Flash News

E-TJERA

Ndryshimet në statut, reagojnë Kadilli dhe Harxhi: Tagër i Kryesisë, jo i Komisionit, PD duhet rithemeluar

Ndryshimet në statut, reagojnë Kadilli dhe Harxhi: Tagër i

Komisioni i Përhershëm Statutor ka vendosur sot të kalojë për miratim vetëm propozimet e ofruara nga kreu i PD, Lulzim Basha dke rrëzuar propozimet e depozituara nga dy ish-kandidatët për kryetar partie, Edith Harxhi dhe  Fatbardh Kadilli. 

Të dy ish-kandidatët kanë reaguar përmes postimeve në rrjetet sociale . I pari ka qenë Fatbardh Kadilli, i cili është shprehur se debati për ringritjen e PD nuk mbyllet me vendime antistatutore të Komisionit Statutor.

"Ky është tagër i Kryesisë dhe jo i Komisionit. Komisioni për Ndryshimet Statutore në PD sot ka vepruar në kapërcim të kompetencave dhe të misionit të vet. Statuti parashikon qartë që të drejtën për të propozuar ndryshime statutore e ka vetëm Kryesia dhe 1/4 e Këshillit Kombëtar. Komisioni jep mendim", shkruan Kadilli.

Ai thekson se propozimet e paraqitura nga ana e tij burojnë nga manifesti politik për ringritjen e PD dhe i ofroi si një opinion për Komisionin Statutor, i cili nuk u mjaftua dhe i rrëzoi ato.

"Propozimet e mija që burojnë nga Manifesti Politik për ringritjen e PD ia paraqita për dhënie opinioni Komisionit, bazuar në autorizimin e mbledhjes së fundit të Kryesisë. Komisioni nuk u mjaftua me dhënien e mendimit dhe opinionit të vet, por vendosi të rrëzojë propozimet", shton Kadilli.

Ndërsa ish-kandidatja tjëtër për kryetare të PD, Edith Harxhi shprehet se janë po aq bashkëfajtorë për ngërçin e krijuar brenda PD, pasi në të vërtetë partia nuk çalon në statut, por në zbatimin e rregullores. "Mund të kishit zgjedhur të mos bëheshin ndryshime statutore sepse PD-ja nuk çalon nga Statuti dhe rregullat por nga mos zbatimi i tyre, shmangia e përgjegjësive dhe nga shmangia e parimeve bazë mbi të cilat është krijuar", shkruan Harxhi.

Harxhi thotë se Rama ka ndryshuar vullnetin e shqiptarëve, teksa se pohon se kjo ka ndodhur gjatë kohës që kryetari i tyre "flinte mbi dafina".  Sipas saj, të gjithë i detyrohen shqiptarëve këto ditë të vështira, por mbi të gjitha i detyrohen demokratëve që janë "dërmuar nga protestat me para borxh".

"E vërtetë, Edi Rama ka tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve por kjo ndodhi gjatë kohës që Kryetari ynë në detyrë flinte mbi dafina dhe shpresonte se pushteti do ti vinte në seli të partisë… dhe ju të gjithë mezi prisnit të ishit në listën e rradhës…Po ku ishte opozita? Ku ishin garancitë që dha Kryetari në detyrë për sigurinë e votës së shqiptarëve? Faji është i Lulzim Bashës dhe dikush duhet të dalë të thotë “Mbreti është lakuriq”! I detyrohemi shqiptarëve në këto ditë të vështira të vërtetën, por mbi të gjitha i detyrohemi demokratëve që janë të dërmuar nga protestat me para borxh, pa punë e pa shpresë tu themi të vërtetën", thotë më tej Harxhi.

Sipas saj, Partia Demokratike ka nevojë për një reformim dhe rithemelim nga forma te përmbajtja, sepse përveç besimit të qytetarëve shqiptarë, ka humbur busullën e orientimit.

"Partia Demokratike tashmë duhet rithemeluar, riformatuar, riprogramuar në thelb, në formë dhe përmbajtje, sepse ka humbur besimin e qytetarëve shqiptarë, ka humbur, mbi të gjitha, busullën! E kjo bëhet nga një korpus të ri drejtues", thekson Harxhi.

Të fundit