Flash News

E-TJERA

Nga Ekuadori në Itali e Durrës/ Policia: U kapën 143 kg kokainë, arrestohen dy administratorët (VIDEO)

Nga Ekuadori në Itali e Durrës/ Policia: U kapën 143 kg

Policia e Shtetit ka dalë me një komunikatë zyrtare lidhur me kapjen e një sasie të konsiderueshme kokaine në portin e Durrësit. Sipas autoritetve zyrtare bëhet fjalë për sekuestrimin e rreth 143 kilogramë kokainë në kuadër të operacioni​t policor “EL MEJOR”.

​"Si rezultat i operacionit, gjatë kontrollit të imtësishëm të ushtruar në një kontenier të ngarkuar me banane, i cili ishte nisur nga porti i GUAYAQUIL në Ekuador dhe kishte kaluar tranzit në portin “GIOIA TAURO”, Itali​, me destinacion Shqipërinë, për llogari të një firme me qendër në Tiranë, me administratorë shtetasit Erjon Peti dhe Klajdi Xibraku, shërbimet policore dhe ato doganore gjetën të fshehura në tavanin e kontenierit​, pako të mbushura me lëndë narkotike të dyshuar kokainë me peshë totale 143 kilogramë." thuhet në njoftimin e policisë.

Uniformat blu kanë arrestuar të dy administratorët e kompanisë "Masabi Fruits" me qendër në Kombinat, Tiranë, ku pritej të zbarkonte kontejneri me sasinë e kokainës që ishin nisur nga Ekuadori. Në pranga janë vënë shtetasit Klajdi Xibraku, 30 vjeç dhe Erjon Peti, 42 vjeç, të dy banues në Tiranë. Nga deklaratat paraprake ata e kanë mohuar të dy që të kenë lidhje me këtë ngjarje.

Nga Ekuadori në Itali e Durrës/ Policia: U kapën 143 kg

Kokaina ishte e fshehur në tavanin e modifikuar të kontejnerit me banane. Në disa prej pakove kishte mbishkrime si  ‘El Mejor” (më e mira) dhe ‘Viejon’ (i moshuar). Ndërkohë në një pako ishte stampuar edhe imazhi i “mbretit” të drogës Pablo Escobar.

Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe kapjen e autorëve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Të fundit