Flash News

E-TJERA

Ndërruan jetë nga helmimi, flet mjeku: Nuk treguan se kishin konsumuar kërpudha, shërbimi iu është dhënë

Ndërruan jetë nga helmimi, flet mjeku: Nuk treguan se kishin konsumuar

Nuk kanë treguar se kishin konsumuar kërpudha. Kështu deklaroi mjeku i Qendrës Shëndetësore të Manzës, Bardhyl Belba për ngjarjen, ku tre persona ndërruan jetë si pasojë e helmimit. Elfete, Afrim e Ferzinaze Haliti nga Gjakova ndodheshin për pushime në Durrës, ku dyshohet se konsumuan kërpudha helmuese e për pasojë ndërruan jetë.

Për këtë, policia ka proceduar për “Mjekim i pakujdesshëm”, dy mjekë në Manëz. Ndërkohë kolegu i tyre, Bardhyl Belba tha për “News 24” tha se shërbimi është dhënë sipas protokolleve shëndetësore, duke nënvizuar se viktimat nuk kishin treguar se çfarë kishin konsumuar.

Ai thotë se stafi mjekësor është shumë i prekur nga kjo ngjarje, ndërsa i ka shprehur ngushëllimet familjes. Kjo e fundit pretendon se familjarëve të saj, nuk i është dhënë mjekimi i nevojshëm.

Belba tregon se Elfete, Afrim dhe Ferzinaze Haliti shkuan vetë në spital dhe u larguan në gjendje të mirë shëndetësore. Ai shton se duhet pritur rezultati i ekspertizës.

“Ne shprehim ngushëllime për familjen Haliti. Shërbimi është dhënë sipas të gjitha protokolleve. Pasi kanë ardhur këtu me këmbët e veta, kanë ikur në gjendje të mirë shëndetësore dhe vazhdimi mbetet të hetohet e të shikohet se ku qëndron problemi, që të kemi përgjigje se përse kanë ndërruar jetë.

Protokolli është marrë nga hetuesit. Mjekët janë përgjigjur në kohë dhe me mjekimet e duhura. Jemi shumë të prekur. Jemi të prekur ne dhe kolegët tanë. Të ndjerët nuk kanë referuar që kanë konsumuar kërpudha, nuk kanë referuar për asnjë moment që të kenë pasur problem me kërpudhat. Po hetohet që të saktësohet se pse kanë ndërruar jetë tre anëtarët e një familjeje”, u shpreh mjeku.

Të fundit