedhore, madje t’i largojë fare nga gara elektorale, kur parandjejnë se mundësia e zgjedhjes sё kandidateve të paraqitur prej tyre ёshtё e vakët. Partitë politike kanë nevojë për financim për të përmbushur funksionet e tyre si gjatë periudhës zgjedhore, ashtu edhe gjatё veprimtarisё sё pёrditshme, bazuar nё parimin e mundësive të barabarta, nё kuadrin e proporcionalitetit, sipas votave tё marra prej tyre. Formula e re e pёrllogaritjes sё votave tё partive që inkuadrohen në koalicion krijon diskriminim krahasuar me partitё qё garojnё mё vete. Këtyre të fundit, pёr efekt financimi pёr zgjedhjet, u llogariten tё gjitha votat, gjë që ua konsolidon pozitёn nё spektrin politik. Ndarja e fondeve të buxhetit të shtetit për efekt të fushatës zgjedhore në favor të subjekteve zgjedhore, mbi bazën e kriterit aritmetik dhe të barazisë proporcionale, janë kriteret e duhura e të drejta dhe zëvendësimi i tyre me kritere të tjera kufizuese ose përjashtuese, sjell ndikim negativ të drejtpërdrejtë mbi të drejtën kushtetuese themelore të zgjedhjes.
8.2. Barazinë e votës dhe barazinë e konkurruesve në zgjedhje. Financimi i subjekteve zgjedhore nga buxheti i shtetit për fushatën zgjedhore ёshtё njё e drejtё me rëndësi kushtetuese, e cila shkrihet me parimin e barazisë së votës. Shpërndarja e financimit duhet tё bëhet bazuar në numrin e votave qё fiton çdo subjekt zgjedhor. Norma e re cenon shanset e barabarta të subjekteve zgjedhore, sepse i jep shtetit në dorë njё mekanizёm nёpёrmjet tё cilit mund të favorizohen subjektet që garojnë mё vete, Ligjvënësi ka parashikuar qё shpërndarja e fondeve tё bёhet sipas rezultatit të tё gjitha votave pёr subjektet zgjedhore qё garojnё më vete, ndërkohë norma objekt kundёrshtimi e ka kufizuar financimin e partive qё garojnё brenda koalicioneve, duke u llogaritur vetёm votat me të cilat krijohet mandat, pra, duke mos përfshirë në llogaritje edhe votat që secila nga partitë e koalicionit mund tё fitojё përtej numrit të votave që nevojiten pёr tё prodhuar mandat.
8.3. Janë cenuar edhe parashikimet e nenit 83, paragrafi 3, tё Kushtetutёs, pasi ёshtë shkelur procedura e miratimit tё ligjit nr. 118/2020, duke pёrdorur procedurёn e pёrshpejtuar. Nga verifikimi i procesverbaleve të Komisionit për Çështjet Ligjore, Administratës Publike dhe të Drejtat e Njeriut rezulton se ligji është shqyrtuar në datën 28.09.2020 dhe është votuar në datën 05.10.2020, afate që flasin pёr zbatimin e një procedure të përshpejtuar.
9. Subjekti i interesuar, Kuvendi, ka parashtruar në mënyrë të përmbledhur si mё poshtё:
9.1. Pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor me ligjet nr. 101/2020 dhe nr. 118/2020, partive iu krijua mundёsia e barabartё të hyjnë me vullnetin e tyre të lirë në garën zgjedhore, të vlerësojnë dhe të zgjedhin mënyrën e konkurrimit në zgjedhje, pra si subjekte më vete ose brenda koalicioneve dhe, për rrjedhojë, në bazë të rregullave të përcaktuara më parë, të parashikojnë shkallёn e suksesit tё tyre. Koalicioni i partive politike regjistrohet si subjekt zgjedhor me listë të përbashkët.
9.2. Marrja pjesё nё garё brenda koalicionit e bёn tё pamundur të votohet nominalisht pёr partitë politike qё janё pjesë e koalicionit, pasi votimi bёhet pёr koalicionin si subjekt. Nisur nga rëndësia e financimit të fushatës zgjedhore, për të bërë të mundur që nga fondet e financimit që merr koalicioni si subjekt zgjedhor të përfitojnë edhe partitë që inkuadrohen brenda tij, ligjvёnёsi nuk e ka lënë atë në fatin e marrëveshjeve private ndёrpartiake tё koalicioneve zgjedhore, por ka vendosur ta normojë nё mёnyrё taksative në Kodin Zgjedhor. Pёr sa i pёrket financimit tё partive qё garojnё mё vete, ai pёrllogaritet sipas numrit tё votave të vlefshme të fituara prej tyre si subjekte zgjedhore, si dhe të numrit të votave që marrin kandidatët, duke e shumëzuar numrin e përgjithshëm të tyre me vlerën në lekë pёr çdo votё. Nëpërmjet kësaj norme ligjvёnёsi ka pёrdorur diskrecionin e vet për të bёrё tё mundur llogaritjen sa mё tё pёrafёrt tё peshës elektorale të secilёs parti politike dhe financimin e tyre me fonde publike sipas peshës përkatëse.
9.3. Pretendimi për cenimin e parimit të mosdiskriminimit është i pabazuar, pasi trajtimi financiar nga fondet publike i një partie politike që garon nё zgjedhjet e përgjithshme si subjekt zgjedhor mё vete, nuk mund tё jetё i njёjtё me atё tё njё partie politike që garon nё kuadrin e njё koalicioni, pasi ato nuk ndodhen në rrethana e pozita juridike tё njёjta. Një koalicion ka mundësi e shanse më të mëdha të marrë vota, veçanërisht në kushtet aktuale të Kodit Zgjedhor qё parashikon se koalicionet garojnё me lista të përbashkëta kandidatёsh. Ndryshimi kushtetues qё uli pragun elektoral kombёtar synon tё nxisë dhe motivojё partitё e vogla politike pёr t’u mundёsuar atyre përfaqësimin në parlament pёrmes platformave politike bindёse, pa u kufizuar në marrjen e votave në njё ose disa zona zgjedhore, por duke u shtrirë nё njё hapёsirё mё tё gjerё territoriale.
10. Subjekti i interesuar, KQZ-ja, ka prapësuar, duke argumentuar:
10.1. Neni 19, paragrafi 1, shkronjat “k” dhe “n”, të ligjit nr. 10019, datë 29.12.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, parashikon kompetencën e Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për përcaktimin e fondit publik që do t’u shpërndahet si paradhënie partive të regjistruara si subjekte zgjedhore.
10.2. KQZ-ja ka autoritetin dhe përgjegjësinë të mbikëqyrë dhe të kontrollojё fondet e pёrfituara dhe shpenzimin e tyre nga partitë politike, si gjatë ashtu edhe jashtë periudhës zgjedhore, si dhe të hartojë aktet nënligjore në zbatim të Kodit Zgjedhor dhe ligjit 8580/2000 “Për partitë politike”, të ndryshuar.
10.3. Nenet 88 dhe 180 të Kodit Zgjedhor, të ndryshuar, përcaktojnë mënyrën e përllogaritjes sё fondit tё pёrgjithshёm dhe shumën që i takon të marrë secila parti në formë paradhënieje. Neni 88 i Kodit Zgjedhor parashikon se subjektet pjesëmarrëse në zgjedhje, tё cilat kanë marrë jo më pak se 1 % në shkallë vendi në zgjedhjet pararendëse të të njëjtit lloj, përfitojnë fonde nga buxheti i shtetit në bazë të numrit të votave që kanё marrë në ato zgjedhje.
