Flash News

E-TJERA

Ndërron jetë nga Covid-19 kolosi i poezisë dhe këngës arbëreshe

Ndërron jetë nga Covid-19 kolosi i poezisë dhe këngës

Covid-19 i ka marrë jetën kolosit të poezisë dhe këngës arbëreshe, Zef Kakoca. Lajmin e trishtë e ka bërë me dije këngëtari Ilir Shaqiri, përmes një postimi në rrjetet sociale.  Kakoca ishte prej disa ditësh në betejë me virusin, por nuk arriti dot ta fitonte.

Zef Kakoca është bërë i njohur si një nga kollonat kryesore që luftoi në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Itali. Në vitin 2015, ai u laureua me titullin “Naim Frashëri i Artë”, nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë.

Postimi i plotë i Shaqirit:

Kambanat arbëreshe sot na e dhanë kumtin e trishtueshëm. Flamujt e komunitetit artistik arbëror janë ulur në gjysmështizë, është ndarë nga jeta poeti, kantautori, artisti i madh arbëresh Zef Kakoca. Ai u lind në Shën Mitër – Korone të Kalabrisë me 27 shtator, 1957.

Bëri studimet klasike te Kolegji i Shën Adrianit, aty ku mësoi dhe ligjëroi De Rada i madh. Universiteti i Kalabrisë i dha titullin profesor në Gjuhë dhe Letërsi të huaj, duke mbrojtur suksesshëm disertacionin mbi veprën e Fan Nolit. Punën e vazhdoi si profesor i gjuhës franceze në Rossano, ku dhe banonte.

Si autor, kompozitor dhe këngëtar fitoi gjashtë herë Festivalin e Këngës Arbëreshe, në të cilin ka qenë dhe drejtor artistik për katër vjet. Recitalet muzikore – teatrale “De Rada dhe Milosao” me grupin artistik “Zjarri i Ri”, “Rrënjat e Arbërisë” (Le radici dell’ Arbëria), “Udhëtimet e Arbërisë” (I percorsi dell’ Arbëria) dhe “Homazh De Radës”, ishin produkt i shpirtit dhe mendjes së tij brilante.

Aktivitetet kulturore, artistike e teatrale i shtriu në të gjitha katundet arbëreshe dhe këndej detit: në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.

Nga publiku dhe nga kritika është konsideruar personaliteti më artbërës dhe përfaqësuesi më autentik i këngës poetike arbëreshe, përçues dinjitoz i traditës, historisë dhe kulturës arbërore.

Ka qenë kryetar i shoqatës “Arbitalia”, e para gazetë arbëreshe on line (ëëë.arbitalia.it). Në vitin 2009, në Napoli të Italisë mori, “Çmimin Mesdhetar për Artin dhe Kreativitetin”, çmim që u jepet personaliteteve të larta të kulturës mesdhetare.

Deri sot ishte anëtar i Komitetit Shkencor për Vlerësimin e Komuniteteve Arbëreshe në Zyrën Rajonale në Kalabri (Ministria e Arsimit). Anëtar i Komitetit Shkencor në Institutin Regjional të Kalabrisë për Komunitetin Arbëresh.

Kryetar i Shoqatës Arbëreshe në Corigliano-Rossano.

Drejtues i librit digjital “Le Perle di Arber”.

Në vitin 2015, u laureua me titullin “Naim Frashëri i Artë”, nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë.

Në vitin 2017, botoi romanin e parë “La Terra di Yll”.

Në vitin 2017, u bë anëtar i Lidhjes së Shkrimtareve të Kosovës.

Zefi la pas vetes shumë këngë të bukura arbëreshe, la përmbledhje poezish të botuara e të pa botuara, la romanin e radhës përgjysmë, la këngë të nisura, ashtu siç la përgjysmë URËN MBI DET, një projekt që e nisem bashkë viteve të fundit dhe që na lumturonte fort.

Na e le këngën ngrirë në buzë, o vëlla… Më fal për këto dy kokrra loti…, se edhe shqiponjat ndalen fluturimin, duke parë shpirtin tënd të bardhë tek merr udhë nëpër qiell… Lamtumirë!

Ndërron jetë nga Covid-19 kolosi i poezisë dhe këngës

Të fundit