Flash News

E-TJERA

‘Show’ me konfiskimet e ndërtimeve pa leje, BIRN: Lidhjet e ngushta të ndërtuesve me PS

‘Show’ me konfiskimet e ndërtimeve pa leje, BIRN: Lidhjet e

Pretendimi i qeverisë për të udhëhequr goditjen ndaj ndërtimeve të paligjshme fsheh një fakt të rëndësishëm – se dhunues të tillë shpesh janë të lidhur mirë me Partinë Socialiste në pushtet.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u tha kritikëve në fundjavë se as ai dhe as administrata e tij nuk ishin përgjegjës për ndërtimet e shfrenuara të paligjshme, duke përfshirë qendrën e qytetit të Tiranës, duke i akuzuar kritikët e tij si potencialisht të korruptuar.

“Ju që ngrini verbërisht akuza mund të keni mijëra arsye për të mos më votuar ose për të menduar se politikanët janë të gjithë njësoj; por nëse nuk arrin të shohësh vullnetin tim të plotë për ta mposhtur njëherë e përgjithmonë këtë fenomen të turpshëm… ose nuk po e merr veten seriozisht ose je vetë potencialisht i korruptuar”, tha Rama.

Rama disa javë më parë pranoi se zhvilluesit – përfshirë disa që qëndrojnë pas një plani të diskutueshëm për ndërtimin e rrokaqiejve në qendër të Tiranës – kishin shtuar kate të tëra përtej lejeve të dhëna nga qeveria apo kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj.

Ky dënim i ndërtimeve pa leje shihet nga shumë shqiptarë si hipokrizi e paturpshme nga ana e autoriteteve, të cilët gjatë viteve të fundit kanë burgosur qindra njerëz për ndërtime pa leje, duke përfshirë në disa raste fermerë të arrestuar në vend për ndërtimin e kasolleve për blegtorinë. .

Ndërkohë asnjë nga zhvilluesit e mëdhenj që Rama pranon se i kanë mbindërtuar nuk është arrestuar. E edhe pse është evidentuar ndërtimi i tyre pa leje, puna duket se vijon normalisht në këto objekte.

Më 30 shtator, fushata e Ramës kundër ndërtimeve pa leje të profilit të lartë u fokusua në një bllok apartamentesh në rrugën Myslym Shyri të Tiranës.

Bledi Cuci, Ministri i Brendshëm, është shfaqur në një video të transmetuar “live” së bashku me Rebani Jaupin, drejtorin e policisë dhe drejtoreshën e Inspektoratit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, IKMT, Dallendyshe Bici.

Videoja, e xhiruar me sa duket nga zyrtarë të PR të qeverisë, është transmetuar edhe në faqen personale të Kryeministrit në Facebook.

“Kjo kompani jo vetëm shtoi kate në mënyrë të paligjshme, por bëri një ndryshim skandaloz në projekt nga ai që ishte miratuar”, tha ministri Çuçi, duke qëndruar para godinës dhe duke premtuar se hapësira shtesë ilegale do të konfiskohej. “Ajo që ne po bëjmë këtu nuk është një fushatë mediatike apo demagogji,” pohoi ai.

Megjithatë, kur BIRN vizitoi kantierin ku u identifikua krimi i supozuar, vetëm pak minuta pasi ky transmetim “live” u transmetua në Facebook, nuk u pa asnjë polic. Punëtorët e ndërtimit po vazhdonin normalisht punën e tyre.

Rruga që në video shfaqej e zbrazët ishte plot me makina të parkuara. Me sa duket, video është xhiruar më herët. Kjo nuk ishte surprizë. Zyrtarët e qeverisë në Shqipëri shpesh nuk ftojnë ekipe mediatike në ngjarje të tilla, por përdorin zyrtarët e tyre të PR për të përgatitur "lajme". Kjo më pas transmetohet nga stacionet televizive që nuk përmendin se ka qenë e parapaketuar dhe se nuk përfshihet asnjë raportim i pavarur.

Qeveria më 7 shtator deklaroi se planifikonte të konfiskonte çdo kat shtesë të shtuar në projekte me leje zyrtare dhe të përdorte hapësirën për qëllime sociale, si strehimi i të pastrehëve.

Por opozita pretendon se nisma është një fushatë dezinformuese që synon të fshehë faktin se zhvilluesit në fjalë, në disa raste emra të njohur shpesh të etiketuar si oligarkë, nuk përballen me pasoja ligjore.

Nga ana tjetër, kryeministri pretendon se gjykatat dhe prokurorët nuk po veprojnë aq shpejt sa duhet.

Rasti i godinës në Myslym Shyri, një nga zonat më të shtrenjta në Tiranë, duket se u jep besueshmëri kritikëve të kryeministrit.

Të dhënat e marra nga BIRN tregojnë se pallati i denoncuar nga ministri i Brendshëm është në pronësi të “ARB & TRANS-2010”, kompani e themeluar nga Arben Maloku, 36 vjeç, i cili deri më 9 shtator ka qenë administrator i njësisë administrative Zall-Herr. emëruar në detyrë nga kryetari i Bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj, i cili ka firmosur lejen e ndërtimit.