10.4. Vlera monetare e një vote të vlefshme përcaktohet nga KQZ-ja bazuar në rezultatet përkatëse dhe shuma takuese llogaritet duke shumëzuar vlerën e një vote me numrin e votave të vlefshme që ka fituar secila parti në zgjedhjet pararendëse.
10.5. Kërkueset vendosёn që në zgjedhjet e 25 prillit 2021 të marrin pjesë jo më vete, por brenda koalicionit PD-AN, i cili garoi nën një sigël të vetme dhe me listë të përbashkët kandidatёsh. Kёta të fundit shfaqen në fletën e votimit jo si kandidatё tё partisë së tyre, por si kandidatë të koalicionit. Nga ana tjetër, në fletën e votimit nuk shfaqet as emri, as sigla e partive pjesëtare të koalicionit. Zgjedhësit kanё tё drejtё tё votojnё kandidatin qё parapëlqejnё nё listёn shumëemërore tё koalicionit. Nëse ligjvënësi do të kishte pasur si qëllim tё evidentonte partinё politike të kandidatit do tё kishte gjetur edhe zgjidhje pёr ta pasqyruar partinё pёrkatёse nё fletën e votimit, por ai nuk e ka lidhur votën parapëlqyese brenda një koalicioni me përkatësinë partiake të kandidatit.
10.6. Pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2020, ku përfshihej ndryshimi në konceptimin e sistemit zgjedhor, ligjvënësi e çmoi të domosdoshme tё bёnte ndryshime edhe nё Kodin Zgjedhor, ku bën pjesë edhe formula e re për ndarjen e fondeve përkatëse të buxhetit të shtetit për partitë pjesëtare në koalicione. Ky ndryshim bёn tё mundur qё partitё politike pjesëtare tё koalicioneve nga njëra anë, dhe KQZ-ja, nga ana tjetër, të përllogarisin shumёn takuese tё financimit pёr secilёn parti tё koalicionit. Kjo pёrllogaritje mund tё arrihej edhe me marrëveshje brenda tij, por partitё pjesёtare tё tij do tё ndodheshin nё njё situatё pasigurie, pasi tё gjitha tё drejtat e detyrimet sipas Kodi Zgjedhor mbahen dhe ushtrohen nga partia udhëheqëse e koalicionit.
III
Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese
A. Pёr legjitimimin e kёrkueseve
11. Legjitimimi i subjekteve kërkuese (locus standi) është çështje e rëndësishme qё kushtëzon vënien nё lëvizje tё procesit kushtetues. Partitë politike, bazuar në nenin 134, pika 1, shkronja “gj”, nenin 134, pika 2, të Kushtetutës, si dhe në nenin 49, pika 3, shkronja “d” dhe pika 4, të ligjit nr. 8577/2000, bëjnë pjesë në rrethin e subjekteve që mund të paraqesin kërkesë në Gjykatën Kushtetuese vetëm për çështje që lidhen me interesat e tyre.
12. Kёrkueset, konkretisht Partia Republikane e Shqipërisë (PR), Partia Agrare Ambientaliste (PA), Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar (LZHK) dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut (PBDNJ), janё parti politike tё themeluara e tё regjistruara rregullisht dhe nisur nga kjo, Gjykata vlerёson se ato legjitimohen ratione personae. Pёr mё tepёr, njёra prej tyre, PR-ja, e ka vënë disa herё në lëvizje Gjykatën pёr kontrollin kushtetues tё normave (shih vendimet nr.15, datë 15.04.2010; nr.28, datë 09.05.2012; nr.1, datë 16.01.2017; nr.11, datë 09.03.2021 të Gjykatës Kushtetuese).
13. Gjykata vlerёson se kёrkueset legjitimohen edhe ratione temporis, bazuar në nenin 50, pika 1, të ligjit nr. 8577/2000, sipas tё cilit kërkesat në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e pajtueshmërisë së ligjit me Kushtetutën duhet tё paraqiten brenda dy viteve pas datës së hyrjes në fuqi e aktit. Në rastin konkret, ligji nr. 118/2020 ka hyrë në fuqi nё datën 18.11.2020 dhe kërkesa në Gjykatën Kushtetuese është depozituar nё datën 12.02.2021, pra brenda afatit ligjor.
14. Për sa i përket legjitimimit ratione materiae, Gjykata vlerëson se është rasti të ritheksojë qëndrimin e saj se në gjykime me objekt kontrollin e kushtetutshmërisë së normës, subjektet që parashikohen në nenin 134, pika 2, të Kushtetutës kanë detyrimin të provojnë lidhjen e domosdoshme që duhet të ekzistojë ndërmjet funksionit e veprimtarisë ligjore që ato kryejnë dhe çështjes kushtetuese të ngritur. Partitë politike përfshihen në nenin 134, paragrafi 1, shkronja “gj“, të Kushtetutës si subjekte që e ushtrojnë në mënyrë të kushtëzuar të drejtën për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese. Ato kanë legjitimitet kushtetues vetëm për çështjet që lidhen me interesat e tyre dhe Gjykata ka theksuar se nё çdo rast interesat duhet tё provohen dhe justifikohen.
15. Konkretisht, kërkuesi duhet, së pari, të saktësojë se në çfarë cilësie vepron kundër normës së kundërshtuar dhe, më pas, të vërtetojë se në çfarë mënyre mund të preket në një aspekt të çfarëdoshëm të situatës së tij, pra duhet të provojë lidhjen e drejtpërdrejtë dhe të individualizuar që ekziston midis situatës së tij dhe normës që kundërshton (shih vendimin nr. 16, datë 25.07.2008 të Gjykatës Kushtetuese). Interesi për të vepruar duhet të jetë i sigurt, i drejtpërdrejtë dhe vetjak (shih vendimet nr. 2, datë 28.04.2009; nr .16, datë 25.07.2008; nr. 9, datë 19.03.2008; nr. 41, datë 16.11.2007; nr. 35, datë 10.10.2007; nr. 11, datë 04.04.2007; nr. 9, datë 26.02.2007 të Gjykatës Kushtetuese).
16. Partitë politike në sistemin e zgjedhjeve, veçanërisht në procesin zgjedhor, që nga fushata parazgjedhore, paraqitja e kandidatëve, formimi i trupave zgjedhore, ndjekja e zgjedhjeve e deri te ndarja e mandateve, paraqiten si faktorë përcaktues shumë të rëndësishëm. Prandaj, si demokracia përfaqësuese, ashtu edhe sistemi i zgjedhjeve nuk mund të paramendohen pa ekzistencën dhe funksionimin e partive politike. Ky pozicion i veçantë që partitë politike kanë në raport me zgjedhjet, përcakton njëkohësisht edhe interesin e tyre për të pasur një legjislacion dhe rregulla sa më të qarta e të drejta (shih vendimet nr. 11, datë 13.03.2015; nr. 1, datë 07.01.2005 të Gjykatës Kushtetuese).
