Flash News

E-TJERA

Në mes të situatës tensionuese me Serbinë, Rama viziton nesër Kosovën, zbardhet axhenda

Në mes të situatës tensionuese me Serbinë, Rama viziton

Ditën e hënë, kryeministri Edi Rama do të jetë në Kosovë për një vizitë zyrtare. Vizita e kryeministrit vjen pas një fjalimi të zjarrtë pro Kosovës në OKB dhe kur forcat ushtarake serbe janë në kufi me shtetin e Kosovës.

Vizita e tij në Prishtinë vjen kur situata mes Kosovës dhe Serbisë është mjaft e tensionuar dhe të dyja palët kanë vendosur forca ushtarake në kufi.

Takimi i parë i Ramës do të jetë me kryeministrin Albin Kurti, me të cilin do të bisedojë për tensionet e fundit me Serbinë, por ky do të jetë dhe takimi i parë mes dy kryeministrave pas replikave që kanë pasur në distancë për "Mini Shengen".

Qëndrimi i kryeministrit shqiptar mbi reciprocitetin e targave me Beogradin, pritet të publikohet në një konferencë shtypi.

Rama nuk do të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe as me kryeparlamentarin Glauk Konjufca. Por do të takohet me tre liderët e opozitës: Ramush Haradinaj, Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku. Gjatë qëndrimit në Kosovë, Rama do të dekorojë edhe akademikun, Rexhep Qosja.

Kujtojmë se sot Ministria e Jashtme e vendit tonë i ka bërë thirrje Serbisë të tërheqë trupat e armatosura që të mos nxitet dhunë dhe trazira në veri të Kosovës.

Të fundit