Flash News

E-TJERA

Nga 1 Tetori, rikthehet faturimi me fasha për abonentët familjarë. Ç’do të ndodhë me çmimin e energjisë?

Nga 1 Tetori, rikthehet faturimi me fasha për abonentët

Duke filluar nga 1 Tetori, të gjithë konsumatorët familjarë që shpenzojnë më shumë se 800 kilovat/orë energji elektrike në muaj, do të faturohen me vlerën e tregut.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, tha në një intervistë për Tv Klan se qeveria ka planifikuar të nisë zbatimin e planit të paralajmëruar dhe njoftuar shumë më herët.

Balluku tha se nuk ka asnjë vendim qeverie për të shtrenjtuar çmimin e energjisë elektrike, pavarësisht shifrave në bursat ndërkombëtare.

“Fasha mbi 800 do të fillojë të konsiderohet me çmimin e tregut. Zbatimi, synimi jonë është që të fillojë më 1 Tetor. Kemi pasur një parashikim për Gushtin, do të arrinte diku deri tek 340 Euro, ndërkohë që sot në Baselock është 616”, u shpreh Balluku.

Ministrja tha po ashti se nuk ka aktualisht asnjë plan për ndërprerjen e energjisë, teksa i konsideroi ‘ulërima’ akuzat se gjendja e kaskadave po keqmenaxhohet nga qeveria.

“Të ulërasësh sot dhe të thuash që po keqpërdoret situate, ndërkohë që e dinë dhe fëmijët që megavat/orë shitet me 10-fishin e çmimit. Të ulërasësh sot që kaskada po keqmenaxhohet kur ne jemi në nivelin 275 dhe nuk mbahet mend kur ka rënë shiu i fundit në Kukës”, tha Balluku.

Një muaj më parë, Balluku tha se fasha 800 kilovat/orë quhet konsum mbi normalen për një konsumator familjar. Përllogaritja e fashës, sipas Ballukut, do të bëhet bazuar në numrin e personave që ka familja.

“Në një analizë që kemi bërë, nuk është vendosur nëse do jetë 700 apo 800 kilovat/orë, pasi nga analiza ka dalë që deri në 700 kilovat/orë është konsumi normal i familjeve normale në varësi dhe të numrit të personave, familjarëve që ka. Por nga ana tjetër, 800 kilovat/orëshi fillon dhe quhet një konsum mbi normalen. Kështu që besoj kjo do jetë fasha, është diçka që e kemi menduar që duhet të bëhet shpejt. Nëse jo brenda Verës, do të bëhet në fillim të Shtatorit, por padyshim ka ardhur koha që patjetër qeveria duhet të sigurojë energjinë, është shumë e rëndësishme që ne mos të rrisim çmimin për abonentin por nga ana tjetër duhet që të ketë një sensitivitet nga ana e çdo përdoruesi të energjisë elektrike, e çdo abonenti për të qenë të kujdesshëm dhe për të ruajtur sa më shumë energjinë jo vetëm për shkak të çmimeve por edhe për shkak të mungesës që ka në treg”, tha ministrja Balluku.

Të fundit