17. Nisur nga sa më lart, Gjykata vlerëson se kërkueset legjitimohen edhe ratione materiae, pasi ato pretendojnë se fjalia e dytё nё paragrafin 3 tё nenit 88 tё Kodit Zgjedhor “Për partitë pjesëtare në koalicion, numri i votave të vlefshme takuese përllogaritet duke mbledhur mesataren e votave për mandat për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e tyre”, shtuar përmes nenit 9 të ligjit nr. 118/2020, cenon parimin e barazisë para ligjit dhe të mosdiskriminimit, barazinë e votës dhe konkurrimin e lirë të partive, duke deformuar financimin e drejtё që duhet të zbatohet për të gjitha partitë politike.
18. Pёrveç pretendimeve pёr cenimin e barazisё para ligjit dhe tё mosdiskriminimit si dhe tё barazisё sё votёs dhe konkurrimit nё zgjedhje, kërkueset kanë pretenduar, gjithashtu, se ligji që përmban normën objekt kundërshtimi është miratuar me procedurë të përshpejtuar, pra në shkelje të nenit 83, paragrafi 3, të Kushtetutës. Gjykata vëren se ky pretendim ka tё bёjё me çёshtje tё njё natyre kryesisht procedurale, formale, por duke qenë se ai ёshtё ngritur nё kuadrin e pretendimeve me natyrё materiale, pёr tё cilat kёrkueset legjitimohen, ajo gjykon se është me vend ta vlerësojë edhe atë bashkё me shqyrtimin e pretendimeve tё themelit.
19. Në vijim, Gjykata do të analizojë pretendimet e parashtruara në kërkesë, në këndvështrim të parimit të barazisë para ligjit të lidhur me mosdiskriminimin, si dhe të parimit të barazisë së votës tё lidhur me konkurrimin e lirë.
B. Për themelin e pretendimeve
B.1. Për parimin e barazisë para ligjit, të barazisë së votës dhe konkurrimit të lirë
20. Kërkueset pretendojnë se norma objekt kundёrshtimi cenon parimin e barazisë para ligjit dhe të mosdiskriminimit, pasi krijon situatë pabarazie të subjekteve zgjedhore, sepse i trajton ndryshe vetёm duke u bazuar nё faktin e pjesëmarrjes së tyre nё zgjedhje si subjekt mё vete ose si pjesё e njё koalicioni zgjedhor. Jo vetёm partitё e koalicionit, por edhe vetё koalicioni diskriminohet, pasi do të marrë më shumë vota sesa mandate, kështu që jo të gjitha votat do të prodhojnë mandate përfaqësimi. Detyrimi për paanësi në financimin publik të fushatës zgjedhore, sipas parimit të barazisë “proporcionale”, nёnkupton respektimin e parimit tё shanseve të barabarta të të gjitha partive pjesëmarrëse në garën zgjedhore. Gjithashtu, cenohet edhe veprimtaria politike e partive, pasi ky parashikim ligjor bën rregullim të posaçëm, përjashtimor, të mënyrës së zakonshme të ndarjes së fondit buxhetor për partitë, që bazohet te votat që ato kanë fituar, duke parashikuar që për partitë pjesëtare në koalicione numri i votave takuese pёrcaktohet nga mandatet që do të fitojë secila parti e koalicionit.
21. Kërkueset, në kuadër të parimit të barazisë para ligjit dhe shtetit të së drejtës, kanë pretenduar se fjalia e dytë e paragrafit 3 të nenit 88 të Kodit Zgjedhor bie në kundërshtim me parimin e barazisë së votës dhe të konkurrimit të lirë. Shpërndarja e financimit duhet tё bëhet duke llogaritur çdo votë, nё kёtё kuptim dispozita cenon shanset e barabarta të subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhje dhe i jep shtetit mundёsinё tё favorizojё ato që garojnë më vete. Nuk ekzistonte asnjë arsye qё nё ligjin zgjedhor të shtohej dispozita pёr krijimin e mekanizmave qё cenojnë trajtimin e drejtë dhe shanset e barabarta në një garë zgjedhore. Shpërndarja e fondeve të financimit nga buxheti i shtetit për fushatën zgjedhore është proces me rëndësi kushtetuese dhe pjesë përbërëse e parimit të barazisë së votës. Për këtë arsye, zbatimi i tij dikton nevojën e përcaktimit të kritereve të sakta për ndarjen e barabartë, proporcionalisht, të fondeve të buxhetit të shtetit për fushatën zgjedhore, bazuar në numrin e votave të fituara nga secila parti politike, duke shmangur vendosjen e kritereve qё janë në kundërshtim me parimin e barazisë së votës.
22. Subjekti i interesuar, Kuvendi, ka prapësuar se pas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, koalicioni i partive politike, si subjekt zgjedhor, regjistrohet dhe shfaqet me listë të përbashkët dhe është e pamundur të votohet nominalisht partia politike që është pjesë e koalicionit. Vlera e financimit që përfiton një parti nga buxheti i shtetit llogaritet mbi numrin e votave të vlefshme të fituara prej saj në zgjedhjet e përgjithshme, shumëzuar me vlerën monetare të një vote. Ndryshimet në Kodin Zgjedhor e bёjnë të pamundur matjen e peshёs elektorale tё një partie politike pjesëtare të njё koalicioni. Kuvendi ka vendosur që për shkak të rëndësisë që paraqet financimi publik i partive politike, sidomos ai i fushatave zgjedhore, të mos ia lërë atë në dorë marrëveshjeve private mes partive të një koalicioni zgjedhor, por të normohet shprehimisht, në mënyrë taksative, në Kodin Zgjedhor. Edhe pretendimi për cenimin e parimit të mosdiskriminimit është i pabazuar, pasi nuk mund të vihet shenja e barazimit nё trajtimin financiar nga fondet publike mes një partie politike që konkurron si subjekt zgjedhor mё vete dhe një partie politike që konkurron nё pёrbёrje tё një koalicioni zgjedhor. Duke mos qenë në të njëjtat rrethana dhe pozita juridike, nuk mund të ketë rregullim ligjor tё njёjtё për këto subjekte. Me ndryshimet në Kodin Zgjedhor, sipas Kuvendit, partive iu krijuan mundësi tё barabarta, pasi secila prej tyre ka tё drejtё të hyjë me vullnet të lirë në garën zgjedhore, të vlerësojë dhe të zgjedhё mënyrën e përfaqësimit dhe të konkurrimit në zgjedhje, si subjekt më vete ose brenda një koalicioni, dhe, për rrjedhojë, në bazë të rregullave të përcaktuara që më parë, të parashikojë pritshmëritë lidhur me shpërndarjen e financimit në bazë të votave dhe mandateve të marra.
23. Subjekti i interesuar, KQZ-ja, ka prapësuar se para ndryshimeve kushtetuese tё vitit 2020, çështja e ndarjes së fondeve buxhetore nё Kodin Zgjedhor trajtohej bazuar në konceptin e koalicioneve të përbëra, nё fletёt e votimit të të cilave shfaqeshin emrat e partive pёrbërëse. Pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2020, tё cilat sollёn një koncept tё ri tё sistemit zgjedhor, ligjvënësi e çmoi të domosdoshme tё bёnte ndёrhyrje nё paragrafin 3 të nenit 88 të Kodit Zgjedhor, duke shtuar fjalinë që përcakton formulën për mёnyrёn e shpёrndarjes sё fondeve partive pjesëtare të koalicioneve. Po të mos shtohej kjo fjali as partitё politike pjesëtare të një koalicioni, as KQZ-ja nuk do tё ishin nё gjendje të përllogaritnin fondet takuese për to. Duke interpretuar mё gjerë dispozitat e Kodit Zgjedhor, marrёveshja e koalicionit mund të ishte njё instrument pёr të zgjidhur edhe marrёdhёniet financiare midis këtyre partive, por në çdo rast të drejtat dhe detyrimet që njeh Kodi Zgjedhor pёr tё, do të ushtroheshin nga partia udhëheqëse e tij.
