Flash News

E-TJERA

Ndryshimet kushtetuese/ ONM dakord për zgjatjen e afatit të organeve të vetingut: Konsultohuni dhe me 'Venecian'

Ndryshimet kushtetuese/ ONM dakord për zgjatjen e afatit të organeve

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit, institucioni që monitoron procesin e vetingut në Shqipëri është dakord që Parlamenti të zgjasë afatet kushtetuese të organeve të vetingut, për të bërë të mundur vijimin e procesit pa pengesa.

ONM thekson se pavarësisht se zgjatja e afateve është kompetencë e autoriteteve shqiptare, duhet në konsultim i ngushtë me palët e interesuara përkatëse, përfshirë Komisionin e Venecias.

Mandati i anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe dy Komisionerëve Publikë mbaron në qershor të vitit që vjen. Më pas vettingu do të kryhet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor.

Por kjo parashikohet të sjellë vështirësi që procesi i rivlerësimit të përfundojë në kohë. Kjo sepse deri më tani, nuk janë rivlerësuar as gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve në vend.

Ndaj PS ka kërkuar zgjatjen e mandateve të vetingut. Por për të realizuar ndërhyrjet në Kushtetutë nevojitet dhe opozita.

Që Kushtetuta të preket duhen të paktën 94 vota dhe PS nuk i disponon. Realizimi i kësaj reforme kërkon uljen në tryezë të PS dhe PD dhe arritjen e një kompromisi.

"ONM konsideron se është me rëndësi parësore që të gjitha rastet e verifikimit në pritje të përfundojnë në periudhën më të shkurtër të mundshme, duke ruajtur konsistencën dhe integritetin e procesit.

Për të arritur këtë rezultat, është e nevojshme një zgjatje e kufizuar kohore e mandatit kushtetues të anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Institucionit të Komisionerëve Publik. Kjo do t’i lejojë dy organet të përfundojnë të gjitha rastet në të cilat ka filluar hetimi. Është në kompetencën e autoriteteve shqiptare të përcaktojnë afatet e sakta të një zgjatjeje të tillë, në konsultim të ngushtë me palët e interesuara përkatëse, përfshirë Komisionin e Venecias", thuhet në reagimin e ONM-së për 'Abc news'.

Të fundit