Flash News

E-TJERA

Negociatat/ Diplomati për Politiko: Shtyrja e vazhdueshme është kambanë alarmi. Regjimet kanë rënë në lojën e Kinës e Rusisë

Negociatat/ Diplomati për Politiko: Shtyrja e vazhdueshme është
Agim Nesho

Shqipërisë nuk iu dha drita jeshile për nisjen e bisedimeve të anëtarëismit me BE. Diplomati Agim Nesho shprehet se pavarësisht qëndrimeve pozitive të zyrtarëve të BE-së për hapjen e negociatave, e vërteta qëndron ndryshe.

Ai evidenton nivelin e korrupsionit, krimit dhe mungesën e shtetit ligjor si të tjera pengesa që vendi ynë të bëhet pjesë e BE-së. Në një intervistë për Politiko.al, Nesho u shpreh se BE po e sheh si prioritet Ballkanin Perëndimor, pasi fuqi si Kina, Rusia dhe Turqia po rrisin ndikimin e tyre në rajon dhe se qeveritë kanë rënë në këtë lojë për interesa të pushtetit të tyre.

Sa i përket vetos së Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, që u mor si pengesë edhe për Shqipërinë, diplomati tha se nëse do të ishte diçka parimore si në rastin e Greqisë që kërkoi ndryshimin e emrit, pretendimet duhet të ishin ngritur më herët.

Ai e cilësoi jo të kuptimtë faktin që çdo shtet anëtar i BE-së mund të vendosë veto për çdo gjë, me arsyetimin se kjo do ta bënte BE-në jo funksionale.

Shqipërisë iu refuzua sërish çelja e negociatave. Mendoni se Shqipëria duhet të ndahet nga Maqedonia e Veriut, duke marrë parasysh qëndrimin e palëkundur të Bullgarisë ndaj vetos?

Shqipëria nuk mori dritën jeshile për të hapur konferencën ndërshtetërore si vend kandidat. Pavarësisht thënieve pozitive se ka plotësuar kërkesat dhe ka arritur standardet, e vërteta duket se qëndron ndryshe. Një vend si Shqipëria me mungesë të shtetit ligjor, korrupsion të tejskajshëm, të lidhjes së politikës me krimin, kapjes së shtetit, etj, nuk mund të bëhet pjesë e një familje të zhvilluar demokratike me vlera dhe parime të përcaktuara qartë.

Integrimi Europian ka si parim bazë çështjen e meritokracisë. Bashkimi i Shqipërisë me Maqedoninë e Veriut ishte një vendim i Francës dhe Presidentit Macron në vitin 2019. Në këtë rast Franca shikonte me shqetësim ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në lidhje me impaktin negative që mund të krijonte kjo gjë në hapësirat Shqiptare.

Pengesa e tanishme e Bullgarisë për Maqedoninë e Veriut më duket një pengesë më tepër sesa gjë e pazgjidhshme. Pse u kujtua tani Bullgaria kur Maqedonia e Veriut është pranuar si vend kandidat që nga viti 2005? Po të ishte dicka parimore (si rasti i Greqisë për emrin) kjo kërkesë e Bullgarisë do të ishte prezent me kohë. Nga ana tjetër nuk mund të mendojmë që çdo shtet anëtar i BE-së mund të vendosë veto për çdo gjë, për arsye se do ta bënte BE-në jo funksionale.

Pas "JO-së" së Bashkimit Europian, a rrezikon të rritet ndikimi i Lindjes në Shqipëri?

Kritikat  ndaj Shqipërisë kanë qenë të qarta, por kohët e fundit vendet e BE-së dhe Komisioni Europian po vlerësojnë Ballkanin Perëndimor si një rajon me rëndësi gjeopolitike, kjo edhe për faktin e agresivitetit të fuqive jo-europiane si Rusia, Kina e Turqia të cilat po rrisin influencat e tyre në rajon.

Regjimet vulnerabël dhe autoritariste të Ballkanit kanë rënë në këtë lojë për interesa të pushtetit të tyre. Rëndësia gjeopolitike e rajonit ka sjellë si rezultat që diskursi me këto vende të jetë pozitiv, për t’i treguar opinionit publik se perspektiva e tyre është dhe do të jetë europiane.

Komisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi u shpreh se do të punohet për hapjen e bisedimeve brenda vitit 2021, sa të mundur e shikoni, duke marrë parasysh procesin e deritanishëm?

Shtyrja e vazhdueshme e hapjes së procesit të negociatave është një kambanë alarmi për opinionin publik shqiptar, i cili edhe për këtë gjë jetike duket se nuk e ka nervin të reagojë. Pa avancuar me çështjet e demokracisë funksionale dhe shteti ligjor, Shqipëria gjithmonë e më tepër do ta gjejë veten larg Europës.

/J.S

Të fundit