24. Partitë politike luajnë një rol të rëndësishëm në sistemin demokratik pluralist, pasi kontribuojnë në shfaqjen dhe përfaqësimin e vullnetit politik të popullit përmes pjesëmarrjes në zgjedhje dhe ndihmojnë në realizimin e sovranitetit të tij. Për shkak të këtyre funksioneve ato konsiderohen pjesëtare të domosdoshme dhe faktorё në zhvillimin e jetës politike e shoqёrore të vendit. Nё kuptimin kushtetues ato paraqiten si bashkime vullnetare mbi bazën e ideve, të bindjeve e pikëpamjeve politike të përbashkëta, që synojnë të ndikojnë në jetën e vendit nëpërmjet pjesëmarrjes në zgjedhje dhe përfaqësimit të popullit në organet e zgjedhura të pushtetit (shih vendimet nr. 11, datë 13.03.2015; nr. 1, datë 07.01.2005 të Gjykatës Kushtetuese).
25. Gjykata konstaton se Kushtetuta i ka kushtuar rëndësi të veçantë partive politike, nё funksion tё parimeve tё qeverisjes sё vendit, bazuar nё njё sistem zgjedhjesh tё lira, tё barabarta, tё pёrgjithshme e periodike (neni 1); ushtrimit tё sovranitetit tё popullit nёpёrmjet pёrfaqёsuesve tё tij (neni 2) dhe pluralizmit politik, i cili pёrbёn njё prej bazave tё kёtij shteti, qё ka pёr detyrё ta respektojё dhe ta mbrojё (neni 3). Në këtë kontekst, Kushtetuta jo vetëm garanton krijimin dhe veprimtarinё e lirё tё partive politike (neni 9), por u ka dhёnё atyre edhe njё rol tё posaçёm kushtetues nё lidhje me paraqitjen e kandidatёve nё procesin zgjedhor (neni 68) dhe nё formimin e qeverisё (neni 96).
26. Financimi i partive politike është jetik për përmbushjen e rolit tё tyre kushtetues, edhe pёrtej fushatave zgjedhore. Të ndërgjegjshme për kёtё rol, ato duhet të bëjnë pёrpjekje për të siguruar të ardhura nga burime alternative, përveç kontributit nga buxheti i shtetit, sikurse janë ato qё parashikohen nё ligjin organik, si kontributet e anёtarёsisё, dhurimet nё tё holla, nё natyrё ose në formё shërbimesh e sponsorizimesh, si dhe huat ose kreditë sipas ligjit. Financimi i fushatës zgjedhore nga buxheti i shtetit kёrkon vёmendje tё shtuar pёr tё shmangur tendencat e mundshme tё ndikimit të papërshtatshëm që mund të ushtrojnë mbi to dhuruesit privatё, pёr tё krijuar favore klienteliste. Financimi i shtetit për partitë politike është thelbësor për të garantuar pavarësinë e tyre nga burimet e tjera financiare dhe për t’i siguruar mundësinë për të konkurruar nga një pozicion i barabartë. Sa më shumë tё subvencionohen nga shteti, aq më pak partitë politike do ta ndiejnë nevojën pёr të kërkuar fonde për veprimtarinë e tyre nga burime të tjera (shih vendimin nr. 28, datë 09.05.2012 të Gjykatës Kushtetuese).
27. Gjykata është shprehur se edhe pse në parim mbështetja financiare e shtetit ndaj partive politike ka rëndësi në një shtet të së drejtës, kjo nuk do tё thotё se ajo ёshtё e pakufizuar. Gjykata vlerëson se kjo mbështetje mund të kufizohet mbi bazën e kontributit të partive politike, duke e vlerësuar atë në termat e “seriozitetit të përpjekjeve të partive konkurruese” ose të “seriozitetit të qëllimeve elektorale të tyre” , që shpreh një shkallë të përfaqësimit të tyre (shih vendimin nr. 28, datë 09.05.2012 të Gjykatës Kushtetuese).
28. Nga sa më lart, meqenëse kërkueset ngrenë pretendime për mënyrën e përllogaritjes së votave të fituara në zgjedhjet e përgjithshme, si anëtare të koalicionit, Gjykata vëren se në nenin 64 të Kushtetutёs përcaktohet sistemi zgjedhor në Republikën e Shqipërisë dhe partitë politike përcaktohen me termin “subjekt zgjedhor”. Në Kodin Zgjedhor ky termi, përveç partive politike, u referohet edhe koalicioneve dhe kandidatëve të propozuar nga zgjedhësit. Kodi rregullon edhe mënyrën e regjistrimit të koalicioneve (neni 65). Termi “koalicion” përmendet edhe në nenin 96, paragrafi 1, të Kushtetutës sipas së cilit: “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i Kryeministrit mbetet vakant, emëron Kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicë ne vendeve në Kuvend.”. Koalicioni, si koncept nuk trajtohet as nga ligji nr. 8580/2000 “Pёr partitё politike”, i ndryshuar, as nga Kodi i Praktikës së Mirë për Çështjet Zgjedhore. Termi “koalicion” në kuptimin e mirëfilltë gjuhësor është lidhje ose aleancë e përkohshme ndërmjet shteteve, partive (shih Fjalorin e Gjuhës Shqipe, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2006).
29. Gjykata, në vijim të sa shtjellohet nё paragrafёt pararendёs, vlerëson se koalicioni është një formë organizimi, bashkim i përkohshëm i dy ose më shumë partive, i cili gëzon të njëjtat të drejta themelore si të ishte një parti politike, por u nënshtrohet rregullave ligjore që Kodi Zgjedhor parashikon posaçërisht në lidhje me mёnyrёn e trajtimit dhe të pёrllogaritjes sё votave tё marra prej tij si subjekt zgjedhor.
30. Sipas Kodit të Praktikës së Mirë në Fushën për Çёshtjet Zgjedhore, aty ku legjislacioni parashikon financimin publik, partitë politike duhet të kenë akses dhe të zbatojnë kërkesat minimale, të cilat duhet të jetë të arsyeshme dhe jo diskriminuese (shih opinionin nr. 190/2002, Komisioni i Venecies, datë 18-19 tetor 2002).
31. Edhe sipas Direktivave për Financimin e Partive Politike financim publik duhet të përfitojë çdo parti e përfaqësuar në parlament. Megjithatë, që të sigurohet barazia e mundësive për forcat e ndryshme politike, financimi publik mund të shtrihet edhe te subjektet politike që përfaqësojnë një pjesë domethënëse të elektoratit dhe që paraqet kandidatë për t’u zgjedhur. Masa e financimit mund të përcaktohet nga ligjvënësi në mënyrë periodike, bazuar në kritere objektive. Nё kёtё drejtim rёndёsi merr edhe pёrdorimi i arsyeshёm i sё drejtёs qё ka ligjvёnёsi pёr tё pёrdorur hapёsirёn e vet diskrecionale, pasi kjo e drejtё duhet ushtruar nё harmoni me detyrimin pёr garantimin e njёrit prej parimeve themelore kushtetuese, siç ёshtё ai i barazisё. (shih dokumentin e Komisionit të Venecies (2001) 8, mbledhja e 46-të plenare, datë 9-10 mars 2001).
