Flash News

E-TJERA

Në pritje të azilit: Kush është shqiptari i deportuar dy herë që sfidon Britaninë me jetën luksoze

Në pritje të azilit: Kush është shqiptari i deportuar dy

Dorian Puka, një 28-vjeçar shqiptar me një histori të gjatë të problemeve me ligjin në Mbretërinë e Bashkuar, po i vë në provë autoritetet britanike në një mënyrë të pazakontë, shkruan "The Telegraph". Pavarësisht se është dënuar për vjedhje dhe deportuar dy herë, ai vazhdon të qëndrojë në Britani, sepse ka paraqitur një kërkesë për azil që po shqyrtohet nga gjykatat e imigracionit — një proces që mund të zgjasë muaj ose edhe vite.

Në një veprim që duket si sfidë ndaj Ministrisë së Brendshme, Puka ka vendosur në Mercedesin e tij luksoz, me vlerë rreth 80,000 paund, një targë të personalizuar “DO24 AMG”. Kjo targë përmban inicialet e tij dhe modelin e makinës. Ai madje postoi video në TikTok, ku shfaqet duke hequr mbulesën e targës dhe duke vozitur makinën nëpër rrugët e Londrës.

Historia e Pukës është e njohur për autoritetet britanike. Ai u burgos për herë të parë në vitin 2016 për vjedhje me thyerje dhe u deportua në vitin 2017, pasi ishte kapur duke tentuar të hynte në një pronë në mënyrë të paligjshme. Por ai arriti të kthehej shpejt në Britani, ku vijoi me veprimtari kriminale. Më pas u burgos sërish pasi u kap duke mbajtur një orë të vjedhur dhe u deportua për herë të dytë në vitin 2020.

Gjatë periudhës së qëndrimit në burg, ai fitoi famë për postimet provokuese në Instagram, ku shfaqej pranë figurave të njohura të krimit të organizuar në Britani, duke sfiduar autoritetet edhe nga brenda qelitë.

Pas deportimit të dytë, Puka kaloi disa muaj në Shqipëri, për të udhëtuar më pas nëpër Gjermani, Belgjikë dhe Holandë, derisa në fund arriti përsëri të kthehej në Britani në fund të vitit 2020. Në pritje të vendimit të gjykatës për kërkesën e tij për azil, ai është i lëshuar me kusht dhe i mbajtur nën mbikëqyrje elektronike.

Megjithatë, ai vazhdon të jetojë me stil luksoz, duke postuar në rrjete sociale pamje ku vozit makina luksoze, si Ferrari me vlerë 300,000 paund, dhe duke mbajtur orë të shtrenjta Rolex. Së fundmi, ai ka postuar edhe video nga klubet e natës në Londër, duke festuar dhe duke pirë shisha pranë një balerine barku.

Në një prononcim për media, Ministria e Brendshme e Britanisë tha se ligji britanik ndalon deportimin e personave që kanë kërkesa azili në pritje, por shtoi se shtetasit e huaj që kryejnë krime nuk do të shmangen nga ndjekja ligjore.

Në këto rrethana, Dorian Puka është bërë një simbol i sfidës së autoriteteve britanike ndaj rasteve komplekse të emigracionit dhe krimit, duke përdorur mënyra të pazakonta për të shfaqur qëndrimin e tij dhe për të sfiduar sistemin.

 

Të fundit