Flash News

E-TJERA

Nga integrimi në BE te "Ballkani i Hapur", mesazhi i ministres gjermane për qeverinë dhe opozitën shqiptare

Nga integrimi në BE te "Ballkani i Hapur", mesazhi i ministres

Ministrja e Gjermanisë për Europën Anna Luhrmann ndodhet në Tiranë për një vizitë zyrtare. Ajo ka mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp me zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, ku dha disa mesazhe për situatën në Shqipëri.

Sa i përket integrimit të vendit, Luhrmann mbështeti nisjen e bisedimeve sa më shpejt. Ajo tha se anëtarësimi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut  në BE nuk është vetëm në interes të dyja shteteve, por të stabilitetit në rajon dhe të vetë Bashkimit Europian.

"Dëshiroj të bëj të qartë që Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor si dhe prespektiva e anëtarësimit në BE, për mua personalisht janë me rëndësi strategjike. Qeveria federale angazhohet fuqishëm për një nisje sa më shpejt të mundshme të nisjes së bisedimeve të anëtarësimit. Kjo nuk është vetëm në interes të Shqipërisë dhe MV, por dhe të vetë BE-së e stabilitetit në rajon", tha ministrja gjermane.

Kjo e fundit u ndal te Vetingu në Drejtësi, duke kërkuar që ky proces të vijojë. Luhrmann kërkoi nga qeveria dhe opozita shqiptare të bashkëpunojnë sa i përket reformave, në mënyrë që këto të fundit të mos bëjnë hapa pas.

"Procesi i vetingut në drejtësi është një proces i rëndësishëm. Shqipëria ka bërë hapa. Janë ngritur struktura kundër krimit të organizuar. Zyrtarë të lartë dhe pjesëtarë të krimit të organizuar janë duke u vënë para drejtësisë. Këtu janë të nevojshme si qeveria edhe opozita. Hapat pas do e dëmtonin procesin e reformave", shtoi ajo.

Ministrja foli edhe për "Ballkanin e Hapur", nismë ku është përfshirë Shqipëria, MV dhe Serbia, ndërsa e kanë refuzuar Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja. Luhrmann tha qartë se Gjermania e mbështet këtë nismë, nëse marrin pjesë të gjashta shtetet, duke theksuar se "Ballkani i Hapur" duhet të jetë gjithëpërfshirës.

"Ne përfshëndesim angazhimin për bashkëpunimin rajonal mes qeverive të Ballkanit Perëndimor dhe e kuptojmë mjaft mirë dëshirën për të çuar para këtë proces. Këtu ështe e qartë që duhet të ndiqet rruga e bashkëpunimit të gjashtë vendeve dhe procesi duhet të jetë gjithëpërfshirës", tha ministrja gjermane.

 

Të fundit