32. Duke iu rikthyer pretendimeve të parashtruara në kërkesë dhe gjatë seancës plenare, Gjykata vëren se, në thelb, ato kanë të bëjnë me cenimin e parimit të barazisë përpara ligjit dhe konkurrimit të lirë, prandaj bazuar në parimin iura novit curia do t’i analizojë ato nën dritën e parimit të barazisë përpara ligjit, në këndvështrim të konkurrimit të lirë tё partive në zgjedhje.
33. Në nenin 18 të Kushtetutës garantohet shprehimisht barazia para ligjit, kurse në paragrafët 2 dhe 3 të tij sanksionohet se askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht, ndër të tjera, as për shkak të bindjeve politike. Nё jurisprudencёn kushtetuese ёshtё theksuar se parimi i barazisë synon që të gjithë të jenë të barabartë në ligj dhe përpara ligjit, dhe jo vetëm në të drejtat themelore të parashikuara në Kushtetutë, por edhe në të drejtat e tjera ligjore (shih vendimin nr. 78, dat 22.12.2015 të Gjykatës Kushtetuese).
34. Barazia në ligj dhe para ligjit nuk do të thotë që të ketë zgjidhje të njëllojta për individë ose kategori personash që janë në kushte objektivisht të ndryshme. Barazia para ligjit dhe në ligj presupozon barazinë e individëve që janë në kushte të barabarta. Megjithatë, parimi i barazisë nuk e ndalon trajtimin e diferencuar, por trajtimi i ndryshëm i kategorive të caktuara që përfitojnë nga kjo e drejtë mund të përligjet vetëm në raste përjashtimore dhe për shkaqe të arsyeshme e objektive (shih vendimet nr. 10, datë 29.02.2016; nr. 71, datë 27.11.2015; nr. 4, datë 12.02.2010; nr. 19, datë 09.07.2009; nr. 39, datë 16.10.2007 të Gjykatës Kushtetuese).
35. Gjykata ka përcaktuar disa standarde për të vlerësuar nëse një ligj është diskriminues, bazuar në kushtet dhe kriteret qё parashikohen nё nenin 18 të Kushtetutës. Në të tilla raste ajo shqyrton nëse ligji parashikon trajtim të diferencuar të subjekteve dhe, në rast se e konstaton këtë fakt, vlerëson nëse diferencimi ka qenë i përligjur dhe për arsye objektive. Kjo përligjje vlerësohet e lidhur me qëllimet dhe efektet e masave të marra. Gjithashtu, nuk mjafton vetëm diferencimi i përligjur, por edhe që mjeti i përzgjedhur për arritjen e qëllimit të ligjvënësit të jetë i arsyeshëm dhe i përshtatshëm (shih vendimin nr. 48, datë 15.11.2013 të Gjykatës Kushtetuese).
36. Gjithashtu, Gjykata në jurisprudencën e saj ka theksuar se përkufizimi i një rregullimi juridik pavarësisht nëse është ose jo objektivisht i arsyetuar, kërkon edhe një vlerësim real. Diferencimet, si dhe arsyet që çojnë tek to ose kundër tyre, duhen ballafaquar për t’ia lënë në dorë përfundimisht vendimin organit kompetent, sipas kritereve të tij. Mënyra e zgjidhjes është një e drejtë e organit përkatës, sepse çdo çështje ka specifikat e saj. Sipas praktikës së Gjykatës, jemi para diskriminimit, kur subjekte juridike që ndodhen në të njëjtën gjendje trajtohen në mënyra të ndryshme pa justifikim ligjor të arsyeshëm dhe objektiv. Natyrisht që përkufizimi i çdo kriteri për ta cilësuar arsyetimin objektiv varet në një masë të madhe nga çmuarja e vlerave dhe nuk mund të jetë i përcaktuar në mënyrë precize (shih vendimet nr. 48, datë 15.11.2013; nr. 4, datë 12.02.2010 të Gjykatës Kushtetuese).
37. Në lidhje me parimin e konkurrimit të lirë të partive politike shteti ka detyrimin të respektojë shanset e barabarta të të gjitha partive dhe legjislacionin që rregullon kushtet e këtij konkurrimi, si dhe mosmarrёveshjet midis pjesëmarrësve në të. Duke qenë se parimi i konkurrimit të lirë ndikon në respektimin e parimit të barazisë para ligjit, çdo ndërhyrje nga ligjvënësi mbi këto kushte duhet të udhëhiqet nga interesi publik. Ligjvënësi e ka të ndaluar të trajtojë palët në mënyrë të dallueshme nga njëra-tjetra, përveçse kur ekzistojnë arsye të forta përjashtimore për ta bërë këtë (shih vendimin nr. 32, datë 21.06.2010 të Gjykatës Kushtetuese).
38. Nga ana tjetër, Gjykata ka theksuar se është e drejtë e ligjvënësit të përcaktojë me ligj masёn e buxhetit të shtetit që do të jepet për financimin e partive politike. Ligjvënësi e ka lidhur shpërndarjen e këtyre fondeve me rezultatin e zgjedhjeve dhe numrin e mandateve përfaqësuese në Kuvend, sepse kjo reflekton pozicionin real të një partie politike dhe veçanërisht shkallën e pjesëmarrjes në pushtetin legjislativ. Ky është një kriter i mjaftueshëm për t’i ndarë partitë politike në ato që kanë një domethënie reale për veprimtarinë politike në vend, bazuar në vullnetin e votuesve që ato përfaqësojnë, dhe në ato që nuk arrijnë të përfaqësojnë një pjesë domethënëse të zgjedhësve, pasi rezultojnë të pasuksesshme në zgjedhje. Ky parashikim ka si qëllim të kufizojë ekzistencën e subjekteve që marrin pjesë në zgjedhje, kryesisht për të përfituar fonde nga buxheti i shtetit, por që nuk kanë peshë reale në jetën politike të vendit dhe mbështetje domethënëse nga zgjedhësit. Partitë politike kryejnë funksionin e përfaqësimit të interesave të ndryshme dhe synojnë realizimin/përmbushjen e tyre me mjete demokratike, pra përfaqësimit në asambletë përfaqësuese. Ato parti që nuk marrin pjesë në zgjedhje, ose nuk marrin mjaftueshëm mbështetje publike, qartësisht nuk japin të njëjtin kontribut në përcaktimin e vullnetit politik të popullit (shih vendimin nr. 28, datë 09.05.2012 të Gjykatës Kushtetuese).