Maloku kryeson gjithashtu zyrën lokale të Partisë Socialiste në pushtet për Zall-Herr, një zonë rurale në veri të Tiranës.

Kur BIRN pyeti nëse qeveria e kishte referuar kompaninë për ndjekje penale pas vlerësimit se ajo kishte ndërtuar në mënyrë të paligjshme, ministri Cuci nuk u përgjigj në momentin e publikimit.

Pa përgjigje kanë mbetur edhe pyetjet drejtuar Policisë së Shtetit dhe shefes së Inspektoratit Dallendyshe Bici. Kryebashkiaku Veliaj nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me lidhjet e tij me Malokun.

Esmeralda Maloku, përfaqësuese e kompanisë, tha se ishte në dijeni të deklaratës së ministrit, por nuk kishte asnjë koment për këtë çështje.

Nuk ka asnjë akuzë për shkelje të lejes

E vendosur midis dy blloqeve të apartamenteve të epokës komuniste, ndërtesa e re e zhvilluar nga “ARB & TRANS-2010” përshkruhet si “Shërbime dhe shtëpi 4, 5 dhe 9 kate, me dy kate parkimi nëntokë”.

Ndërsa denoncoi katet e shtuara, Cuci e përshkroi zhvilluesin si "një guximtar" dhe fajësoi për këtë aferë "sistemin e vjetër të drejtësisë", duke fajësuar prokurorët dhe gjykatat për dështimin në trajtimin e çështjes.

Madje, teksa denoncoi në video ndërtimin pa leje, Cuci nuk përmendi as kompaninë dhe as pronarin që kishte ndërtuar pa leje. Më tej, BIRN mësoi se asnjë nga institucionet që janë pjesë e ministrisë së Çuçit, si Policia e Shtetit apo IKMT nuk kanë ngritur asnjë kallëzim në prokurori. As strukturat pranë bashkisë, si policia bashkiake dhe inspektorati vendor, të cilët normalisht monitorojnë ekzekutimin e lejeve të ndërtimit, nuk kanë bërë kallëzime.

Kompania ARB & TRANS-2010 u themelua nga Arben Maloku. Në vitin 2018 ia ka shitur për 100 mijë lekë (800 euro) vjehrrit të tij Fatmir Firi. Në tetor 2021, ky i fundit i dhuroi aksionet Shyqyri Malokut, babait të Arbenit.

Ndërsa kompania ishte në pronësi të të afërmve të këtij zyrtari të Partisë Socialiste, ajo mori një leje ndërtimi fitimprurëse dhe gjithashtu fitoi rreth 150 milionë lekë (1.28 milionë euro) kontrata publike gjatë tre viteve të fundit.

Të gjitha kontratat janë fituar nga Bashkia e Tiranës. Ndër punimet ishte ndërtimi i një pjese të ujësjellësit të fshatit Qinam, një nga fshatrat e njësisë administrative që drejtohej atëherë nga Maloku.

Edhe pse Maloku u shkarkua si administrator i Njësisë Administrative Zall-Herr, ai ende duket i lidhur mirë me zyrtarët socialistë, përfshirë kryeministrin dhe kryebashkiakun Veliaj.

Më 9 shtator, Maloku u pa në një foto vetëm një hap pas kryeministrit Rama dhe kryebashkiakut Veliaj gjatë një ceremonie për inaugurimin e një lagjeje të re të zhvilluar me fondet e qeverisë në Zall Herr për të strehuar familjet e mbetura të pastreha nga tërmeti tre vjet më parë.

Në ceremoni, deputeti i Partisë Socialiste për zonën, Xhemal Qefalia, u kujdes më shumë për të veçuar Malokun si të merituar për “punën e palodhur”.

Në videon e postuar në faqen e tij personale në Facebook, Veliaj, Qefalia tha se Maloku është hequr si administrator i zonës për t'u caktuar në “një zyrë që është edhe më e rëndësishme”.

Vetë Veliaj ka falënderuar Malokun menjëherë pasi ka falenderuar kryeministrin Rama. “Dua ta përshëndes Ben Malokun me gjithë zemër”, tha ai.

Opozita thotë se kompania siguroi gjithashtu pajisje tokësore për shkatërrimin e diskutueshëm të Teatrit Kombëtar historik në maj 2020.

Ina Zhupa, deputete e Partisë Demokratike të opozitës, pretendoi më 21 maj 2020 se pajisjet e kompanisë janë përdorur pa procedura prokurimi për të hequr mbetjet e ndërtesës pas prishjes së saj. Ajo sugjeroi gjithashtu se kompania do të shpërblehej për këtë nga qeveria me leje ndërtimi.

“Çfarë leje ndërtimi do t’i jepni kësaj kompanie si shpërblim për punën e saj në shembjen e Teatrit Kombëtar?” pyeti ajo në mënyrë retorike, pasi vuri në dukje lidhjen e kompanisë me administratorin e Zall Herrit.

Të fundit