Flash News

E-TJERA

Nga Holanda në Finlandë, si operonte rrjeti shqiptar i drogës

Nga Holanda në Finlandë, si operonte rrjeti shqiptar i drogës

Një operacion i përbashkët mes Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe autoriteteve finlandeze ka çuar në goditjen e një rrjeti të madh ndërkombëtar të trafikut të drogës, i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë. Në përfundim të hetimeve dyvjeçare janë lëshuar 11 masa sigurie “arrest me burg”, ndërsa janë ekzekutuar 9 prej tyre.

Sipas SPAK, rrjeti kriminal ka trafikuar drejt Finlandës rreth 400 kg amfetaminë, si dhe 500 kg kanabis dhe kokainë, nga vende si Holanda dhe Spanja, duke përdorur një strukturë të mirëorganizuar shpërndarësish në qytete të ndryshme të Finlandës, përfshirë Helsinkin dhe Turkun.

Në njoftimin zyrtar thuhet se hetimi nisi në vitin 2022 dhe ka identifikuar katër grupe të strukturuara kriminale, të cilat vepronin në koordinim ose ndonjëherë edhe për llogari të njëra-tjetrës. Pjesë e këtyre organizatave ishin shtetas shqiptarë dhe të huaj, ndërsa disa prej tyre janë arrestuar e dënuar më parë në Finlandë.

Emrat e personave të arrestuar:

SPAK konfirmon se janë ekzekutuar masat për 9 shtetas shqiptarë:

B.S (1985)
E.A alias E.T (1991)
A.M (1981)
K.Q (1981)
T.K alias T.T (1977)
G.S (1994)
E.M (1983)
L.H (1983)
D.L (1983)

Gjatë operacionit janë sekuestruar:

8 automjete
13 telefona celularë
Dokumente dhe prova shkresore

Hetimet u kryen në bashkëpunim me Byro Kombëtare të Hetimit në Finlandë, Policinë e Helsinkit dhe Turkut, si dhe me ndihmën e Zyrës së Oficerit Ndërlidhës për vendet nordike.

Hetimi nisi në qershor 2023

SPAK sqaroi se procedimi penal u regjistrua më 29 qershor 2023, pas një kërkese për bashkëpunim të ardhur nga autoritetet finlandeze. Më 21 nëntor 2023 u krijua zyrtarisht Skuadra e Përbashkët Hetimore, mes institucioneve shqiptare dhe atyre finlandeze. Gjatë 18 muajve të hetimeve intensive u përdorën metoda speciale si përgjime, video-regjistrime dhe shkëmbime provash në kohë reale.

Dosja penale është ngritur për veprat:

“Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” (në formën e grupit të strukturuar kriminal)
“Grup i strukturuar kriminal”
“Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”

SPAK garanton se hetimet do të vijojnë në bashkëpunim të ngushtë ndërkombëtar për të identifikuar dhe ndëshkuar të gjithë pjesëtarët e rrjetit.

Të fundit