39. Financimi i partive politike është shqyrtuar edhe nga gjykatat kushtetuese të vendeve të tjera. Kështu, ajo e Republikës Çeke ka ndalur në të drejtat e partive politike për të përfituar financim për fushatёn zgjedhore, duke përcaktuar pragun dhe vlerën monetare për çdo votë, por nuk bёn dallim për partitë politike që garojnë nё koalicione. Ajo ka vlerësuar se kufizimi i shtetit i vendosur për financimin nga buxheti i shtetit nuk ishte antikushtetues, për sa kohë ai nuk shkon mbi pragun e arsyeshëm që nxit pjesëmarrjen e partive politike në zgjedhje (shih vendimin nr. IV 82S 828/17 të Gjykatës Kushtetuese të Çekisë). Gjithashtu, ajo ka gjykuar për qëllimin e financimit, duke arritur në përfundimin se është me rëndësi që ky financim të garantojë seriozitetin e zgjedhjeve, jo të pengojë konkurrencën e lirë të partive politike, duke vendosur një prag të arsyeshëm nёn 2% (shih vendimin nr. Pl. ÚS 30/980 të Gjykatës Kushtetuese të Çekisë).
40. Çështja e financimit të partive politike është trajtuar edhe nga Gjykata Kushtetuese e Lituanisë, e cila ka shqyrtuar ligjin lituanez “Për partitë politike”, për financimin e tyre dhe e ka konsideruar atë kushtetues, pasi financimi do të bëhej në përputhje me formulën përkatëse të votave të fituara prej partive politike. Sipas saj, financimi i veprimtarive të partive politike gjatë vitit zgjedhor bёhet në bazë të rezultateve tё zgjedhjeve të mëparshme, ndërsa për zgjedhjet e reja, sipas peshёs politike tё partive nё parlament (shih vendimin e datës 7 qershor 2019 të Gjykatës Kushtetuese të Lituanisë). Po kjo gjykatë, në një rast tjetër ka vlerësuar se ligjvёnёsi ёshtё i lirё tё vendosë për mënyrën e financimit të partive politike, kandidatët e të cilave kanë fituar bindshëm në zgjedhjet përkatëse por, nga ana tjetër, ka vlerësuar se ai duhet të vendosë kushte që ushtrojnë ndikim negativ në zhvillimin e lirë të sistemit pluralist ose rëndojnë nё mёnyrё shpërpjestimore mbi partitë politike që nuk përmbushin kushtet për marrjen e fondeve nga buxheti i shtetit (vendim i datës 29 Mars 2012 i Gjykatës Kushtetuese të Lituanisë).
41. Edhe Gjykata Kushtetuese e Gjermanisё e ka trajtuar disa herё çёshtjen e financimit tё partive politike. Një vendim i saj i vitit 1992 solli ndryshime në financimin e partive politike nga buxheti i shtetit, bazuar në një skemё tё re - financimin e pjesshëm, bazuar në votat e fituara (1 markё gjermane pёr votё pёr zgjedhjet nё organet e Bashkimit Evropian, Bundestag dhe lande dhe gjysmë marke gjermane pёr kuotat dhe kontributet e donatorёve). Gjithashtu, me vendimin e saj u përcaktua buxheti total pёr tё gjitha partitё në kufirin maksimal deri në 230 milionё marka. Tё drejtën e këtij financimi publik e gëzojnë partitë politike qё arrijnë pragun 0.5% (për Bundestagun dhe Parlamentin Evropian) ose 1% të votave (për landet) (shih vendimin 2BvE 8/89, 9 prill 1992 të Gjykatës Kushtetuese të Gjermanisë).
42. Nisur nga sa më lart, Gjykata vlerëson se, financimi i partive politike, si dhe masa e tij kanë nevojë të mbështeten në kritere të qarta e të arsyeshme, ndër të cilat parësore është shkalla e suksesit të një partie politike në zgjedhjet pararendëse. Një subjekt zgjedhor, që ka marrë vota të konsiderueshme në zgjedhje, i takon të përfitojë më tepër fonde sesa njё tjetër qё nuk ka marrë po aq vota. Financimi i fushatës zgjedhore nga buxheti i shtetit, si një ndër burimet e financimit të subjekteve zgjedhore, merr rëndësi të dyfishtë edhe për një arsye tjetër, atë të shmangies së ndikimit që mund të ushtrojnë mbi to në të ardhmen subjekte të ndryshme private, tё cilat mund t’ua financojnë fushatën. Financimi i partive politike nga buxheti i shtetit duhet të jetë një ndër zërat më të rëndësishëm jo vetëm gjatë zhvillimit të fushatës zgjedhore, por edhe gjatë periudhës mes zgjedhjeve, gjatë veprimtarisë së zakonshme tё tyre, për shkak të statusit kushtetues të veçantë që ato kanë si pjesëtare të domosdoshme në jetën politike e shoqërore të vendit.
43. Duke iu rikthyer çështjes konkrete, Gjykata vëren se, nga parashikimet e nenit 64, paragrafi 1, të Kushtetutës, të cilat kufizojnë shpërndarjen e mandateve vetëm për subjektet zgjedhore që arrijnë pragun kombëtar, ligjvënësi ka ndërhyrë në Kodin Zgjedhor duke i shtuar nenit 65, paragrafin 3. Ky paragraf kërkon që në momentin e regjistrimit, koalicioni, si subjekt zgjedhor, të deklarojë partinë politike që e përfaqëson dhe e udhëheq në fushatën zgjedhore. Kjo do të thotë se për efekt të zbatimit të këtij kodi, të gjitha të drejtat dhe detyrimet që përcakton për subjektet zgjedhore merren përsipër dhe ushtrohen nga partia udhëheqëse e koalicionit. Marrëdhëniet midis partive pjesëtare, përfshirë të drejtat e detyrimet e tyre reciproke, rregullohen në marrëveshjen e koalicionit, e cila është pjesë e dokumentacionit që depozitohet prej tij në KQZ.
44. Ndryshimet e miratuara në Kodin Zgjedhor ndryshuan edhe statusin juridik të subjekteve zgjedhore, për sa u përket koalicioneve të partive që marrin pjesë në procesin zgjedhor. Në këtë rast partitë politike merren vesh që të caktojnë njërën parti të koalicionit për ta udhëhequr e përfaqësuar atë, të pranojnë siglën përfaqësuese së partisë udhëheqëse, si dhe të caktojnë një numër kandidatësh sipas marrëveshjes përkatëse të koalicionit. Për një parti që është në koalicion, në ndryshim nga një parti që merr pjesë në zgjedhje më vete, koncepti i tërësisë së votave të vlefshme të fituara ka dallim. Ndërkohë që për një parti që merr pjesë më vete është e lehtë të përcaktohet numri i votave të vlefshme të saj, të cilat përkthehen në mandate, për një parti që merr pjesë në zgjedhjet parlamentare në koalicion me parti të tjera, votat e vlefshme të fituara prej saj mund të mos prodhojnë mandat parlamentar.
45. Megjithatë, partitë hyjnë në koalicion për të realizuar disa synime, ndër të cilat, më kryesori lidhet me maksimalizimin e numrit të votave, që më pas përkthehen në mandate sipas rregullave të Kodit Zgjedhor. Për partitë politike të vogla, pjesëmarrja në koalicion sjell avantazhe arritjen e pragut kombëtar prej 1% të votave të vlefshme, si dhe vendosjen e disa kandidatëve të tyre në pjesën fituese të listës, sipas marrëveshjes. Këto avantazhe lidhen më pas drejtpërdrejt me përfitimin e financimit nga buxheti i shtetit, i cili vendos kushtin e arritjes së pragut kombëtar, duke ndjekur më pas rregullat e numrit të mandateve të fituara në raport me numrin e votave të vlefshme. Nga ana tjetër, në rastin e koalicionit nuk mundësohet identifikimi i numrit të përgjithshëm të votave që merr vetë partia politike në koalicion, pasi të gjitha partitë në koalicion garojnë nën siglën e partisë që drejton, por mund të përllogaritet vetëm numri i përgjithshëm i votave të vlefshme që marrin direkt kandidatët e asaj partie politike.
