Flash News

E-TJERA

Në prag të zgjedhjeve presidenciale, Serbia heq nga listat e votuesve rreth 6 mijë shqiptarë

Në prag të zgjedhjeve presidenciale, Serbia heq nga listat e votuesve

Rreth 6 mijë qytetarë janë hequr nga listat e votuesve në Serbi, kur ndajnë vetëm pak ditë nga zgjedhjet presidenciale.

Sipas Euractiv, votuesit janë hequr nga listat për shkak se janë shqiptarë. Lugina e Preshevës në jug të Serbisë është shtëpia e një popullsie të madhe shqiptare.

Sipas një kërkimi prej vitesh nga një akademike dhe ish-banore e zonës, Flora Ferati Sachsenmaier, shqiptarët etnikë janë fshirë sistematikisht nga listat e votuesve, duke i bërë ata ‘de facto’ pa shtetësi dhe të paaftë për të marrë ose rinovuar dokumente identiteti, për të përfituar nga arsimi ose kujdesi shëndetësor, ose madje regjistrojnë lindjen e fëmijëve të tyre.

“Në vitin 2015, unë po hulumtoja në këtë zonë dhe disa nga familjet, aktivistët dhe politikanët që hasa, vazhdonin të thoshin ‘po na fshijnë, po na fshijnë’. Kjo erdhi në mendjen time dhe vinte gjithmonë në lidhje me Ministrinë e Brendshme në Serbi,” tha Sachsenmaier.

Të dhënat e mbledhura dhe të përpunuara nga Sachsenmaier, bazuar në listat historike të votuesve, sugjerojnë se 4,200 në komunën e Medvegjës janë hequr dhe 2,000 të tjera në Bujanoc raportojnë se janë çregjistruar.

Me zgjedhjet e trefishta në Serbi që zhvillohen të dielën, heqja e një numri kaq të lartë të shqiptarëve etnikë nga listat e votuesve, mund të ndryshojë rezultatin e votave.

Sipas hulumtimit të Sachsenmeir dhe dëshmive të mbledhura të banorëve, autoritetet, nën mbulimin e ligjit të qëndrimit, pretenduan se po dërgonin njerëz për të verifikuar vendbanimet.

Këta të dërguar do të raportonin se banorët nuk mund të gjendeshin në adresën e tyre dhe do t'i dërgohej një njoftim Komisionit Zgjedhor. Familje të tëra më pas fshihen nga listat zgjedhore, pa vendim të lëshuar me shkrim.

Praktika e supozuar u quajt "spastrim etnik me mjete administrative" nga Komiteti i Helsinkit në Beograd. Komisioni Evropian tha se ishte në dijeni të raporteve për fshirjen masive të shqiptarëve etnikë nga bazat e të dhënave zyrtare.

“Ne po monitorojmë situatën në dritën e angazhimeve të marra në kuadër të negociatave të anëtarësimit, veçanërisht ato që lidhen me të drejtat e personave që u përkasin pakicave kombëtare,” tha një zëdhënës i Komisionit.

Zëdhënësi shtoi se “Serbisë i kërkohet, në kuadër të Kapitullit 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore, të zbatojë kornizën e saj ligjore dhe planin e dedikuar të veprimit për pakicat”.

Serbia ka zhvilluar negociata për anëtarësimin në BE, të cilat në thelb kërkojnë përafrimin e legjislacionit të saj me atë të BE-së, që nga janari 2014, por ka bërë vetëm përparim modest.

Të fundit