46. Bazuar nё parashtrimet e KQZ-së, Gjykata konstaton se ndryshimi qё parashikon fjalia e shtuar nё nenin 88, paragrafi 3, tё ligjit nr. 118/2020, bazuar në nenin 180 të Kodit Zgjedhor, nuk u zbatua nё zgjedhjet e pёrgjithshme tё datёs 25 prill 2021 dhe shpёrndarja e vlerёs financiare pёr partitё politike, pёrfshirё kёrkueset, do tё bёhet pёr zgjedhjet e pёrgjithshme pasrendëse.
47. Për financimin e partive nga buxheti i shtetit, subjekti i interesuar, KQZ-ja, ka pohuar se rregullimi nga ligjvënësi është i arsyeshëm, pasi në këtë mënyrë shmanget edhe rreziku që vjen nga natyra e paqëndrueshme e marrëveshjeve të koalicioneve të partive politike, gjё qё do tё sillte pasoja edhe nё qëndrueshmërinë e Kuvendit.
48. Në analizë të sa më lart, Gjykata vlerëson se Kodi Zgjedhor vendos kritere të njëjta për të gjitha subjektet zgjedhore, ndёr tё cilat edhe pragun kombëtar 1%, arritja e tё cilit shёrben si kusht për të përfituar fonde nga buxheti i shtetit. Në kod trajtohet hollёsisht edhe metodologjia për përllogaritjen e fondit nga buxheti i shtetit për financimin e fushatës zgjedhore. Metodologjia qё do të zbatohet varet nga forma juridike që zgjedh subjekti për tё marrë pjesë në zgjedhje, pra, mё vete ose në përbërje të një koalicioni. Për sa i përket mënyrës së përllogaritjes së fondeve nga buxheti i shtetit për koalicionet, subjekti i interesuar, KQZ-ja, paraqiti një shembull ilustrues për zbatimin në praktikë të nenit 88 të Kodit Zgjedhor, duke e konkretizuar me koalicionin me të cilin mori pjesë edhe kërkuesja, Partia Republikane, në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. Nga rezultati paraprak i KQZ-së, koalicioni, në të cilin mori pjesë edhe kërkuesja, mori 622,220 vota, të cilat prodhuan 59 mandate. Fillimisht pёrcaktohet mesatarja e votave për mandat që del nga pjesëtimi i votave të koalicionit në rang kombëtar me numrin e mandateve. Në funksion të zbatimit të nenit 88, paragrafi 3 i Kodit Zgjedhor, përllogaritja do të bëhet duke mbledhur mesataren e votave për mandat për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e koalicionit. Për kërkuesen mesatarja e votave do të jetë 3 mandate shumëzuar mesataren e votave për koalicionin pra 10,546 vota. Numri i këtyre votave shumëzohet me vlerën monetare të një vote, e cila del nga pjesëtimi i buxhetit të përgjithshëm që përcakton KQZ-ja, sipas Kodit Zgjedhor, me numrin e përgjithshëm të votave të vlefshme.
49. Nga ana tjetër, referuar sërish rezultateve paraprake të zgjedhjeve të shpallura nga KQZ-ja, rezulton se kandidatët e secilës prej partive kërkuese që kanë përfituar mandate në zgjedhjet e përgjithshme të datës 25 prill 2021, kanë marrё një numër më të ulët votash sesa shumatorja e votave qё kanё prodhuar mandatet pёrkatёse të përfituara, në këndvështrimin e përcaktimeve të nenit 67, paragrafi 4 (fjalia e fundit) dhe nenit 88, paragrafi 3 (fjalia e fundit) të ligjit nr. 118/2020, rrjedhimisht bazuar në shembullin konkret fondet qё u shpёrndahen atyre si pjesë përbërëse e koalicionit, janё më të mёdha krahasuar me fondet që do tё përfitonin nëse do të konkurronin si parti më vete.
50. Në këto kushte, metodologjia e përdorur për shpërndarjen e fondeve partive anëtare të koalicionit, sipas mandateve dhe jo sipas votave, nuk e cenon parimin e barazisë, pasi ekziston përligjje e arsyeshme dhe objektive, që është pamundësia e identifikimit të votave që merr secila parti si pjesëtare e koalicionit.
51. Në përfundim, pretendimi i kërkueseve se fjalia: “Për partitë pjesëtare në koalicion, numri i votave të vlefshme takuese përllogaritet duke mbledhur mesataren e votave për mandat për çdo kandidat të zgjedhur nga radhët e tyre” e parashikuar në pikën 3 të nenit 88 të Kodit Zgjedhor, bie në kundërshtim me parimin e barazisë para ligjit dhe të konkurrimit të lirë në zgjedhje është i pabazuar.
52. Gjykata çmon se nё kushtet qё ajo nuk vёren tё jenё cenuar parimet e barazisё para ligjit, si dhe tё barazisё sё votёs dhe konkurrimit nё zgjedhje, ёshtё e panevojshme analiza e pretendimit pёr cenimin e nenit 83, paragrafi 3, i Kushtetutёs. Siç parashtrohet nё paragrafin 18 tё kёtij vendimi, bazuar nё nenin 134, paragrafi 2, të Kushtetutёs, ky pretendim do tё vlerёsohej sё bashku me pretendimet e tjera tё kёrkueseve, nёse ato do tё provonin interesin e tyre. Nga ana tjetёr, nё procesin e vlerёsimit tё parashtrimeve tё Kuvendit, Gjykata konstatoi se sipas procesverbalit pёrkatёs nisma ligjvënëse e Kuvendit ka qenë e programuar dhe e pёrfshirё nё kalendarin e tij. Gjithashtu, projektligji qё propozonte ndryshime e shtesa nё Kodin Zgjedhor ёshtë paraqitur pёr shqyrtim mё 17 janar 2020, ndryshe nga sa kanё pretenduar kërkueset.
53. Në përfundim, Gjykata çmon se kërkesa e paraqitur nga kërkueset është e pabazuar, sipas arsyetimit të këtij vendimi.
PËR KËTO ARSYE,
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “a” dhe 134, pika 1, shkronja “gj”, të Kushtetutës, si dhe neneve 72 e vijues të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, njëzëri,
V E N D O S I:
1. Rrëzimin e kërkesës.
Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.
Marrë më 29.06.2021
Shpallur më 19.07.2021
Të fundit
"Rama jepe dorëheqjen!”, mijëra protestues vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës
9 Qershor 2026, 22:30
Pas tri orësh para Kryeministrisë, protestuesit nisin marshimin nëpër rrugët e Tiranës
9 Qershor 2026, 20:53
Aktori i njohur nga protesta: Ika nga Shqipëria sepse nuk doja të shisja shpirtin
9 Qershor 2026, 20:32
“Vetëm hëna të ka ngel pa vjedh”, mesazhe të forta ndaj qeverisë me pankartat pikante
9 Qershor 2026, 20:12
Meçollari akuza nga protesta: Në Palasë dhe Dhërmi është tjetërsuar mjedisi
9 Qershor 2026, 19:38
Reuters: Brukseli kritikon Tiranën për Zvërnecin, mjedisi kusht për anëtarësimin në BE
9 Qershor 2026, 19:19
Gjykojeni protestën nga kundërshtarët
9 Qershor 2026, 18:20
Pas katër seancash, Ilir Beqaj përmbyll kërkesat paraprake
9 Qershor 2026, 18:11
OKB mesazh për Iranin, Libanin dhe Gazën: Respektoni armëpushimet
9 Qershor 2026, 17:06
10 ditë që tronditën “sistemin”
9 Qershor 2026, 16:53
Operacion anti-drogë në pesë qytete të Kosovës, 5 të arrestuar
9 Qershor 2026, 16:44
Aksident në Greqi, ndërron jetë 16-vjeçari shqiptar
9 Qershor 2026, 16:25
Komisioni Evropian: Ministri i Mjedisit na tha se punimet janë pezulluar në Zvërnec!
9 Qershor 2026, 16:14
Rama 'përplaset' me gazetaren rumune: U kanë bllokuar trurin!
9 Qershor 2026, 16:13
“Revolucioni i Flamingove” përplas Ramën me Iranin
9 Qershor 2026, 15:56
Ky është Armand Shakaj, i dyshuar si autor i zhdukjes së Eglant Koçit
9 Qershor 2026, 15:30
Senatori demokrat Bernie Sanders: Populli po i thotë JO oligarkisë globale në Shqipëri!
9 Qershor 2026, 15:17
Paqja globale, në rënie për të 12-in vit radhazi, Shqipëria renditet e 36-ta në botë
9 Qershor 2026, 14:47
Prokuroria e Vlorës sekuestron 5 mln euro pasuri
9 Qershor 2026, 14:29
Foto/ Dyshohet se u rrëmbye, kjo është fotoja e fundit 34-vjeçarit para zhdukjes
9 Qershor 2026, 14:20
Kopjac i Vuçiçit dhe në krizë
9 Qershor 2026, 14:11
Zhdukja e Eglant Koçit, arrestohet një person me urdhër të Prokurorisë
9 Qershor 2026, 13:23
Protesta përplas Ramën me mediat botërore, rreziku i krizës së imazhit!
9 Qershor 2026, 13:01
Dhunuan drejtorin e AKU-së në Shkodër, arrestohet njëri prej autorëve
9 Qershor 2026, 12:43
Eksperti i sigurisë ngre alarmin: Grupet kriminale strehohen në zonat e Kamzës!
9 Qershor 2026, 12:36
Vrasja në Paskuqan/ Autori është gjurmuar deri në Bovillë, ka braktisur mjetin
9 Qershor 2026, 12:24
Kush e komandon sot Edi Ramën?!
9 Qershor 2026, 12:14
Rama del 'blof'/ Si po i përqafojnë turistët e huaj protestat në Shqipëri
9 Qershor 2026, 12:00
Si e bindi Rama Perëndimin se fati i Shqipërisë lidhet me emrin e tij
9 Qershor 2026, 11:20
Berisha në konferencën e EPP: Shqipëria ndodhet në sallën e urgjencës
9 Qershor 2026, 10:27
Nga kullat te lumenjtë: kostoja e padukshme e etheve të ndërtimit
9 Qershor 2026, 10:04
Operacioni në Vlorë, zbardhen emrat e 6 të arrestuarve
9 Qershor 2026, 09:44
Këmbimi valutor, me sa shiten dhe blihen monedhat e huaja sot
9 Qershor 2026, 09:26
Transmetoi 'live' protestën, Balla sulmon Reuters: Kanë hall tjetër, jo Shqipërinë
9 Qershor 2026, 09:13
Policia zbarkon në Vlorë, disa të arrestuar, mes tyre një i kërkuar ndërkombëtarisht
9 Qershor 2026, 08:56
Horoskopi, njihuni me parashikimin e yjeve
9 Qershor 2026, 08:40
Shpopullimi alarmant/ Në një vit, Shqipërisë i ikin 33 mijë të rinj
9 Qershor 2026, 08:28
Mot i paqëndrueshëm dhe vranësira, parashikohen reshje shiu në disa zona
9 Qershor 2026, 07:59
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
9 Qershor 2026, 07:45
Kritikoi Ramën, Zegjine Çaushi sulmon influenceren: Të bësh ironi ti shëmtirë...
8 Qershor 2026, 22:37
Nard Ndoka jep lajmin: Sali Berishës i është hequr “non grata”
8 Qershor 2026, 21:59
Rekord firmash në peticionin “Rama Out”, mbi 1 mln e 700 mijë nënshkrime nga shqiptarët
8 Qershor 2026, 20:59
Notarja Eva Buzo i bashkohet protestës: Jeni frymëzues, bota po e dëgjon zërin tuaj!
8 Qershor 2026, 20:48
Kaja Kallas propozon diplomaten portugeze si ambasadore të BE-së në Shqipëri
8 Qershor 2026, 20:28
Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës, Reuters raporton “live” protestën nga Tirana
8 Qershor 2026, 19:07
35-vjetori i PS-së, Rama pritet me protesta në Shkodër
8 Qershor 2026, 18:07
Tensione mes Iranit dhe Izraelit, BE: Rajoni i bllokuar mes luftës dhe armëpushimeve
8 Qershor 2026, 17:42
Shi dhe rrëshqitje dherash në aksin Moglicë–Gramsh, kufizohet qarkullimi në një krah
8 Qershor 2026, 17:21
Mosha e pensionit akoma më e vështirë se jeta në punë
8 Qershor 2026, 17:03
Zgjedhjet në Kosovë, asambleja parlamentare e KE: Pati ndërhyrje nga Serbia
8 Qershor 2026, 16:54
Euro e nis javën në rënie të mëtejshme, zbret drejt pragut të 95 lekëve
8 Qershor 2026, 16:34
Sondazh/ A mendoni se protestat e fundit kanë dëmtuar imazhin e qeverisë Rama?
8 Qershor 2026, 16:22
Boçi: Mazhoranca po bllokon debatin për ligjin që ndalon propagandën gjinore tek fëmijët
8 Qershor 2026, 16:15
Vrasja në Kamëz, autori qëlloi me 10 plumba, në shënjestër ishte edhe shoku i viktimës
8 Qershor 2026, 16:07
Nga kullat te lumenjtë/ Kostoja e padukshme e etheve të ndërtimit
8 Qershor 2026, 15:56
Miratohet në parim amnistia penale, 380 të dënuar lirohen mënjëherë
8 Qershor 2026, 15:11
Abuzimet me fondet “SASPAC”, Apeli lë në burg Ilir Beqajn
8 Qershor 2026, 14:58
FIFA ndryshon traditën historike, ja si do të prezantohen skuadrat në Botërorin 2026
8 Qershor 2026, 14:46
U vra pas një konflikti në Kamëz, ky është 27-vjeçari që u nda nga jeta
8 Qershor 2026, 14:43
Të shtëna me armë zjarri në Velipojë
8 Qershor 2026, 14:38